• |
ide | kryesore

Futbolli nis sot në orën 14, Presidenti Duka jep mesazhin e tij për skuadrat

-Instant, F1, Sport

Në orën 14.00 të ditës së sotme nis rrugëtimin edhe sezoni i ri futbollistik 2020-21 në Shqipëri, pas një bojkoti që e shtyu startin e tij nga mesi i shtatorit në fillim të nëntorit. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka përshëndetur nisjen e edicionit të ri futbollistik përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale. Numri 1 i futbollit ka shprehur kënaqësinë e tij për nisjen e kampionatit si edhe u ka uruar suksese të gjitha skuadrave që marrin pjesë këtë sezon.


Presidenti Duka theksoi rëndësinë e zbatimit të protokolleve shëndetësore të imponuara nga pandemia COVID-19 gjatë ndeshjeve, ndërsa është i bindur se marrëveshja që klubet e Kategorisë Superiore bënë me qeverinë në fund të bojkotit, do të përmirësojë kuadrin ligjor dhe do t’i japë një të ardhme më të mirë sportit dhe brezave që do të vijnë.


MESAZHI I PLOTË I PRESIDENTIT DUKA

Të nderuar futbollistë, trajnerë, drejtues klubesh dhe stafe organizative!
Të nderuar gjyqtarë, delegatë e vëzhgues!
Të dashur tifozë!

Jam shumë i lumtur për nisjen e edicionit të ri futbollistik 2020-2021! Më në fund të gjithë sportdashësit do të mund të shohin futbollin e luajtur pas një periudhë vërtetë të vështirë e plot peripeci për vendin.
Si kurrë më parë do të kemi një edicion në mesin e një pandemie, që ka pllakosur globin dhe ka krijuar vështirësi të mëdha për të gjithë shoqërinë. Ndeshjet do zhvillohen duke u bazuar në protokollet strikte shëndetësore dhe në rregullat e distancimit social. Sepse shëndeti vjen i pari dhe ne e kemi treguar edhe pas rifillimit të kampionatit se mund ta menaxhojmë fare mirë situatën duke ndjekur rregullat.

Starti i këtij edicioni futbollistik është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit. Përveç pandemisë, ky fillim edicioni u shoqërua edhe me bojkotin e kampionatit nga Liga Profesioniste e Futbollit. Ata i drejtuan qeverisë katër kërkesa të drejta. Kërkesa që kishin në thelb krijimin e një shtrati të duhur ligjor për të formalizuar futbollin dhe për të krijuar një mbështetje më të madhe për ecurinë e futbollit në të ardhmen dhe në përgjithësi për të gjithë sportin. Edhe pse personalisht, kam qenë kundër bojkotit, koha tregoi se lëvizja e klubeve ia arriti qëllimit, duke bërë që zëri i futbollit të dëgjohet, në opinionin publik dhe atje ku duhet. Përkundër paragjykimeve dhe opinioneve të “përbaltuesve të përjetshëm”, futbolli tregoi qytetari dhe ndërgjegje.
Ne kemi marrë një premtim nga Kryeministri për zgjidhjen e problemit. Dhe tashmë shohim dritë në fund të tunelit. Presidentët dhe futbollistët, vlerësuan dhe respektuan sakrificat e futbollistëve për të pranuar një zgjidhje që do të jetë nisja e rrugës drejt ripërtëritjes dhe ecjes përpara.

Jam shpresëplotë se jemi në rrugë të mbarë për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për t’i dhënë një të ardhme më të mirë sportit dhe brezave që do të vijnë.

E ndërkohë klubet nuk kanë humbur kohë, por prej gati dy muajsh futbollistët, stafet teknike, trajnerët, menaxherët e drejtuesit, kanë punuar intensivisht për të përgatitur sa më mirë këtë start të ri. Janë përgatitur me qëllimin për të bërë një paraqitje sa më të mirë dhe për të arritur objektivat e tyre.

Sot nis një rrugë e gjatë, por e sigurt që do të jetë një rrugë e bukur, mbushur me emocione e ngjarje që do të mbeten në histori.

Keqardhja më e madhe e imja, është që për momentin nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume. Uroj që shumë shpejt situata pandemike të përmirësohet dhe tifozët të kthehen në stadiume, qoftë edhe pjesërisht, për të mbështetur skuadrat e tyre të zemrës.

Të dashur miq! Unë uroj që ky edicion futbollistik të jetë sa më i bukur dhe i luftuar, e të dhurojë spektakël dhe emocione. Të mos harrojmë se fryma e “Fair Play”, duhet të mbizotërojë në të gjitha ndeshjet. Mbi të gjitha, do të uroja që ky kampionat të prodhojë sa më shumë talente, që janë e ardhmja e futbollit shqiptar. Ndihem mirë të konstatoj se në edicionet e fundit niveli i lojës ka ardhur duke i rritur dhe elementët e talentuar janë shtuar.
Edhe një herë, urimet e mia më të mira për nisjen e edicionit të ri futbollistik dhe suksese në realizimin e objektivave!

https://www.facebook.com/PresidentiFutbollitShqiptare/posts/3315690135208194

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu