• |
ide | kryesore

Joe Biden pritet të formojë këtë javë grupin e punës për të luftuar COVID-19

Lajme, Planet



Presidenti Donald Trump vazhdon të theksojë parregullsitë e votimit në zgjedhjet presidenciale amerikane, ndërsa ish nënpresidenti Joe Biden, të cilin Zëri i Amerikës e parashikon si fituesin e zgjedhjeve, thotë se do të krijojë një grup pune për COVID-19 këtë javë.

Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një realitet të ndarë që nga zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit. Ish nënpresidenti Joe Biden, fituesi i parashikuar i zgjedhjeve, thotë se ai do të fillojë tranzicionin për të marrë qeverisjen e vendit. Presidenti Donald Trump thotë se votat ende po numërohen në disa shtete dhe atij duhet t’i jepet një shans për sfidat ligjore të paraqitura në shtetet ku ka pretemdime për manipulime.

“Mendoj se janë interesante deklaratat nga disa individë që thonë se zgjedhjet ishin një fitore e madhe për Joe Biden. Thjesht nuk është ashtu sepse ka kaq shumë nga këto shtete që janë ende në lojë”, thotë Kristi Noem, guvernatore republikane e Dakotës së Jugut.

Udhëheqësit demokratë u bënë thirrje kolegëve të tyre republikanë të pranojnë rezultatet e parashikuara të zgjedhjeve për hir të vendit, ose të sigurojnë prova të manipulimeve.

“Nëse republikanët do të mbështesin Presidentin Trump në qëndresën e tij për të mos pranuar rezultatin e zgjedhjeve, presidenti duhet të tregojë disa prova, jo vetëm postime të zemëruara në Twitter”, thotë Chris Coons, senator demokrat nga shteti i Delauerit.

Ekipi i zotit Biden njoftoi se ndërsa presidenti i zgjedhur nuk merr detyrën deri më 20 janar, ai do të fillojë tranzicionin e tij për të udhëhequr vendin duke formuar një grup pune për COVID-19.

Ndërkohë, planet për inaugurimin presidencial në 20 janar vazhdojnë, thotë Roy Blunt, senator republikan i shtetit të Mizurit dhe kryetar i Komitetit të Përbashkët të Kongresit për Ceremonitë Inauguruese.

“Unë pres t’i shoh të dy, nënpresidentin Biden dhe presidentin Trump në skenë në ditën e inaugurimit. Dhe ky do të jetë një mesazh i fuqishëm, pavarësisht se cili prej tyre do të bëjë betimin atë ditë”, thotë Roy Blunt.

Pas pritjes së rezultatit të zgjedhjeve, vendi është gati të kalojë nga një fushatë e debatueshme presidenciale në atë që do të vijë më pas./VOA



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *