• |
ide | kryesore

Kosovë/ Vjedhja e 2 milionë eurove, një muaj paraburgim për pronarin ku u transferuan paratë

-Instant, Lajme, Të fundit



Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për të pandehurin Kujtim Shala, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale, pastrim i parave. Kujtim Shala, i cili është vetëdorëzuar një ditë më parë, besohet se është pronar i kompanisë LDA Group, ku punonjësi i Thesarit të Kosovës, Labinot Gruda, përmes katër transferimeve, ka dërguar mbi 2 milionë euro.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës gjeti se kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit është e bazuar dhe paraburgimi i është caktuar në bazë të nenit 187”, është thënë në njoftimin për media të kësaj Gjykate. Aty është thënë se masa e paraburgimit është caktuar, meqë i dyshuari mund të arratiset me qëllime të shmangies së përgjegjësisë penale. Përveç të dyshuarit me inicialet, K.Sh, Policia e Kosovës ka thënë se edhe pronari tjetër i kompanisë LDA Group, me inicialet, V.Sh është i dyshuar, por është në arrati. Përndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 22 tetor, i ka caktuar edhe Labinot Grudës masën e paraburgimit prej një muaji.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *