• |
ide | kryesore

Basha: Te inceneratorët është futur mafia, SPAK të mos heshtë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjatë një bisede në Euronews Albania kreu i PD-së, Lulzim Basha tregoi se si kriza e pandemisë çoi tek afera mafioze e inceneratorëve. Sipas Bashës Partia Demokratike po nxit drejtësinë të bëjë detyrën, sepse nuk e ka bërë.

“Natyrisht që (SPAK) mund dhe duhet të përgjigjet. Është detyrë e çdo institucioni të bëjë transparencën para shqiptarëve, edhe më shumë kur bëhet fjalë për diçka që sot rëndon shëndetin dhe jetën e shqiptarëve. Sepse nuk kemi ardhur rastësisht tek inceneratorët.

Nuk është se na u tek të fillonim ne të merreshim me aferën e inceneratorëve. Për më shumë se tre javë, që para se të niste ajo që duket që është një shpërthim i dytë i pandemisë, unë, Partia Demokratike i kemi kërkuar qeverisë të marrë masa. Kemi nxjerre një plan me 5 pika. Ky plan natyrisht kushton lekë dhe ne kemi treguar se ku t’i marrin këto lekë.

Çfarë shohim? Shohim thesarin e shtetit që javë për javë ka pagesa për koncesione korruptive ku bie në sy pagesa për të ashtuquajturit inceneratorët apo djegës të plehrave dhe kjo na ka sjellë në mënyrë të natyrshme te denoncimi i kësaj afere edhe para dy ditësh ndërkohë që përfaqësuesit tanë çonin kallëzimin për inceneratorin e Elbasanit këta i paguan 300 milionë lekë inceneratorit të Elbasanit” – tha Basha që më pas shprehu pakënaqësi për mënyrën se si SPAK po e trajton këtë çështje.

“Është koha që drejtësia të veprojë. Ne i kemi dëgjuar institucionet e drejtësisë të bëjnë konferenca për shtyp, të njoftojnë se në çfarë stadi janë hetimet, të thërrasin të dyshuarit kryesorë. Ka dhënë ndonjë informacion SPAK-u, qoftë edhe sot se sa prokurorë janë caktuar në këtë çështje shumë komplekse? Sa prokurorë janë caktuar? Sa policë gjyqësorë?

Ka vetëm një prokuror të ngarkuar me 3 afera që u kushtojnë shqiptarëve 75 milionë euro dhe vazhdojnë t’i kushtojnë javë për javë dhe nuk ka asnjë veprim real hetimor. Ky është shqetësimi ynë, sepse SPAK-u u ndërtua, u aprovua edhe me votat tona, jo për të mbrojtur por për të ndëshkuar politikanët e korruptuar dhe krimin e organizuar dhe në këtë aferë sikundër në të gjitha aferat” – tha Basha që shtoi se në këtë aferë ka politikanë, por edhe mafia.

“Në këtë aferë janë përzierë edhe politikanët e korruptuar, edhe krimi i organizuar. Prandaj SPAK-u vetë, ekzistenca e SPAK-ut, arsyeja e ekzistencës së SPAK-ut, është hetimi me shpejtësi dhe me transparencë dhe vënia para përgjegjësisë e atyre që në kohë pandemie i çojnë në duart e mafies” – e mbylli Basha. ©LAPSI.al



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *