• |
ide | kryesore

“Ju flet Londra”/ Shqiptarët numërojnë kostot e jetës ilegale në Mbretërinë e Bashkuar

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Kur ishte 14 vjeç, nëntë nga shokët e klasës të Besi Handrojit ishin larguar nga shtëpitë e tyre në rajonin verior të Pukës për të shkuar në në Mbretërinë e Bashkuar.

Në vitin 2014, në moshën 15-vjeçare, Handroj vendosi t’i bashkohej, duke ëndërruar një xhiro në “London Eye”, një karrierë e cila do t’i mundësonte të ndihmonte prindërit e tij të papunë dhe që motrat e tij të arsimoheshin.

Në përpjekjen e tij të parë, familja e Handrojit pagoi 1,500 euro për të marrë një ID të rremë nga Rumania, anëtare e Bashkimit Europian. ID mbante emrin “Nikolas”. Handroj u nis për në Itali ku ai planifiktë të merrte avionin nga Milano për në Londër, por policia kufitare italiane e ktheu atë pasi përshkak se ishte minoren.

Për përpjekjen e dytë, një javë më vonë, Handroj mori autobusin për në Greqinë fqinje dhe nga aty u nis për në Francë me tren. Atje, me ndihmën e “djemve” që i siguruan më parë ID-në e rreme, Handroj u bashkua me një grua shqiptare dhe fëmijën e saj në një traget për në Britani. Por, kur fëmija filloi të fliste me zë të lart në shqip, policia në anije i kontrolloi dokumentet dhe i ktheu ata mbrapsht në Francë.

Për Handrojin ishte rasti i të tretës të vërtetës. Pasi doli fshehurazi nga një qendër emigrantësh në Francë, ai kaloi ditë të tëra duke fjetur nëpër parqe, para se të shkonte për në Belgjikë, ku disa miq të xhaxhait të tij e ndihmuan atë të hipte në një të ashtuquajtur “kamion të sigurt” me 25 shqiptarë të tjerë. Pas 10 orësh rrugë, ata ja dolën të mbërrinin në Mbretërinë e Bashkuar. Udhëtimi i kushtoi familjes Handroj 5,500 paund.

“Nuk mbaj mend shumë nga udhëtimi, sepse pjesën më të madhe të kohës kam fjetur”, – tha ai. “Ishte shumë ftohtë, rreth dy ose tre gradë Celsius, merret me mënd fund shkurti. Por mbaj mend se si disa të rritur u bërtisnin fëmijëve brenda në kamion, që të mos bënin zhurmë pasi mund të na kapnin. Të gjithë ishin të shoqëruar nga ndonjë i afërm ose ndonjë shok. Unë isha i vetëm, dhe isha vetëm 15 vjeç.”

Gjashtë vjet më vonë, tani më 22 vjeç, Handroj mban statusin e refugjatit, bazuar, siç rrëfen ai, në pretendimin se në Shqipëri atij i kërcënohet jeta për shkak të borxheve të të atit.

Sot, ai fiton rreth 120 paund në ditë si hidraulik, afërsisht sa paga minimale mujore në Shqipëri. Dhe tashmë ka ndihmuar edhe vëllain e tij të madh, Gertin, që t’i bashkohet në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, kur e pyet nëse do ta ndërrmerte sërish këtë rrugëtim, Handroj u përgjigj:

“Jo, kurrë. Nuk ja ka vlejtur, sepse më është dashur të jetoj me një lloj familjeje kujdestare që nuk më ka trajtuar mirë. Më është dashur duhej të punoja nga ora 08:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 në ndërtim për 50 paund në ditë kur isha vetëm 16 vjeç, dhe për pesë paund e gjysmë në orë si mbledhës gotash gjatë natës, në një bar për pesë vjet me rradh.”

“Më është dashur të përballem me shumë telashe dhe gjatë gjithë kësaj kohe isha vetëm. Kjo besoj se më ka ndryshuar përgjithmonë. Madje, tani më nuk e di as se ç‘lloj marrëdhënieje kam me familjen time.”

Historia e Handrojit nuk është unike. Shqipëria renditet rregullisht cdo vit, në pesë vendet e para përsa i takon numrit të azilkërkuesve në Mbretërinë e Bashkuar, në krah të vendeve si Irani, Iraku, Pakistani dhe Eritrea, po ashtu dhe numri i të miturve shqiptarë që mbërrijnë në Britani të pashoqëruar, si rasti i Handroj, vijon në shkallë rritetëse.

U deshën vite që Handroj të mund të ngrihej në këmbë. Shumë të tjerë nuk ja dalin. Fakti që konsiderohen emigrantë të paligjshëm si dhe mosha e tyre delikatem, i kthen këta të rinj në të rrezikuar nga shfrytëzimi për skllavëri dhe prostitucion.

Nga ana tjetër shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të të huajve në burgjet në Angli dhe Uells, afërsisht 10 për qind e më shumë se 9,200 shtetasve të huaj, po ashtu shqiptarët janë viktimat më të zakonshme të skllavërisë moderne në Mbretërinë e Bashkuar, sipas statistikave zyrtare.

“Pasi arrijnë moshën madhore dhe leja e tyre e qëndrimit në përgjithësi refuzohet, disa prej tyre kthehen në vendin e tyre të origjinës, ndërsa të tjërë zhduken nga sistemi, duke iu bashkuar kontingjentit të emigrantëve të paligjshëm”, tha Naim Hasani, avokat në Mbretërinë e Bashkuar me origjinë nga Shqipëria dhe i specializuar në cështjet e emigracionit, azilit dhe të drejtave të njeriut.

“Një problem i madh është përdorimi i fëmijëve dhe të rinjve nga elementë kriminalë për arsye të ndryshme trafikimi, duke i detyruar ata të punojnë si skllevër ose për prostitucion.”

Dëshira e madhe për t’u larguar

Tre dekada pas rënies së diktaturës staliniste të Enver Hoxhës dhe hapjes së kufijve të Shqipërisë, rreth 60 për qind e popullsisë së të rriturve në vendit thonë se duan të largohen, referuar një sondazhi të Gallup të botuar në dhjetor 2018.

Në qershor, rreth 49 për qind e shqiptarëve thanë se ishin në proces të përgatitjes së dokumenteve për të, sipas sondazhit të Barometrit Ballkanik të kryer nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal i Europës Juglindore.

“Duke folur përafërsisht, të rinjtë largohen sepse kanë humbur shpresën se do të jenë në gjendje të sigurojnë një të ardhme më të mirë për veten e tyre në vendin e tyre”, tha sociologu dhe profesori shqiptar Ergys Mërtiri.

“Ata përballen me vështirësi për të gjetur punë, standarde të ulëta jetese dhe mungesë perspektive dhe sigurie për të ardhmen”, tha Mërtiri për BIRN. “Shumë prej tyre largohen sepse gjykojnë se puna, aftësitë, njohuritë ose arsimimi i tyre nuk vlerësohen sa duhet në Shqipëri. Çdo ditë ata përballen me mungesë drejtësie në punësim, nepotizëm, etj, gjë që i bën ata të ndihen të pasigurt.”

Sidomos shqetësues është emigrimi i shqiptarëve të mirë arsimuar – fenomeni i njohur si “largimi i trurit”. Tridhjetë e dy për qind e shqiptarëve në këtë kategori thonë se duan të largohen.

“Ekziston një kategori shumë e çmuar që emigron, pasi ata nuk e vlerësojnë arsimin shqiptar”, tha Mërtiri.

“Kjo ka të bëjë kryesisht me studentë të mirë, por edhe shumë prej atyre që kanë prindër me një nivel të mirë të ardhurash. Ata duan një arsim të mirë, të cilin ky vend nuk e ofron, kështu që përpiqen që këtë gjë ta gjejnë jashtë. Por, sigurisht, shumica e tyre nuk kthehen më.”

Duke qenë se Britania e Madhe nuk është pjesë e zonës Shengen, qytetarët shqiptarë nuk mund ta vizitojnë atë pa u pajisur me një vizë. Megjithatë, shumë prej tyre tërhiqen nga perspektiva e një page të mirë, standarde më të larta jetese dhe fakti që pengesa gjuhësore nuk është aq e madhe, duke pasur parasysh që shumica e shqiptarëve mësojnë anglisht në shkollë. Vitet e fundit shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar kanë shfaqur një tendencë, për të postuar në rrjetet sociale fotografi që tregojnë një lloj luksi intrigues.

Deni Muça ishte aq i vendosur të mbërrinte në Mbretërinë e Bashkuar, saqë e provoi 24 herë brenda dy muajve, në 2015, të kalonte kufirin dhe porte në Spanjë, Francë dhe Holandë, por pa sukses.

Muça, nga fshati Picar, pranë Tiranës, tha për BIRN se ai dhe një kushëri i tij provuan gjithçka, që nga ftutja fshehurazi në rulota pushimesh e deri te fshehja nëpër kamionë, duke shpenzuar më shumë se 5,000 euro gjatë këtyre përpjekjeve dhe u gjobitur me më shumë se 7,000 eurosh nga policia kufitare.

Në Bilbao, Spanjë, Muça kujton se në port pikasi një makinë me targa angleze. Ai hyri në bagazhin e saj, duke besuar se makina ishte gati të hipte në tragetin që nisej për në Angli. “Qëndrova aty për dy ditë, shtrirë. Nuk e dija nëse isha zgjuar apo në gjumë. Kam ngrënë vetëm disa biskota. Nuk lëviza fare.” As makina nuk lëvizi. Kur pronarët u kthyen, ata vunë re që xhamat e makinës ishin me avull dhe lajmëruan policinë.

I tronditur nga kjo përvojë, Muça tani po punon si saldator dhe ende po përpiqet të kursejë 20,000 euro për të paguar kontrabandues me përvojë që ta çojnë atë më në fund në Mbretërinë e Bashkuar.

Zgjidh një itinerar

Përmes intervistave me shqiptarë që kanë hyrë në mënyrë të jashtëligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, BIRN ka identifikuar gjashtë rrugë kryesore:

Nga Calais për në Dover me kamion: Xhoni Smaka, nga qyteti verior i Kukësit, kufirit me Kosovën, e mori këtë rrugë në vitin 2013 kur ishte vetëm 14 vjeç. “Ishte ora katër e mëngjesit kur hipa në kamion”, tha ai. “Isha me kushëririn tim. Rruga zgjati rreth katër orë. Sapo mora një SMS në celularin tim që thoshte ‘Mirë se erdhët në Mbretërinë e Bashkuar’, çamë mbulesën e kamionit dhe u hodhëm ndërsa ai ishte ende në lëvizje, duke mos e ditur fare se ku ishim.” Kjo rrugë aktualisht kushton rreth 17,000 paund, sipas kontrabandistëve me të cilët kontaktoi BIRN.

Me kamion nga Holanda: Shqiptarët zakonisht hipin në kamionë në portin Hoek van Holland afër Detit të Veriut dhe udhëtojnë për në Mbretërinë e Bashkuar me traget.

Me kamion nga Belgjika: Sipas policisë federale belge, zona e Gentit midis Brukselit është një pikë kryesore ku kontrabandistët futin emigrantët nëpër kamionë që shkojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Ani Karaja tha për BIRN se ai pagoi 8,000 paund për të marrë këtë rrugë në 2017. Policia belge thotë se çmimi tani shkon në 15,000 euro, ose pak më shumë se 13,000 paund.

Me traget nga Spanja: Burime thanë për BIRN se rruga nga Bilbao për në Portsmouth që operohet nga Brittany Ferries është njohur sidomos për emigrantët shqiptarë.

Me avion nga Italia ose Greqia: Kjo rrugë është një opsion vetëm për shqiptarët që mund të sigurojnë dokumente false, më shpesh italiane. Marjo Sota i tha BIRN se ai udhëtoi për në Bergamo në Italinë veriore me pasaportën e tij shqiptare dhe bleu dy bileta, një për në Tiranë, Shqipëri, dhe një tjetër për në Londër, të cilat niseshin në orare të ngjashme. “E kalova kontrollin e policisë dhe të gjitha kontrollet e tjera me pasaportën time të vërtetë. Pastaj, pak para se të shkoja te porta, shkova në tualet dhe hoqa qafe biletën time shqiptare dhe fsheha pasaportën time të vërtetë”, tha ai. Pastaj ai u drejtua drejt portës për në fluturimin në Londër. “Isha me fat që zonja që kontrolloi dokumentet e mia para se të hipja në avion nuk më foli italisht. Kur arrita në aeroportin Gatëick në Mbretërinë e Bashkuar, ata kontrolluan ID-në time false dhe më kërkuan mjet identifikimi shtesë. Për fat të mirë, kisha përgatitur një patentë false me të njëjtin emër. Arrita në Mbretërinë e Bashkuar duke shpenzuar më pak se 1,000 euro.”

Nga Italia për në Mbretërinë e Bashkuar nëpërmjet Dublinit: Në vitin 2018, The Independent raportoi se kontrabandistët po “abuzonin me kontrollet e buta kufitare të Irlandës” midis Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar për të futur njerëz në Mbretërinë e Bashkuar, duke cituar Agjencinë Kombëtare të Krimit.

Pasi mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, disa rrezikojnë të kalojnë gjashtë deri në 18 muaj në burg për hyrje në vend me dokumente të falsifikuara. Të tjerë, sipas avokatit Hasani, zgjedhin rrugë të ndryshme për të bërë dokumente të ligjshme, por asnjëra prej tyre nuk është e shpejtë.

Duke cituar shifrat e autoritetit të emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Hasani tha se shumë gra shqiptare kërkojnë azil si viktima të trafikimit ose dhunës në familje. Disa shqiptarë aplikojnë me arsyetimin se po largohen për shkak të gjakmarrjes ose persekutimit për shkak të seksualitetit të tyre, ndërsa të tjerët përpiqen të marrin leje qëndrimi duke u martuar me ndonjë shtetas britanik ose të BE-së.

Vëllai i Handrojit, Gerti, po përiqet të arrij këtë të fundit.

24-vjeçari pagoi 8,000 paund për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar me kamion bashkë me tre shqiptarë të tjerë dhe tetë shtetas kinezë.

“Isha i vendosur. Do të shkoja patjetër në Londër”, tha ai. “Në Shqipëri do të kthehesha vetëm i vdekur.”

Katër vjet më vonë, ai është ende një emigrant i paligjshëm, pa mundësinë për të hapur një llogari bankare, me pamundësinë të marrë me qira një shtëpi ose të hipë në një tren pa u shqetësuar se do ta kapin oficerët e emigracionit. Ai ka bërë punë të ndryshme me pagesa të ulët, duke filluar nga 14 orë në ditë në lavazh për 42 paund e deri tek punët të rënda krahu.

“E vetmja mënyrë që të mund të bëhem i ligjshëm, është të martohem me një vajzë që ka pasaportë britanike ose europiane”, tha ai, “që të mund të bëhem më në fund me dokumente.” /BIRN



1 Comment

  1. Po paguhet nje shume e tille per te ardhur ne UK vetem e vetem per nje qellim.

    Per te vaditur e rritur ” lule shtepiake ” me shpresen qe leket e rruges nxirem per 3 muaj. Dikujt i ecen e ben lek e dikujt jo e mbytet ne borxh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *