• |
ide | kryesore

ARRSH heq pezullimin e tenderëve për “rrugët elektorale”, rihap nga TEG te Dhërmi-Palasë

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Ne mes të tetorit Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) hapi në seri, disa tendera rrugësh dhe këtu nuk bëhej fjalë për projekte modeste por për disa që shkonin miliarda lekë.

Kjo praktikë e çeljes së tyre në 15 tetor ishte në linjë të kundërt me një vendim të qeverisë për disiplinimin e buxhetit, që vendos disa kushte për tenderat që hapen pas mesit të tetorit.

Ndaj nuk ishte surprizë kur krejt papritur në ditët e fundit të tetorit të gjithë procedurat rezultuan me statusin pezulluar në sistemin e Autoritetit të Prokurimit Publik.

ARRSH së fundmi duket se ka “ndryshuar mendje” dhe ka riaktivizuar këto procedura duke hequr gjendjen e pezullimit dhe duke i bërë sërish aktive.

Bëhet fjalë për procedurën “Ndërtim Rruga mbikalimi TEG dhe rrugët lidhëse të tij”, me fond limit rreth 1.5 miliardë lekë, tek tenderi i mbikëqyrjes për këtë projekt me një fond limit 11.6 milionë lekë të cilat janë aktive dhe ofertat duhet të depozitohen deri në datë 20 nëntor për ndërtimin dhe 23 nëntor për mbikëqyrjen.

E aktivizuar është procedura e ndërtimit të rrugës Dhërmi-Palasë me fond limit 1.6 miliardë lekë dhe me datë të fundit për dorëzimin e ofertave 23 nëntor 2020.

Aktive rezulton edhe procedura tjetër e çelur në datë 15 tetor, e cila ka në objekt “Ndërtim i rrugës. lidhja e Autostradës Milot – Morinë me Aeroportin e Kukësit”, me një fond limit rreth 600 milionë lekë ku dorëzimi i ofertave mund të bëhet deri në 23 nëntor.

Një tjetër procedurë e bërë aktive në sistemin e APP është ajo me objekt “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e parë)”. Më herët nga ana e ARRSH është bërë edhe prokurimi i kontratës ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë Loti 2 (pjesa e parë) me një fond limit rreth 2.4 miliardë lekë dhe e fituar nga kompania ANK, me ofertë 2.35 miliardë lekë ka përfunduar hallkat e saj dhe duhet të nisë zbatimin.

Mbetet e paqartë se cilat janë arsyet e pezullimit të përkohshëm dhe riaktivizimit të procedurave nga ana e ARRSH së fundmi. Një vendim i qeverisë përcakton se pas datës 15 tetor të çdo viti buxhetor, njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk mund të publikojnë njoftimin për prokurimin e mallrave/punëve/shërbimeve, të cilat nuk janë përfshirë në regjistrin e prokurimeve publike, deri në këtë date.

Këto tendera po hapen në një kohë që kohë që vendi është në një emergjencë shëndetësore, si rrjedhojë e shtimit të ndjeshëm të rasteve me Covid-19 dhe krizë buxhetore për shkak të recesionit të thellë ku ka hyrë ekonomia. Për 9 mujorin, të ardhurat në buxhet ranë me 10% dhe në kahun tjetër financat u detyruar në shkurtojnë shpenzimet, duke realizuar vetëm 92% të planit.

Edhe buxheti 2021 mbetet pesimist në kahun e të ardhurave, që parashikohen të arrijnë në një nivel rekord prej 28.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, çka në kahun tjetër  mundëson planifikimin e më shumë shpenzimeve. Ekspertët kanë paralajmëruar shpesh për rrezikun e kësaj sjelljeje, pasi po merren angazhime përtej aftësive reale paguese të buxhetit, duke çuar në rritjen e detyrimeve të prapambetura dhe të borxhit të fshehtë.

Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit 2019 ka gjetur se detyrimet e prapambetura të pakontabilizuara në llogaritë e borxhit publik arritën në 72.3 miliardë lekë ose gati 600 milionë euro. Sipas të dhënave nga auditimi, detyrimet e prapambetura arritën nivelin e vitit 2013, prej 72.5 miliardë lekësh./ N.Maho, Monitor



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *