• |
ide | kryesore

Arlind Qorri: Trishtimi i klasave bosh në ditën e parë të shkollës

-Instant, Arkiva, Blog



Unë nuk jam i zoti t’i jap përgjigje pyetjes nëse mësimi duhej filluar në auditorë ose jo, por si shumëkush di të them se ne sot nuk kemi mjedise universitare të mjaftueshme për mësim të rregullt për shkak të një mënyre qeverisjeje që prej dekadash i ka parë universitetet si stacione të flakjes së një rinie të lënë pa perspektivë, të cilës kanë bërë çmos që t’ia heqin ëndjen për të studiuar dhe formuar si qytetarë.

Sot studentët janë të çoroditur si kurrë më parë, sidomos ata që do të duhej të hidhnin hapin e parë në një botë të re. Në fakultete nuk shkojnë dot, tarifat mbeten të larta, nga konviktet i kanë dëbuar, qiratë rriten dita-ditës, në shtëpi nuk kanë internet, lere më laptop, librat kushtojnë sa frëngu pulën (pavarësisht se në një pjesë të rasteve janë kopjime banale tekstesh të huaja), ndërkohë që nga të gjitha anët dëgjojnë ofshamat “ç’të duhet shkolla?!” ose “merr diplomën dhe vrap e në Gjermani!”.

Duke i dëshpëruar e nëpërkëmbur aspiratat e tyre, ne (në kuptimin e përgjegjësisë që kemi pse kemi lejuar matrapazët të na qeverisin kaq keq) po korruptojmë, dashje pa dashje, më të mirën tonë: bartësit e potencialit më të madh intelektual e moral: rininë studentore.

Shumëçka në Shqipërinë e sotme është e tmerrshme. Por nuk ka gjë më të trishtë se klasat bosh në ditën e parë të shkollës.

Arlind Qorri, pedagog, Lëvizja për Universitetin



2 Comments

  1. Ti je i besueshem ne syte tane , lere universitetin dhe futju politikes . Je i mirepritur . Respekte dhe ishallah e degjon keshillen time.

  2. po trishtimi i spitaleve me krevatet plot apo varrezat qe nuk kane me vende, nuk llogaritet? Mjaft me propagande studenti..ik e studio me mire

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *