• |
ide | kryesore

Trump vs Biden/ Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për vendet rreth botës

-Instant, Arkiva, Kryesore, Planet



Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara janë një ngjarje ndërkombëtare. Për dekada me radhë, çështja se kush kap Shtëpinë e Bardhë ka pasur një ndikim të drejtpërdrejtë në formën e ekonomisë globale, në politikën e trazuar të demokracive aty pranë dhe në konfliktet që shoqërojnë shoqëritë mijëra milje larg. Ndërsa Amerika i afrohet asaj që mund të jetë vota e saj më e rëndësishme në dekada, Uashington Post sot hodhi një vështrim mbi atë çka shqetëson qeveritë në të gjithë botën.

Në disa vende, perspektiva që Presidenti Trump të vazhdojë të qëndrojë në pushtet është e padëshiruar. Qasja e tij e rrënuese ndaj diplomacisë, nga kërcënimet në Tuitter deri te traktatet e hedhura poshtë, shqetësoi aleancat tradicionale të SHBA. Përqafimi që Trump i bëri politikës së ekstremit të djathtë në vend dhe fillimi i luftërave tregtare jashtë ngriti dyshime nëse rendi botëror liberal do të kishte një të ardhme. Kundërshtarët e supozuar, veçanërisht në Kinë dhe Rusi, shohin në një mandat të dytë të Trump-it shkatërrimin e mëtejshëm të aleancave të shekullit të 20-të dhe përshpejtimin e mundshëm të rënies amerikane në skenën botërore.

Megjithëse sfiduesi i Trump, ish-zv.Presidenti Joe Biden, ka premtuar një lloj restaurimi, shumica e qeverive nuk mbajnë shpresë as tek ky i fundit. Një presidencë e Biden mund të nxisë veprimin kolektiv mbi sfidat ndërkombëtare të tilla si ndryshimi i klimës dhe pandemia e re e koronavirusit. Por, nuk do t’i kthejë me magji Shtetet e Bashkuara në një epokë të përparësisë së padiskutueshme Amerikane, një epokë që ishte në zbehje që kur Biden qe për herë të fundit në detyrë. Shumë njerëz në të gjithë botën i shikojnë zgjedhjet në SHBA më shumë nga kureshtja dhe simpatia për një mik të trazuar sesa nga shqetësimi për fatin e vendeve të tyre.

Ja se çfarë do të thotë zgjedhja e presidentit të ardhshëm për disa vende kryesore në të gjithë globin.

Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për Rusinë 

Për gjysmë dekade, prezenca spektrale e Rusisë ka shqetësuar politikën e SHBA. Operacionet influencuese të Moskës luajtën një rol të diskutueshëm në fitoren surprizuese të Trump në zgjedhjet e vitit 2016. Sapo erdhi në pushtet, Trump u zhyt pothuajse menjëherë në beteja ligjore për kontaktet e fushatës së tij me operativët e Kremlinit, akuza që Trump vazhdimisht i quante “mashtrime”. Por disa ish-kolegë të tij u paditën penalisht.

Çfarë ka fituar Moska nga përpjekjet e saj për të mbjellë kaos në skenën e brendshme amerikane? Kjo është më shumë një pyetje e hapur. Rusia është më dobët në vitin 2020 sesa ishte në vitin 2016. Ekonomia e saj u pengua nga një rënie e fortë e çmimeve të naftës dhe publiku u irritua dukshëm me Presidentin Vladimir Putin. Tani, ndërsa shanset e Biden për fitore në zgjedhje rriten, sipas sondazheve, rubla ruse po bie nga frika se një ndryshim në administratë mund të çojë në më shumë sanksione dhe një ngrirje edhe më të thellë në marrëdhëniet SHBA-Rusi.

Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për Kinën 

Një “Luftë e Ftohtë” e re është duke u zhvilluar me Donald Trump. Për pothuajse katër vjet, lobimet e Trumpit për tarifa ndaj Kinës dhe kërcënimet në Tuitter ndaj Pekinit vështirësuan marrëdhëniet dhe krijuan hapësirën për një garim të fuqive të mëdha (SHBA/Kinë) që mund të përcaktojë dekadat në vijim. Për një mori çështjesh globale, Kina është “horri” i preferuar i Shtëpisë së Bardhë. Taktikat e saj tregtare shihen si të padrejta dhe të dyfishta, qeveria e saj e errët akuzohet si inkubatori i një pandemie të tmerrshme, kompanitë e saj të teknologjisë shihen si kuaj Troje dhe shtypja e saj ndaj pakicave etnike në Xinjiang dhe protestuesive pro-demokracisë në Hong Kong, janë emblemat e gjigantit autoritar të shekullit të 21.

Në dekadën e kaluar, Presidenti kinez Xi Jinping e ka çuar vendin e tij në një drejtim qartzi më shtypës, duke pastruar rivalët politikë, duke shtypur hapësirën tashmë të ngushtë për shoqërinë civile dhe duke forcuar kontrollin e Pekinit mbi periferinë e tij të qetë, shkruan lapsi.al. Në forume ndërkombëtare, Xi paraqet kombin e tij si një aktor të përgjegjshëm në rendin botëror. Por në shtëpi, një pararojë intelektualësh kinezë me ndikim  tani hedh poshtë idetë liberale në favor të një ideologjie më të qartë të fuqisë kineze.

Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për Britaninë 

Kryeministri britanik Boris Johnson nisi karrierën e tij politike duke vënë bast kundër Bashkimit Evropian dhe fitoi. Mund të duket e qartë se cilin kandidat do të ketë gjasa të mbështesë në zgjedhjet në SHBA: Trump është i vetëshpalluri “Z. Brexit”, i cili e krahason rrugën e tij të papritur drejt fitores në vitin 2016 me valën Britanike që përfundimisht çoi Boris Johnsonin në 10 Downing Street (Kryeministria britanike).

Pastaj është Biden. Ish-zv.Presidenti nuk është z.Brexit. Shefi i tij i vjetër, ish presidenti Barack Obama, kritikoi votimin për Brexit. Si përgjigje, Johnson shkroi një shkrim duke pretenduar se “mospëlqimi ancestral (i lashtë) i Obamës ndaj Britanikëve” ishte për shkak të origjinës së tij “pjesërisht-Keniane”, përkthen lapsi.al. Muajin e kaluar, Joe Biden shqetësoi Uestministerin duke thyer heshtjen e gjatë për Brexitin. Ai ofroi mbështetje për Irlandën dhe ‘Marrëveshjen e së Premtes së Mirë’.

Kjo vështirë se do të thotë që shumica në qeverinë britanike do të mirëprisnin një fitore të Trump. Zyrtarët aktualë dhe të mëparshëm në Uashington dhe Londër paralajmërojnë që negociatat private janë më komplekse sesa sugjeron vllazëria publike Trump dhe Johnson. Por, as një presidencë e Biden nuk mund të ishte një zgjedhje perfekte.

Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për Europën 

Europianët nuk e duan Trumpin, madje me marzhe të mëdha sipas sondazheve të fundit. Aq e zbehtë është mbështetja e europianëve ndaj liderit të SHBA, sa më shumë nga të anketuarit besojnë se Presidenti kinez Xi Jinping do të bënte “gjënë e duhur në lidhje me çështjet globale” se sa Trump. Kjo sipas ‘Qendrës Kërkimore Peu’. Në një sondazh të fundit të ‘YouGov’, shumica e konsiderueshme e të anketuarve në të gjithë kontinentin thanë se favorizonin një fitore të Biden.

Në një nivel kjo pasqyron një dëshirë të mirëfilltë për një presidencë të Biden pas katër vitesh paqëndrueshmërie Trumpiane. Por në një nivel më të thellë, pikëpamja e Europës për Amerikën po ndryshon gjithashtu. “Qëndrimet europiane ndaj amerikanëve po kalojnë nga zilia në dhembshuri”, shkroi Simon Kuper i Financial Times. Ai shtoi se “ka më shumë shanse për t’u bërë një miliarder, nëse kjo është gjëja që doni, në Skandinavi sesa në Sh.B.A”, duke treguar zgjerimin e pabarazisë në Shtetet e Bashkuara dhe tharjen e nocioneve romantike të “Ëndrrës Amerikane”.

Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për Lindjen e Mesme 

Për njerëzit e zakonshëm që jetojnë në vendet e krizës në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë shumë rëndësi nëse Trump ose sfiduesi i tij demokrat fiton Shtëpinë e Bardhë. Si administrata Trump dhe ajo që Biden i shërbeu si zv.President panë konflikte të ngatërruara në rajon dhe dëshironin një arratisje nga aty. Asnjëri nuk arriti ta bënte atë. Në vend të kësaj, fushatat ajrore të SHBA u intensifikuan dhe trupat amerikane mbeten të shpërndara në shumë vende. Me gjithë dëshirën e deklaruar për t’u shkëputur nga Lindja e Mesme, Uashingtoni e ka të vështirë ta lëshojë.

Por Biden dhe Trump përfaqësojnë dy të ardhme dukshëm të ndryshme për disa nga elitat politike të rajonit, veçanërisht udhëheqjen në Izrael dhe një tufë monarkish arabe të pasura me naftë. Ata e brohoritën Trumpin ndërsa ai vazhdoi të përmbyste arritjet kryesore të paraardhësit të tij në rajon, ndalimin e pjesëmarrjes amerikane në marrëveshjen bërthamore të Iranit duke vendosur përsëri sanksione dhe duke thirrur një fushatë “presioni maksimal” ndaj regjimit në Teheran. Dhe ai ndoqi një qasje të re ndaj procesit të paqes Izraelito-Palestinez që favorizonte plotësisht interesat e së djathtës Izraelite. Megjithëse këto përpjekje u pritën me zemërim nga palestinezët, ata u përballën me protestë kryesisht të heshtur nga udhëheqësit arabë gjetkë.

Në të dy ato fronte, një fitore demokratike në nëntor mund të sinjalizojë një përmbysje dramatike.

Çfarë do të thonë zgjedhjet në SHBA për Kanadanë dhe Meksikën 

Ka qenë një kohë e ndërlikuar për të qenë një fqinj amerikan. Trump njoftoi kandidaturën e tij për Shtëpinë e Bardhë në 2015 me një sulm të vrazhdë mbi Meksikën, duke hedhur migrantë nga ky vend si “përdhunuesa”, dhe më vonë u zotua të bënte Meksikën të paguante për një mur në kufirin jugor të SHBA. Në 2018, Trump ngriti shqetësime të nivelit të sigurisë kombëtare, për të goditur eksportet kanadeze me tarifa. Ai e quajti Kryeministrin Kanadez Justin Trudeau si “të pandershëm” dhe “shumë të dobët”, ndërsa hapi me forcë rrugën e tij drejt një rinegociimi të marrëveshjes së tregtisë së lirë që lidh ekonomitë e kontinentit.

Në vitin e fundit të mandatit të tij, Trump pa dyshim ka marrëdhënie më të mira me Presidentin meksikan, Andrés Manuel López Obrador, sesa me Trudeau. Në korrik, López Obrador erdhi në Shtëpinë e Bardhë për të festuar nënshkrimin e versionit ‘Trump’ të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut. Nuk ishte shumë ndryshe nga traktati i shpallur më shumë se dy dekada më parë, por i dha Trumpit një tjetër moment. Trudeau shmangu rastin, por López Obrador e bëri atë daljen e parë të huaj të presidencës së tij, pa marrë parasysh qortimet e kritikëve në të dy anët e kufirit.

The Washington Post, përshtati në shqip ©LAPSI.AL 



5 Comments

  1. Washington Post eshte akuzuar shpesh si e financuar ne forma te ndryshme nga grupi Klinton e Soros. Politika e jashtme e Trump le per te deshirur, por jo sic thote WP, por sepse nuk u mor seriozisht per te shkaterruar gjithe grupin e strukturuar dhe kriminal qe ka ngritur estabilishmenti i majte amerikan, perfshire drejtimin e shume shteteve ne europe, luftrat dhe problemet e hapura ne shume shtete te tjera, pa harruar problemet qe instaluan ne ballkan dhe qe do sgjasin dekada. Ai estabilishment nuk pyet kush je, thjesht duhet ti bindesh dhe te mbajne mire e mire ata. Trump politiken e jashtme ka sfiden me te veshtire ne mandatin e dyte. Duhet ti stopoje te gjitha mekanizmat e te majtes amerikane neper bote dhe te vendose te te djathtes. Keshtu do jete me e forte usa. Dhe fitorja e Trump kesaj radhe do jete me e lehte.

    1. perqendrimi vemendjes eshte drejtim, fjala qe flitet pergjegjsi, veprimi qe behet llogari thotë:

      per boten nuk ka rendesi personi drejtues,ka rendesi se ku mbeshteten ke zgjellim si element zhvillimi ,te verteten e cila ka vlerat qartesi gjalleri ,zgjillje siguri shpres paqe shpetim ,,ne politika ligje veprim,ose padrejtesin me fjalen interres qe ka antivlerat,shkatrrimin total

  2. Per ju qe jetoni ne Shqiperi, Trump nuk eshte burre i mire po nuk krahasohet me Biden dhe Harris. Prandaje mos beni shume tifo per Biden se me te me keq do behet Amerika. Shume gjera qe thone ose bejne demokratet me kujtojne kohen e xhaxhit kur duhet te mendoje mire ca thoje se mos ishe politically incorrect. Kapitalizmi eshte i keq dhe ai duhet te zevendesuar me socializmin. Zoti na shpetofte nga demokratet.

  3. Sa i takon politikës së jashtëme të SHBA, është fakt se ky shtet ka ruajtur pozicionin e liderit botëror gjatë kohës së presidentëve republikanë.
    Në kohën e presidencës Obama-Biden, Kina komuniste forcoi mbytjen e tregut botëror e Putini ishte personazhi kryesor i politikës botërore.
    Sa i takon politikës së mbrendëshme , në çdo vend të botës nga qytetarët vlerësohet ai lider që punon më shumë për forcimin ekonomik të vendit të tij e jo për internacionalizmin socialist.
    Ne si shqiptarë nuk na intereson se kush është president në SHBA, një demokrat apo republikan, por cili president amerikan na mbështet në hallet tona për të dalë mga balta që na la sistemi diktatorial komunist, e cili president amerikan mbështet Kosovën.

  4. Po te fitonje trumpi, qe eshte nje plak kodosh pervers, nje mandat te dyte do bien dollare 3 dite nga qielli ne shqiperi
    Kurse po fitoj Bideni qe eshte plak i rrjedhur o bien 4 dite evro per shqipot e shkrete

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *