• |
ide | kryesore

Çfarë po ndodh në spitale/ Përplasje e fortë mes Ramës, Metës dhe PD-së

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ajo që po ndodh në spitalet ku trajtohen të sëmurët me koronavirus është kthyer edhe në qendër të vëmendjes së politikës. Me përkeqësimin e numrave janë shtuar akuzat e opozitës për keqmenaxhim të pandemisë ndërsa në krahun tjetër qeveria vijon të këmbëngulë me mesazhe dhe video propagande se situata nuk është edhe aq e rëndë.

Në këtë debat është përfshirë mbrëmjen e së martës edhe Presidenti Ilir Meta që në një mesazh të gjatë në Facebook akuzon qeverinë se nuk ka plan dhe strategji konkrete për të përballuar përhapjen masive të pandemisë COVID-19. Sipas Metës sistemi shëndetësor rrezikon të zhytet në kolaps të thellë, me pasoja tepër të rënda për shëndetin e qytetarëve.

“Në këto kushte, është tepër e domosdoshme të shtohet masivisht numri i testimeve, si një mjet efikas për gjurmimin dhe trajtimin në kohë të qytetarëve të prekur nga COVID-19. Për këtë qëllim të miratohet pa vonesë edhe një plan koordinimi i qartë dhe transparent me sistemin privat, për të bashkuar të gjitha energjitë dhe kapacitetet e duhura” – shkruan ndër të tjera Meta.

Nuk ka vonuar një përgjigje e kryeministrit Edi Rama nga Twitter-i që nuk e kursen ironinë dhe shpotitë.

“Ilir, që ti Monika Luli Saliu i keni varur shpresat tuaja të lodhura për pushtet tek ëndrra e katastrofës shëndetësore, këtë e kupton çdokush me dy fije mend! Që do dështoni edhe më keq se herë tjetër këtë do ta shihni në 25 prill! Kjo që bëni është një turp që do u mbetet juve!” – shkroi Rama.

Pas këtij komenti ka reaguar sërish Meta që akuzon, bën disa kërkesa dhe ngre disa pyetje.

“Qytetarët e infektuar po shtohen çdo ditë! Jetët e humbura po shtohen çdo ditë! Shto testimet! Rimburso pacientët të cilët mjekohen në shtëpi, familjet në nevojë dhe pensionistët e infektuar me COVID-19! Rrit buxhetin për sistemin shëndetësor! Shto spitalet COVID! A e di ti sa paguan sot çdo shqiptar për mjekim dhe ilaçe për t’i shpëtuar COVID-19? A nuk ishe ti që ju premtove shëndetësinë falas? Mjaft me koncensione dhe PPP korruptive! Mjaft me tendera sekrete për oligarkët!” – shkruan Meta.

Në këtë debat është përfshirë edhe Partia Demokratike. Sekretari i Përgjithshëm i selisë blu, Gazment Bardhi i drejton disa pyetje kryeministrit Rama.

“Rama nxori sot një video-propagandë ku pretendon se gjithçka është në rregull në spitalet tona. Atëherë pse hidhen pacientët nga dritarja? Pse dergjen të sëmurët me orë nëpër ambulanca kur në spitale paska vend? Pse nuk ka staf mjekësor për të gjithë? Pse detyrohen shqiptarët të paguajnë miliona për trajtim në shtëpi? Rama, gënjeshtrat e tua nuk i beson askush” – shkruan Bardhi në Facebook.

Partisë Demokratike i ka kthyer përgjigje sërish Edi Rama nga Twitter-i.

“Në Itali nga marsi në gusht janë vetëvrarë 71 persona me Covid dhe s’ka bërë vaki të merret opozita me këto tragjedi, po ju s’jeni opozitë, ju jeni një çetë e çakërdisur personazhesh qesharake me kostume serioze! Do kaloni dhe ju bashkë me Covidin,me dhimbje po do kaloni me dimrin!” – shkroi Rama.

Nuk ka vonuar një tjetër replikë nga Gazment Bardhi.

“Vetëm një hajdut i pashpirt si ti mund ta quajë normale vdekjen e qytetarëve. Edhe sa njerëz duhet të vdesin vetëm e vetëm se ti refuzon të ndalësh vjedhjen dhe ti çosh paratë për pajisje mjekësore, për shtim të stafit dhe kapaciteteve mjekësore dhe për të ndihmuar qytetarët të blejnë ilaçet e shtrenjta anti-COVID” – shkruan Bardhi. ©LAPSI.al



4 Comments

  1. U perplasen e u gjakatosen heronjte tane, shpata rle hushta per mirqenien tone, desh la syrin e majte ilir meta ne lufte, ndersa edi rama me lulin kan plagosje te renda ne trup, thuhet qe do qendrojne si gjergj elez alia me 9 plag per vite te tera. I keshilloj qe te hapin fonde per te derdhur para populli per kurimin e plageve te marra ne lufte per ne. Mirnjohje herojlnjve tane te luftes.

  2. mundimi i Lubonjës, që Bashën ta mbështesë duke i larguar rivalët që nuk kanë qenë në pushtet, pra duke bërë thirrje të ndëshkohen Patozi, Topalli, Murrizi e Hajdari, dhe Metën e Monikën t’i mbështesë duke i afruar ish- drejtorët që i ka zbuar vetë Meta, se kanë qenë pjesë e pushtetit të korruptuar, është një stërmundim i madh. Pasi sipas tij, paska të zbuar që duhen mbajtur larg, se nuk kanë vjedhur, dhe të zbuar që duhen afruar, se kanë përvojë për korrupsion.

    Guximi për ta sugjeruar këtë marrëzi publikisht, nxitet ose nga një adhurim i madh për të korruptuarit dhe autokratët, ose nga një korruptim i madh prej tyre. Kjo e dyta mund t’ia bënte jetën më të mirë, se ka gjithë jetën që bredh nga një oligark në tjetrin dhe i duket vetja i varfër, ngaqë nuk ka lekë sa ata.

  3. O murrizi i pa emer fol jane te drejta keto qe thot presidenti pa patozi do fitoi te xhozit e xhozi te patozit murrizi e hajdatia do fitoin te balles

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *