• |
ide | kryesore

Video/ Vllaznia merr fitoren e tretë radhazi në sezon: kuqeblutë të vetmit me pikë të plota

-Instant, F1, Sport, Video



Fitorja e parë në transfertë për Vllazninë e Thomas Brdaric, e treta radhazi në këtë sezon, në po kaq ndeshje të luajtura. Shkodranët janë tashmë kryesues me pikë të plota në Superiore, pasi likuiduan 0-2 në Korcë Skënderbeun. Golat e Haris e Da Silva në pjesën e parë vendosën suksesin për Vllazninë, që mori maksimumin nga një kalendar favorizues në start.

Me kujdesin për të mos u zbuluar në kundërsulmin e korcarëve, Vllaznia luajti një pjesë të parë të kujdesshme, në kërkim të zotërimit të mesfushës. E rastet për shënim ishin gati zero deri kur Haris zhbllokoi situatën në minutën e 33, duke i hapur rrugën suksesit të shkodranëve. Asisti i Krujës ishte një ftesë që sulmuesi nuk mund ta refuzonte, kur mposhti Dajsinanin brenda zonës.

Skënderbeu nuk kishte forcë të reagonte pas golit të pësuar dhe Brdaric e kuptoi se kishte mundësinë ta mbyllte ndeshjen. Insistimi i shkodranëve u kurorëzua tre minuta nga fundi i pjesës së parë, kur braziliani Da Silva depërtoi bukur në mbrojtjen korçare, përpara se të mposhte me shumë klas portierin Dajsinani.

Vllaznia vetëm mund ti komplikonte jetën vetes, si në rastin e minutës së 47 kur portieri Zogovic rrezikoi të humbiste topin nën presionin e Marës, sepse bardhekuqtë e Ahmatajt nuk kishin më për të dhënë. Në anën tjetër edhe shkodranët nuk e ekzagjerojnë, por ulin ritmin duke pritur kalimin e minutave, për tiu gëzuar një vendi të parë tepër inspirues.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *