• |
ide | kryesore

Vettingu/ Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e prokurores së Durrësit

Arkiva, Lajme, Të fundit

Prokurorja e Durrësit Enkeleda Osmani (Xhengo) pritet të përballet me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pasi vendimi për konfirmimin e saj në shkallën e parë të procesit të vetingut u ankimua nga komisioneri publik Florian Ballhysa.


Në dokumentin e ankimimit, Ballhysa kërkon nga KPA të rivlerësojë punën e KPK dhe të shkarkojë subjektin, e cila, sipas tij, “nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”.


Osmani (Xhengo) mori konfirmimin në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik, pasi arriti të bindë trupën gjykuese se bashkëshorti i saj nuk ishte përgjegjës për të ardhurat nga punësimi në kompani private, të cilat nuk rezultonin me dokumentacion se kishin paguar tatim të mbajtur në burim apo kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Osmani (Xhengo) deklaroi në veting pronësinë familjare mbi një apartament në Golem, një apartament 112 metra katrorë në Kashar/Tiranë, me vlerë 50 mijë euro blerë në vitin 2006, një llogari kursimi me vlerë 2 milionë lekë dhe dy automjete modeste, të cilat i ka blerë përmes kursimeve dhe huave e dhuratave nga personat e lidhur.

Por komisioneri publik argumenton se “gjatë hetimit administrativ të Komisionit, nuk janë administruar akte të cilat të provojnë ekzistencën e burimit të të ardhurave”.

“Rezulton, po ashtu, se është provuar që nuk janë paguar të plota detyrimet tatimore dhe sigurimet shoqërore për një pjesë të të ardhurave të deklaruara nga pagat e bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit, ndërkohë, për një pjesë të tyre, detyrimet tatimore janë paguar gjatë procesit të rivlerësimit,” thuhet më tej në ankimim.

Sipas komisionerit vlerësimi i komisionit për ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit të prokurores nga punësimi në privat është i pabazë dhe nuk reflekton jurispudencën e KPA.

Për këto arsye, komisioneri kërkon ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe shkarkimin e prokurores Osmani (Xhengo) nga detyra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu