• |
ide | kryesore

Çfarë ndodhi me premtimin për plotësimin e stafit spitalor të Tepelenës

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit

Nga ANILA PRIFTI, Faktoje.al


Spitali i Tepelenës, që duhet të mbulojë nevojat e një komuniteti prej 80 mijë banorësh, sot mbijeton me një personel të zvogëluar në vetëm 4 mjekë, nga 30 që ishin 12 vjet më parë. Në situatën e pandemisë, spitali vështirësisht arrin të kryejë edhe rolin e një qendre shëndetësore. Pacientët që kanë nevojë për mjekë të specialiteteve, presin të vizitohen nga mjekë të ardhur nga Gjirokastra, vetëm në ditë të caktuara. Për pjesën tjetër të shërbimeve, si ekzaminime dhe analiza, u mbetet të shpenzojnë në klinika private.


Më 11 maj 2015, kur kryeministri Edi Rama u kërkoi votën banorëve të Tepelenës për Tërmet Peçin si kryetar bashkie, bëri këtë premtim:

“Nga garantimi i mjekëve të rinj për spitalin e Tepelenës, që janë duke munguar për shkak se ata më me eksperiencë janë drejt pensionit dhe më të rinj nuk ka, qeveria ka një program të plotësimit të boshllëqeve për mjekë specialistë në një sërë spitalesh të vendit”.

40 kilometra larg nga Gjirokastra, spitali i Tepelenës, më shumë se 5 vjet nga premtimi i kryeministrit, po shërben vetëm si një qendër shëndetësore për 80 mijë banorët e territorit që mbulon, bashkë me ata të Përmetit dhe të Memaliajt.

“Jemi vetëm 4 mjekë, bashkë me mua, një pediatre, radiologu dhe okulisti. Në vitin 2015 ishim 6 mjekë.”- tregon mjeku Shahin Meçja.

Në dhjetor të 2017 zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, tha se mungesa e mjekëve në rrethe ishte për shkak të bllokimit për katër vjet të daljes së specialistëve nga Universiteti i Mjekësisë që do mund të zëvendësonin ata në pension. Gjatë viteve 2011-2015 u ndërpre procesi i specializimeve dhe sipas Rakacollit në janar të vitit 2019 do dilnin 345 mjekë specialistë.

Në janar të 2018-s Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ftoi publikisht mjekët specialistë të interesuar të punojnë në spitalet rajonale dhe bashkiake, me bonus 250 milionë lekë të reja mbi pagën. Në vitin 2019 Ministria e Shëndetësisë shpalli tre vakanca për mjekë në spitalin e Tepelenës. Ende edhe sot është po ky njoftim, por asnjë kandidat mjek nuk i është përgjigjur thirrjes. Shkaku kryesor i mungesës së mjekëve, jo vetëm në Tepelenë, mendohet të jetë emigracioni. Shumë specialistë të rinj janë larguar, ashtu siç ndodhi 6 muaj më parë me një mjek të sapoardhur, i cili u largua në Gjermani, pa mbushur vitin e punës në këtë spital.

 

Në spitalin me kapacitet prej 84 shtretërish dhe që numëronte 30 mjekë në vitin 2008, sot ka vetëm 4 të tillë.

“Që kur ministër i Shëndetësisë ishte Leonard Solis, këtë gjë mbaj mend, por asgjë nuk është bërë, kemi kërkuar mjek dhe nuk kanë sjellë”- tregon për “Faktoje” Shahin Meçaj, mjek i vjetër pneumolog të cilit i duhet të kryejë 4 shërbime roje në javë.

Ka mjaft specialistë dhe studentë në Tiranë nga Tepelena të cilët nuk duan të rikthehen në vendlindje për të ushtruar profesionin e tyre, por kërkojnë të punësohen në kryeqytet. Në Ministrinë e Shëndetësisë autorizimi për të folur për çështjen i është deleguar drejtoreshës së spialit rajonal të Tepelenës Suela Selimi.

“Shërbimet janë të mbuluara me specialistë një herë në javë nga Gjirokastra”- thotë ajo për vizitat mjekësore për specialitetet që mungojnë.

“Por diagnostikimet më të plota dhe mjekimet spitalore nuk realizohen këtu. Ato raste i dërgojmë në Gjirokastër”- sqaron Selimi.

Më shumë se 10 telefona në ditë në urgjencë kërkojnë ndihmë për problemet me mushkëritë. Secili prej tyre së paku kërkon kryerjen e një grafie.

“Për grafi, skopi, operacione kirurgjikale etj, të sëmurët drejtohen në Gjirokastër.”-konfirmojnë Meçaj dhe Selimi.

Salla e operacioneve është një ambjent i madh, por jo funksional. Aty mungojnë jo vetëm kirurgët, por edhe pajisjet e domosdoshme për ekzaminimin, aparaturat e radiologjisë, pajisjet e reanimacionit.

“Mbi 2500 pacientë me sëmundje të ndryshme kanë nevojë që shërbimet t’i marrin në këtë godinë.”- thuhet në një raport që Agjensia e Autoritetit Shëndetësor Rajonal i ka dërguar Ministrisë së Shëndetësisë në vitin 2009.

Ndërsa ndodheshim në spitalin e Tepelenës gjetëm pak pacientë që kërkonin atë shërbim që mund të merret në këto kushte. Një burrë i moshuar kërkon thjesht t’i masin tensionin. Pas tij, një tjetër i thotë mjekut t’i shikojë dhe ta konsultojë për analizat. Me vete ai ka sjellë edhe grafinë që e ka bërë në një klinikë private dhe jo në spital, siç duhet të ndodhte.

 

Zyra Sylotaj dëgjon shumë pak dhe mosha i jep mundësi të lëvizë vetëm nëpër shtëpi. Por sot, ka tre orë që pret specialistët nga Gjirokastra për t’u vizituar. Për të ardhur deri në spital, Zyraja udhëtoi një orë me makinë. Është fundjavë dhe specialistët janë me vonesë. Ata vijnë të shërbejnë në Tepelenë sipas një grafiku të paracaktuar. Të moshuarve që presin në Tepelenë u thuhet se vonesa e specialistëve është për shkak të një operacioni në spitalin e Gjirokastrës. Nga ana tjetër Zyraja pret ulur në stol dhe nuk do të largohet pa u kontrolluar të mjeku, për një dhimbje pas kokës që e mundon shumë dhe i ka kapur qafën.

Pranë saj Esma Shehu nga Bënça shoqëron bashkëshortin. Ka muaj që e bën rrugën nga fshati në qytetin e Tepelenës. Megjithë sakrificat që bën sa herë vjen në Tepelenë, ngushëllohet të paktën që sëmundja e tij nuk përbën rrezik për jetën.

Ndërkohë sirenat e ambulancës sinjalizojnë mbërritjen e një rasti urgjent. Mjeku pneumolog Shahini, tregon për një burrë tek 60-at në gjendje kritike nga Covid-19. Atij i duhet oksigjen dhe ndihmën e parë, pas diagnostikimit nga mjeku i Tepelenës, do e marrë në Gjirokastër e më pas do të dërgohet në Tiranë. Kështu procedohet në të gjithë vendin, pranojnë ata.

Çdo gjë është në rregull, na konfirmon përmes telefonit Drejtori i Spitalit “Omer Nishani” në Qarkun e Gjirokastrës, Sokol Ferruni i cili në kohën që e kontaktuam, ndërsa bënim verifikimin, ndodhej në Asamblenë e Partisë Socialiste në Tiranë. Por vartësi i tij, drejtori teknik refuzon të flasë me gazetarët.

Kur ambulanca nuk kishte dalë ende nga Tepelena, një tjetër telefonatë njoftoi për mësuesen e infektuar në Shkollën e Bashkuar me 270 nxënës, “Adem Alushi”, në fshatin Krahës të Memaliajt. Mësimi u ndërpre menjëherë dhe stafi pedagogjik u njoftua se do të kryehej tamponi.

I.H. 50 vjeç, prej më shumë se një muaji vuan pasojat që i ka lënë infektimi nga Covid -19, bashkë me gruan e tij.

“Vetëm një moment mund të ndante jetën nga vdekja. M’u mbyll fyti dhe nuk merrja dot frymë. Natën ndërrohesha 10 herë, rashë 12 kg. Infermierët nuk vinin nga frika. Në spitalin e Tepelenës përveçse të flasësh në telefon me pneumologun, asnjë shërbim tjetër nuk merr. Fëmijët më linin lëngjet dhe ushqimin te dera, nuk hynin brenda. S’kisha forcë të shkoja as deri aty për t’i marrë. Duhej të flisja në telefon për mjekimin dhe nuk përgjigjesha dot. Kalova një tmerr, njerëzit duhet të besojnë në këtë fakt. Mjekimi është i shtrenjtë. Një tabletë hollues gjaku kushton 8 mijë lekë. Për një muaj shpenzuam 3 milionë lekë.”- tregon 50-vjeçari që ende nuk e ka marrë veten edhe psikologjikisht nga ajo çfarë kaloi.

“Këtu nuk mund të japim ndihmë për rastet e rënda, dhe të sëmurët kanë frikë të shkojnë në spital”-thotë për “Faktoje” mjeku pneumolog i Tepelenës, Meçaj.

“Në shtatë muaj, qëkur nisi pandemia, në spitalin e Tepelenës janë paraqitur 270 persona me probleme të mushkrive, ku përfshihen edhe të infektuarit me koronavirus.” – shënohet në regjistrin e Urgjencës.

Rastet aktive më 9 tetor në rang Qarku ishin 37, por në spitalin e Tepelenës çdo ditë ka dhjetëra telefonata që kërkojnë Urgjencën për shenjat e virusit.

“Një mjek nga Fieri që solli ministria u largua pas 6 muajsh”, thonë në spitalin e Tepelenës. Kemi dy praktikante të reja, ato po vazhdojnë, kurse ai djali i ri iku në Gjermani”- thotë drejtoresha Suela Selimi.

Mungesa e specialistëve kirurgë, ORL, reanimacion, obstetër etj., është një problem i mbartur prej vitesh.

“Të gjitha rastet emergjente që paraqiten në Tepelenë, qoftë edhe për një operacion si apandesiti, sillen këtu në Gjirokastër”- na u konfirmua nga stafi mjekësor i spitalit të Gjirokastrës. Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë e njohin këtë gjendje, por pavarësisht kërkesave të shumta për punësimin e specialistëve, ajo nuk ka ndryshuar.

I vetmi zhvillim në Tepelenë që kishte lidhje me spitalin e bashkisë, ishte ai i vitit 2019 kur u arrestuan katër ish-zyrtarë për një tender fiktiv në vitin 2017, për pajisjen me leje mjedisore të spitalit./ Faktoje.al

1 Comment

  1. Votoni perseri,rilindjen,se do ju premtoje perseri,shendetesi falas,bile edhe ne Tepelene,do te plotesohen nevojat jo me 30 mjeke,qe ishin ne 2008,por ndofta do ju sjellin 50 mjeke te specializuar.kryetari Termeti,zgjidheni perseri,se jua ploteson te gjitha kerkesat……..Yyyyyppp Xhixhi….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu