• |
ide | kryesore

Ndizen “motorët” e Superiores: Tirana pa gjysëm skuadre pret Kukësin në Korçë

-Instant, Sport



Më në fund në fushë: duhet të ishte java e tetë e kampionatit, praktikisht fundi i fazës së parë e, megjithatë, do të luhet e para. Suuperioria do të bëjë debutimin për sezonin 2020-21, në një sezon të paprecedentë, por me optimizmin se kjo vonesë e bojkotit, të Ligës Profesioniste, do të justifikohet me zhvillimin më të rëndësishëm në sport, përmes ligjit të Sponsorizimit. Tani është koha të flasim për futbollin e luajtur e si e tillë të gjithë vëmendjen e ka marrë përplasja e kampionëve e nënkampionëve që në javën e parë.

Tirana-Kukësi është gjithnjë tërheqëse, sidomos me paparashikueshmërinë që garantojnë këtë herë dy formacionet. Tirana mes skualifikimesh e daljes jashtë funksioni për momentin të stadiumit, do ta presë Kukësin në Korcë. Blutë prezantohen me një trajner kampion si Skënder Gega e një Ibraimi që premton të jetë lojtari më i spikatur i kampionatit, por duhet të gjejnë stabilitetin në ndryshimet kolosale në skuadrë, në krahasim me një vit më parë. Partizani e nis kampionatin në Krujë. Do të ishte një start i mirë në letër, kundër një skuadre të ardhur nga Kategoria e Parë, por formacioni i Ndreut nuk është pa ambicje dhe me lojtarë të eksperiencës e kualitetit si Hidi e Plaku mund ti bëjnë surprizë të kuqve. Daja kërkon ta shmangë dh eta nisë si duhet kampionatin: pa merkato, por me fitore.

Po në orën 13.45 do të zbresë në fushë edhe Laci, skuadra më e pritur për shkak të një investimi të jashtëzakonshëm, që e katapulton skuadrën e Cungut në pretendentin kryesor për titull. E megjithatë Obanor e Nwabueze do të duhet të sfidojnë Bylis në Ballsh. Ekziston një rivalitet i fortë mes dy formacioneve, që do të reflektohet në fushë, pavarësisht se mallakastriotët janë në rolin e outsider-it.

Në ndeshjet e pasdites, Teuta do të presë Skënderbeun. Dejvi Bregu vihet kështu menjëherë përballë të shkuarës, ndërsa skuadra e Martinit duhet të tregojë se e ka kapërcyer boshllëkun e lënë nga largimi i Kallakut. Korcarët e Ahmatajt janë një skuadër për tu zbuluar, ashtu si Apolonia, që do të nisë sezonin në Superiore kundër Vllaznisë. Formacioni i Brdaric ka mundësinë më të mirë për të bërë rezultat e për të qetësuar një ambjent që është në ankth për performancën e skuadrës në fushë e shitjen e aksioneve jashtë saj. Kështu, tani të gjitha harrohen, bojkoti, vonesa, polemikat e pandemia: topi kthehet të lëvizë…

SUPERIORE – JAVA 1
13:45 Bylis – Laci
13:45 Kastrioti -Partizani
13:45 KF Tirana – Kukesi
16:45 Teuta – Skenderbeu
16:45 Vllaznia – Apolonia



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *