• |
ide | kryesore

Vetëvendosje: Marrëveshja e fshehtë që po bën Rama për detin me Greqinë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Shqipëri organizoi një konferencë të jashtëzakonshme për media për të denoncuar sipas saj “pazaret dhe marrëveshjen e fshehtë për Detin Jon”. Elvis Hoxha, përfaqësues i kësaj lëvizjeje tha se gjithnjë ne marrim vesh rreziqet ndaj sovranitetit të Republikës së Shqipërisë nga mediat e huaja. Ai solli në vëmendje një deklaratë të bërë nga kryeministri grek në parlamentin e tij në 25 tetor ku u fol sipas Hoxhës “për dhuratat që i bën qeveria e Shqipërisë shtetit grek”.

“Në po të njëjtën ditë, ministri i jashtëm konfirmoi nga një foltore tjetër ato që tha kryeministri i tij. Ndërsa dje, erdhi një informacion i ri nga gazeta greke Protothema. Kjo gazetë na mësoi se negociatat, përkundër asaj që deklaron kryeministri shqiptar, z. Rama, kanë 6 muaj që vijojnë. Madje gazeta na thotë se janë në dijeni të ecurisë dhe rezultateve të tyre edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Meta, si dhe kryetari i PD-së, z. Basha. Kështu që kuptojmë se deklarimi më i hershëm i Micotaqisit, në parlamentin grek, për shtrirje të Greqisë deri në 12 md, paska qenë i mbështetur në negociata 6 mujore me palën shqiptare. Në bazë të çka thamë më sipër, kemi të drejtën ta quajmë marrëveshjen që rrjedh prej këtyre negociatave, një MARRËVESHJE TË FSHEHTË – tha Hoxha.

 

Ndërsa Boiken Abazi tha se këto që po ndodhin me Detin Jon nuk janë negociata, por pazare për pushtet, në kurriz të territorit të shtetit shqiptar.

“Rrezikojmë të na përsëritet historia si në vitin 2009, ku 2 muaj para zgjedhjeve u nënshkrua një marrëveshje nga e cila humbëm 350 km katrorë. Ajo marrëveshje antikombëtare u ndal nga vendimi i drejtë i Gjykatës Kushtetuese, por sot jemi në mes të pandemisë dhe pa Gjykatë Kushtetuese” – tha Abazi.

“Le ta theksojmë se Greqia nuk e ka të drejtën për t’u zgjeruar automatikisht nga 6 në 12 md, sepse prek ujërat territorialë dhe Zonën Ekskluzive Ekonomike që i takon Shqipërisë. Problemi madhor qëndron te fakti se kemi një qeveri që me deklarata ia ka mbështetur publikisht Greqisë pretendimin për këtë ekspansion, duke hequr dorë nga e drejta e kontestimit. Tani kemi kuptuar që mbrapa deklaratave antikombëtare të Qeverisë Rama paska pasur një marrëveshje të fshehtë” – nënvizoi ndër të tjera Abazi.

Ai solli në vëmdnje edhe paragrafin 4.10 të ankesës së dorëzuar nga PS-ja në Gjykatën Kushtetuese kundër marrëveshjes së vitit 2009.

“Negocimi dhe hartimi i marrëveshjes është kryer në fshehtësi dhe në mungesë të transparencës. Qeveria ka detyrimin të bëjë publike të gjitha çështjet, të cilat kanë interes, sidomos ato lidhur me kufijtë e vendit dhe territorit të shtetit. Ky është një detyrim që rrjedh edhe nga neni 23 i Kushtetutës që garanton të drejtën e informimit. Nga ana e qeverisë nuk ka pasur vullnet për të dhënë sqarime edhe kur u shfaq interesi i publikut për t’u informuar më shumë mbi këtë marrëveshje.” Sot që është në pushtet, Qeveria Rama dhe partia e tij socialiste i kanë harruar ato fjalë” – tha Abazi.

4 janë pikat që propozon Vetëvendosje për këtë çështje.

“1. Shqipëria duhet të tërhiqet menjëherë nga çdo marrëveshje e fshehtë, e miratuar në parim ose jo, me Greqinë. Marrëveshjet e fshehta jane të paligjshme sipas Nenit 102 të Kartës së OKB-së. Qeveria Rama duhet të bëjë transparencë të plotë, ose të përgënjeshtrojë menjëherë KM Micotaqis, Ministrin e Jashtëm Dendias dhe gazetën “Protothema”. Njëkohësisht, në lidhje me këtë marrëveshje të fshehtë, kërkojmë që Presidenti i Republikës dhe kryetari i PD-së të distancohen menjëherë dhe publikisht prej saj.

2. Shqipëria duhet t’i dorëzojë Greqisë një notë protestë ndaj ekspansionit grabitqar nga 6 në 12 md në Detin Jon, duke e paralajmëruar Greqinë se do ta kontestojë këtë akt sipas të drejtës ndërkombëtare.

3. Nëse Greqia vepron njëanshëm dhe e depoziton në OKB ekspansionin nga 6 në 12 milje detare, atëherë Shqipëria duhet menjëherë të depozitojë në të njëjtin vend kontenstimin zyrtar.

4. Shqipëria duhet të refuzojë Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) pas ekspansionit grek. Në GjND Shqipëria nuk e ka të drejtën të kontestojë zgjerimin e ujërave territorial grek, sepse në GjND nuk lejohet të trajtohen çështje për të cilat nuk bien dakord paraprakisht të dyja palët. Greqia e ka bërë të qartë se në GjND do të trajtojë me Shqipërinë vetëm zonat ekonomike dhe shelfin kontinental pas ekspansionit nga 6 në 12 md. Shqipëria ka vetëm një mundësi për ta mbrojtur territorin me ligj ndërkombëtar: aktivizimin e Aneksin 5 të Konventës mbi të Drejtën e Detit. Përmes Aneksit 5, Shqipëria gëzon të drejtën ta konstestojë në një tjetër Gjykatë ekspansionin e Greqisë, edhe nëse Greqia nuk është dakord. Negociatat për shelfin kontinental dhe zonën ekskluzive ekonomike nuk mund të nisin, dhe nuk duhet të çohen në asnjë gjykatë, pa kontestuar një herë ekspansionin grek në Detin Jon” – thuhet ndër të tjera në deklaratën e Vetëvendosjes, qendra në Shqipëri. ©LAPSI.al

 



3 Comments

  1. Mire kali ngordhi po s’te lene rehat as mizat. Po keta per cfare e bejne kete konference? Apo ti bashkangjisin nje pike tjeter planit te Bashe-s

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *