• |
ide | kryesore

BE: Shqetësues ndërtimi i inceneratorëve të rinj në Shqipëri

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Investimi në inceneratorë mund të vonojë zbatimin e direktivave dhe politikave të kërkuara nga Bashkimi Europian dhe ta bëjë më të vështirë përmbushjen e objektivave të nevojshëm, sipas delegacionit të BE në Tiranë.

Në përgjigje të pyetjeve të Exit News, delegacioni vuri në dukje se Shqipëria duhet të shpenzojë më shumë se 500 milion euro për të zbatuar një sistem të menaxhimit të mbetjeve që është në përputhje me standardet e BE. Duke investuar në inceneratorë që është niveli më i ulët të hierarkisë për menaxhimin e mbetjeve në BE, d.m.th. jo e pëlqyeshme, kjo mund të dëmtojë pajtueshmërinë e Shqipërisë me atë që pritet prej saj nga BE-ja.

“Masterplani i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve 2018-2032 i Shqipërisë tregon do të duhen më shumë se €500 milion për të zbatuar një sistem të integruar të menaxhimit të mbetjeve në standardet e BE-së.

Investimi në nivelet më të ulëta të hierarkisë së mbetjeve të BE-së mund të vonojë zbatimin e Direktivave Kuadër për Mbetjet dhe politikat e saj si dhe e bëjnë më të vështirë arritjen e synimeve të BE-së për riciklimin .”

BE gjithashtu vuri në dukje se prania e landfilleve dhe vendeve të grumbullimit të plehrave nën standard është problem:

“Mbyllja e landfilleve dhe vend-grumbullimit të plehrave të shumta jashtë standartit, mbetet një sfidë. Grumbullimi i veçantë i llojeve të mbetjeve dhe mekanizmat ekonomik për të promovuar riciklimin dhe ripërdorimin si dhe për të parandaluar gjenerimin e mbeturinave mbeten të kufizuara.”

Delegacioni gjithashtu vuri në dukje se çështja e inceneratorëve u theksua në Raport Progresin e publikuar gjatë këtij muaji. Raporti tha se jo vetëm që “mbyllja e landfilleve dhe vend-grumbullimeve të shumta jashtë standartit” është një “sfidë”, por se ekziston një sasi e kufizuar opsionesh alternative për asgjësimin dhe riciklimin e mbetjeve.

Për më tepër, delegacioni shtoi se ndërtimi i inceneratorëve është shqetësues.

“Ndërtimi i inceneratorëve të rinj është shqetësues në drejtim të pajtueshmërisë me legjislacionin e BE-së për mbetjet, duke përfshirë parimin e hierarkisë së mbeturinave dhe qëllimin e riciklimit. Rolet dhe funksioni i institucioneve ligjzbatuese duhet të qartësohen dhe forcohen.”

Delegacioni shpjegoi se qasja e Sindikatave Evropiane për menaxhimin e mbeturinave është një hierarki që vendos prioritete për parandalimin, ripërdorimin, riciklimin, rikuperimin dhe në fund asgjësimin (përfshirë landfillet dhe djegiet pa çlirim energjie). Me landfillet dhe inceneratorët në fund të hierarkisë, shtetet duhet të përqendrohen në riciklimin, zvogëlimin dhe në vend të tyre t’i ripërdorin.

Paketa e ekonomisë e miratuar nga KE në mars të këtij viti përcakton disa propozime legjislative për të stimuluar tranzicionin e Evropës drejt një ekonomie qarkulluese. Ajo vendos objektiva të qarta për zvogëlimin e mbeturinave, menaxhimin e mbeturinave dhe riciklimin.

Në paketë përfshihen:

65% e mbetjeve të bashkive të riciklohen deri në vitin 2030;
75% e mbetjeve të paketimit që do të riciklohen deri në vitin 2030;
Reduktimi i asgjësimit të landfilleve në 10% deri në 2030;
Ndalimi i grumbullimit të mbeturinave të mbledhura veçmas;
Promovimi i instrumentit ekonomik për të dekurajuar grumbullimin;
Nxitjet ekonomike për prodhuesit për të nxjerrë produkte ekologjike në treg.

Shifrat e fundit nga INSTAT tregojnë se Shqipëria depoziton 80% të mbetjeve shtëpiake në landfill. Më pak se 18% riciklohet dhe më pak se 1% digjet. Pavarësisht kësaj, qeveria po paguan miliona për koncesione për inceneratorët ndaj një kompani private.

Me anë të këtyre koncesioneve, qeveria do të paguajë para ndaj privatit edhe nëse nuk ka mbetje të mjaftueshme për të djegur. Dy nga tre inceneratorët nuk janë ndërtuar por po përfitojnë nga paratë e shtetit sipas kësaj klauzole ndërsa i treti nuk po funksionon me kapacitet sepse ata pretendojnë se nuk ka mbetje të mjaftueshme për të djegur.

Në fakt, sasia e mbeturinave që riciklohen po zvogëlohet në vend që të rritet. Grumbullimet në Landfill pothuajse janë dyfishuar midis 2013 dhe 2019.

Nëse qeveria shqiptare vazhdon të shtyjë inceneratorët në vend, ata duhet t’i përmbahen legjislacionit kombëtar dhe të BE për mbrojtjen e mjedisit. Kjo përfshin monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ajrit, tokës dhe ndotjes së ujit. Delegacioni shtoi se “konsultimet publike për projektet duhet të garantohen”.

Sot, Kryeministri Edi Rama premtoi se së shpejti qeveria do të ndërtojë një fabrikë riciklimi në Landfillin e Sharrës. /exitenerator.al



2 Comments

  1. Po pse ta marrin te pandehur Lulzimen?? Cfare ka bere ai me shume se te tjeret??

    I thane vidh dhe ai vodhi. I thane vrit dhe ai vrau. A ka vajze me te bindshme dhe me pa pretendime se Lulzimja??
    Apo doni te beni pergjegjes ate, per gjithcka te keqe qe ndodh ne kete vend,,,per paaftesine e shqiptareve per tu organizuar dhe per ti dale zot vetes dhe shtetit te tyre.
    Ne ate Europen ku duam te shkojme ne,,,,nese dikush vret dhe vjedh si Lulzimja me babin e tij shpirteror,,,,digjet vendi dhe ngrihet ne kembe i madh dhe i vogel, derisa dera e burgut te mbylle brenda kriminelet.
    Nuk e ka fajin Lulzimja qe shqiptaret jane si delet dhe mbajne mbi krye pacavure dhe karikatura te tilla.!!
    Vazhdo vidh dhe vrit,,, moj tu befsha. Me shqiptaret, nuk te hyn nje gjemb nderkembe. Ata jane te zene me pune te tjera si psh vrasin vellane apo babane per nje vije uji apo per nje gardh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *