• |
ide | kryesore

Sigurimi për fatkeqësitë/ Do të presim edhe një tërmet tjetër?

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Tërmetet e vitit të kaluar nuk e kanë shkundur vetëdijen tonë për rëndësinë e sigurimit. Për tetë muajt e parë të vitit, shqiptarët kanë shpenzuar vetëm 2.6 euro për frymë në sigurimin e pronës. Ndërkohë, ligji për një skemë të detyrueshme sigurimi nga tërmetet ka humbur nëpër sirtarët e institucioneve, që nuk japin informacion zyrtar se çfarë po ndodh me të.

Më 21 shtator, u mbush një vit nga zanafilla e serisë së tërmeteve që tronditën Shqipërinë në vitin 2019. Veç bilancit tragjik në jetë njerëzish, tërmetet dhe veçanërisht ai i nëntorit, sollën edhe një faturë të shtrenjtë financiare, në vlerën e rreth 1 miliard eurove. Këto ngjarje vunë në dukje problemin e mungesës së një praktike masive të sigurimit të pronës në Shqipëri.

Sipas kompanive të sigurimeve, më pak se 5% e pronave të dëmtuara ishin të siguruara. Nga afërsisht 1 miliard euro dëme të vlerësuara, vetëm rreth 33 milionë euro u paguan nga kompanitë e sigurimeve. Ky mbulim erdhi pothuajse i gjithi nga pronat e lëna si kolateral për kreditë bankare dhe provoi se shqiptarët e sigurojnë pronën vetëm kur janë të detyruar.

Domethënës është fakti se as tronditja e tërmeteve nuk e ndryshoi shumë kulturën e sigurimeve te shqiptarët. Numri i kontratave të sigurimit për dëmet në pronë gjatë tetë muajve të parë të vitit u rrit me vetëm 1.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri prej rreth 30 mijë kontratash sigurimi duket se mbulon në pjesën më të madhe kreditë aktive për blerjen e pasurive të paluajtshme dhe kolateralet e lëna për to. Për më tepër, sigurimet mbulojnë afërsisht vlerën e kredisë dhe jo të gjithë vlerën e pronës.

E gjithë vlera e primeve të shkruara bruto në sigurimin nga fatkeqësitë natyrore për tetë muajt e parë të vitit ishte vetëm 920 milionë lekë. Në tetë muajt e parë të vitit, çdo shqiptar ka shpenzuar mesatarisht më pak se 2.6 euro për të siguruar pronën nga fatkeqësitë natyrore. Këto shifra janë të mjaftueshme për të treguar se tërmeti nuk e ka shkundur aspak vetëdijen tonë si shoqëri për rëndësinë e sigurimit të pronës.

Alternativa e vetme ngelet ngritja e një skeme të detyrueshme të sigurimit nga fatkeqësitë, siç propozohet prej vitesh nga institucionet e specializuara partnere.

Pas tërmetit të fortë të muajit nëntor, më në fund autoritetet u shkundën nga apatia disavjeçare. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare “shpluhurosi” një draft të përgatitur me konsulencën e Bankës Botërore dhe e dërgoi atë në qeveri.

Drafti në fjalë parashikonte krijimin e një Agjencie të Posaçme Shtetërore për sigurimin nga tërmetet. Kjo agjenci do të vepronte, pak a shumë, si një kompani sigurimesh me objekt menaxhimin e një skeme të detyrueshme kombëtare të sigurimit të banesave. Primi i sigurimit parashikohej në intervalin mes 15 dhe 25 eurosh, ndërsa limiti i përgjegjësive që do të mbuloheshin parashikohej deri në shumën e 25 mijë eurove.

Pak interes për sigurimin nga fatkeqësitë

E gjithë vlera e primeve të shkruara bruto në sigurimin nga fatkeqësitë natyrore për tetë muajt e parë të vitit ishte vetëm 920 milionë lekë. Në tetë muajt e parë të vitit, çdo shqiptar ka shpenzuar mesatarisht më pak se 2.6 euro për të siguruar pronën nga fatkeqësitë natyrore. Këto shifra janë të mjaftueshme për të treguar se tërmeti nuk e ka shkundur aspak vetëdijen tonë si shoqëri për rëndësinë e sigurimit të pronës.

Reagimi i vakët i institucioneve

I kontaktuar nga revista “Monitor”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare i është referuar projektligjit të propozuar prej Bankës Botërore që në vitin 2015.

“Që nga viti 2015, Banka Botërore i ka propozuar Qeverisë një projektligj për sigurimin nga katastrofat, i cili iu dorëzua në atë periudhë Ministrisë përgjegjëse për Emergjencat Civile, Ministrisë së Brendshme. Pas tërmeteve të vitit 2019, Banka Botërore ka risjellë në vëmendje nevojën e një programi për menaxhimin e rrezikut të katastrofave natyrore dhe ka ripropozuar projektligjin. AMF e ka mbështetur nismën për sigurimin nga katastrofat dhe ka qenë e hapur të japë kontribut për arritjen e një drafti sa më cilësor”, thuhet në reagimin zyrtar të AMF për revistën “Monitor”.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, që është edhe institucioni i linjës për propozimin në qeveri të projektligjeve që hartohen në nivel teknik nga AMF, nuk i është përgjigjur një kërkese për informacion lidhur me fazën ku ndodhet aktualisht procesi i përgatitjes së ligjit, për sigurimin nga fatkeqësitë natyrore.

Ndonëse institucionet refuzojnë të japin informacion, burime shprehen për revistën “Monitor” se “lëmshi” i radhës me ligjin për skemën e sigurimit nga fatkeqësitë ka ardhur prej ndërhyrjeve klienteliste të lidhura me interesat e siguruesve. Projektligjit për sigurimin nga tërmetet, të propozuar nga AMF, iu shtuan edhe rreziqe të tjera, si përmbytjet. Por, shtimi i rreziqeve të mbuluara do të sillte edhe rritjen e primit të detyrueshëm dhe rrjedhimisht shpenzimin e detyrueshëm për shqiptarët. Rritja e barrës e vendosi qeverinë përballë dilemës për t’u përballur me një kosto politike nga miratimi i ligjit. Kjo ka bërë që projekti të qëndrojë pezull, nuk dihet ende deri kur.

Modeli i propozuar për Shqipërinë, i ngjashëm me atë turk

Modelet e skemave të detyrueshme ose me pjesëmarrje publike të sigurimit të fatkeqësive u takojnë kryesisht vendeve në zhvillim që janë të ekspozuara ndaj fatkeqësive të shpeshta natyrore. Në vendet e zhvilluara, këto modele janë më të rralla, kryesisht për shkak të një niveli më të lartë zhvillimi të tregut të sigurimeve.

Modeli i propozuar nga FSAP për Shqipërinë mbështetet kryesisht në modelin e Turqisë. Në vitin 2000, Turqia ngriti me asistencën e Bankës Botërore një agjenci kombëtare të sigurimit të katastrofave, që financohet nëpërmjet sigurimit të detyrueshëm të ndërtesave. Skema financohet me prime tregu, pa subvencione nga qeveria dhe ofron mbulim nga tërmetet dhe zjarret.

Mbulimi maksimal që ofrohet nga skema është afërsisht 80 mijë USD, ndërsa dëmet përtej kësaj shume mund të mbulohen vetëm me sigurimin vullnetar të pronës në kompanitë private. Primi i sigurimit është i ndryshueshëm në varësi të llojit të ndërtimit dhe nivelit të riskut nga tërmetet, i ndarë sipas zonave të veçanta të vendit, por, në vlera mesatare është afërsisht 33 USD në vit.

Vende të tjera, si për shembull në Amerikën Qendrore apo në Afrikë, kanë ndërtuar skema rajonale, që financohen me kontribute buxhetore nga secili prej shteteve pjesëmarrës, me ndihmën edhe të donatorëve.

Në ekonomitë e zhvilluara, zakonisht skemat publike ndjekin modelin e agjencive të risigurimit, që ndajnë rrezikun e katastrofave me tregun lokal të sigurimeve. Problemi në këto vende nuk është edhe aq detyrimi i qytetarëve për të siguruar pronat, por detyrimi i siguruesve për të marrë në sigurim pronat në zonat me rrezik të lartë. Për shembull, në Japoni ose Francë, kompanitë e sigurimeve funksionojnë duke ndarë edhe pagesat në rast të ndodhjes së ngjarjes së sigurimit.

Një formë më e sofistikuar e mbulimit të dëmeve të mundshme nga tërmetet janë obligacionet e katastrofave. Këta janë tituj huamarrje, me afat zakonisht deri në tre vjet dhe norma interesi më të larta se obligacionet e zakonshme, që mund të emetohen nga kompanitë e sigurimeve, risigurimeve ose nga qeveritë, për të mbuluar dëme eventuale nga fatkeqësitë natyrore.

Investitorëve iu paguhet rregullisht një kupon gjatë afatit të obligacionit; por, në rast të ndodhjes së një ngjarje sigurimi, atëherë emetuesi i obligacionit i përdor paratë për të zhdëmtuar të siguruarit dhe investitorët humbasin principalin dhe shumën e mbetur të interesit. Rrjedhimisht, këto vlerësohen si investime me rrezik të lartë, me rating BB e poshtë. Megjithatë, këto instrumente ofrojnë kthime relativisht të larta dhe nuk ndikohen shumë nga koniunkturat e ekonomisë dhe tregjeve, përderisa risku është i lidhur vetëm me ngjarje natyrore.

Modeli turk

Skema financohet me prime tregu, pa subvencione nga qeveria dhe ofron mbulim nga tërmetet dhe zjarret. Mbulimi maksimal që ofrohet nga skema është afërsisht 80 mijë USD, ndërsa dëmet përtej kësaj shume mund të mbulohen vetëm me sigurimin vullnetar të pronës në kompanitë private. Primi i sigurimit është i ndryshueshëm në varësi të llojit të ndërtimit dhe nivelit të riskut nga tërmetet, i ndarë sipas zonave të veçanta të vendit, por, në vlera mesatare është afërsisht 33 USD në vit.

Eurosig: Modeli me agjenci shtetërore sigurimesh është monist

Kadri Morinaj, president i kompanisë së sigurimeve Eurosig, thotë për revistën “Monitor” se mungesa e një skeme të sigurimit të fatkeqësive reflekton vetëm mungesë vullneti nga qeveria.

“Në mandatin e parë, qeveria ‘Rama’ pati marrë një nismë dhe kërkoi studimin e modeleve të vendeve të tjera për të hartuar një ligj për sigurimin nga katastrofat. Për fat të keq, kjo nismë u la pas dore dhe nuk u konkretizua. Ndoshta edhe ne si palë interesi nuk kemi shfaqur një lobim të mjaftueshëm. Fatkeqësia është se te ne, sigurimi i pronës quhet taksë. Për të siguruar një pronë me vlerë 100 mijë euro, primi vjetor i sigurimit është vetëm rreth 60 euro, ose më pak se një kafe në ditë” – thotë ai.

Zoti Morinaj shprehet kundër modelit të sigurimit të tërmeteve nëpërmjet një agjencie publike, që u propozua në fund të vitit të kaluar nga AMF. Sipas tij, një model i tillë është i pafrytshëm dhe i panevojshëm.

“Ideja e krijimit të një kompanie të re shtetërore për këtë qëllim më duket një model monist. Ky model ka dështuar në Turqi dhe, për mendimin tim, është i papërshtatshëm. Përse duhet krijuar një agjenci e re, ndërkohë që ka kompani të licencuara për këtë qëllim dhe të mirëkapitalizuara? Për mendimin tim, këtë mision mund ta përmbushin më së miri kompanitë e sigurimeve.

Ajo që duhet zgjidhur me ligj është gjetja e një mënyre sesi qytetarët duhet të paguajnë primin për një sigurim të detyrueshëm të pronës. Këto detyrime mund të mblidhen nëpërmjet faturave të shërbimeve utilitare. Unë gjej rast t’i bëj thirrje qeverisë që sigurimi i pronës të bëhet sa më parë, nëpërmjet kompanive të sigurimit” – thotë z.Morinaj.

Madje, ai mendon që në ligjin për sigurimin e detyrueshëm të pronave të përfshihen edhe përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Një sigurim i tillë do të shërbejë për rastet kur dëmtimi i një banese nga zjarri, uji apo forca të tjera mund të shkaktojë dëme edhe për fqinjët.

Atlantik: Tregu i sigurimeve provoi se mund të mbulojë sigurimin e fatkeqësive

Dritan Çelaj, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Atlantik, thotë se sigurimet vullnetare ngelen në nivele të ulëta dhe arsyeja kryesore është mungesa e kulturës dhe informacionit në këtë aspekt, krahas faktorëve të tjerë ekonomikë e socialë.

Këtu sigurisht nuk bën përjashtim as sigurimi nga fatkeqësitë natyrore. Sipas tij, rasti më i freskët për të ilustruar këtë problem janë pikërisht tërmetet e vitit të kaluar, që sollën dëme të mëdha dhe dëmshpërblime nga shoqëritë e sigurimit, por jo rritje të numrit të sigurimeve nga katastrofat.

Sipas tij, sigurimi i detyrueshëm për mbulimin e dëmeve në rastin e katastrofave natyrore, duhet të konceptohet si instrument për menaxhimin e dëmshpërblimit pas katastrofës, dhe jo “taksë”, siç përmendet rëndom.

“Vendet e zhvilluar kanë modele të suksesshme të sigurimeve të detyrueshme të katastrofave dhe mund të shfrytëzohet përvoja e këtyre vendeve, meqenëse e kanë kaluar këtë fazë, në përshtatje me veçoritë e tregut tonë. Format mbrojtëse të menaxhimit të dëmshpërblimit mund të jenë të ndryshme: nga kompanitë private të sigurimit, ku shteti nuk ndërhyn ose është neutral; mund të menaxhohen nga shteti si taksë, praktikë e vendeve me industri sigurimi jo të zhvilluar; mund të ketë edhe sistem të kombinuar të partneritetit të shtetit me kompanitë private, model që bazohet në principin e solidaritetit dhe të barazisë së gjithsecilit në rast katastrofe, siç është modeli i Francës” – shprehet ai.

Çelaj thotë se tërmetet e muajve shtator dhe nëntor 2019 sollën një faturë të lartë financiare për shoqëritë e sigurimit në vend, që shfaqën stabilitet dhe aftësi paguese, me dëmshpërblimin e të gjitha dëmeve për rastet e siguruara. Sipas tij, kjo ishte një provë e besueshme se sigurimi i detyrueshëm i fatkeqësive mund t’u besohet kompanive private.

“Në kulturën e individit në Shqipëri, shteti rezulton të jetë përgjegjës për çdo humbje dhe ky mentalitet mbizotëron prej dekadash. Në rast katastrofash natyrore apo fatkeqësish, njerëzit nuk kanë pse t’i drejtohen për ndihmë shtetit, kur mund ta marrin këtë dëmshpërblim nga shoqëritë e sigurimeve, kundrejt detyrimit ligjor për t’u siguruar.

Në kushtet e ngrohjes globale, ndryshimeve klimatike dhe rrezikut të përhershëm nga tërmetet, duhet të bëhen të detyrueshme me ligj sigurimet e katastrofave për çdo zotërues të një prone, banese, njësi shërbimi, etj. Qeveria, në bashkëpunim me kompanitë e sigurimeve në vend, duhet të bëjnë zgjerimin e bazës së produkteve të detyrueshme për t’u siguruar” – thotë z. Çelaj.

/Ersuin Shehu, Monitor



1 Comment

  1. Artikull bythe i sponsorizuar nga hajdutet e kompanive te sigurimeve.
    Te duket sikur po te prezanton ofertat nje agjent sigurimesh.
    Ne baze te ligjit, cdo artikull qe shitet me nje cmim mbi 10 000 leke duhet te shoqerohet me garanci. C’fare garancie japin ndertuesit per apartamentet qe shesin?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *