• |
ide | kryesore

Vuçiç i hedh benzinë zjarrit: Kosovë-Serbi si konflikti në Nagorno-Karabak

-Instant, Lajme, Të fundit



Ka qenë provokues një krahasim i Aleksandër Vuçiç që u shndërrua menjëherë në benzinë për flakët e ngritura rreth dialogut Kosovë-Serbi, pas arrestimit të Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale e Hagës. Paralelizmi që presidenti i Serbisë i bëri konfliktit Prishtinë-Beograd me atë mes Azerbajxhanit dhe Armenisë në Nagorno-Karabak ka risjellë edhe një herë në tavolinë atmosferën e luftës.

“Konflikti i Nagorno-Karabak na tregoi se si një konflikt i ngrirë mund të shndërrohet në një katastrofë. Ne duhet të nxjerrim mësime nga çfarë ndodhi në 1990, por edhe se çfarë ndodh tani. Nuk duhet t’ia lëmë trashëgimi fë fëmijëve tanë një konflikt të ngrirë. Mesazhi kryesor i joni është mesazhi i paqes dhe dëshira për të vazhduar dialogun me Prishtinën” ka thënë Vuçiç gjatë një konference për mediat.

Nuk vonuan reagimet nga Prishtina, ndërsa Tirana edhe një herë qëndroi në heshtje. Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani e konsideroi një kërcënim për luftë. Në një postim në Tëitter ku publikoi një foto të Vuçiç me Putin, Osmani kërkoi që përgjigja për këtë çështje të vijë nga BE dhe NATO.

“Unë pres që BE dhe NATO të përgjigjen ndaj këtij kërcënimi për një luftë të dhunshme, të bërë nga Vuçiç”, shkruan Osmani në Twitter.

Një reagim të ngjashëm e pati edhe kryeministri i Ksovës, Abdullah Hoti. “Qeveria e Republikës së Kosovës pret nga Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja të reagojnë ndaj këtyre provokimeve”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga zyra e Hotit.

Pas kësaj, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës doli me një deklaratë zyrtare sipas të cilës, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të ndërpritet dhe të vazhdojë vetëm pas anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Të gjitha përpjekjet ruso-serbe për të minuar stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon janë të papranueshme për Kosovën, në kundërshtim me vlerat evropiane e universale dhe do të dështojnë ashtu siç kapitulluan turpshëm në Kosovë, në vitin 1999. Kosova do t’i shtojë përpjekjet për fillimin e anëtarësimit në Aleancën Veri-Atlantike – NATO, dhe tek pastaj do të duhej të vazhdonte dialogun me Serbinë. Kosova nuk është as Nagorno Karabak, as konflikt i ngrirë” thuhet në reagimin e MPJD-së në Kosovë.

Dialogu në pikëpyetje

Një ide për ta ndërprerë dialogun me Serbinë e pati Ministri i Drejtësisë së Kosovës pak ditë më parë. Ideja erdhi pas arrestimit të krerëve të UÇK-së dhe dalja e tyre në Hagë për krime lufte. Deklarata u bë në mbledhjen e qeverisë, por u refuzua aty për aty nga Abdullah Hoti.

Selim Selimi (AAK) ka thënë në mbledhjen e kabinetit qeveritar, që përveç ndërprerjes së dialogut “Gjykata Speciale duhet qartë të sqarohet që nuk vepron me prova të konstruktuara nga eksponentët e forcave serbe të sigurisë”.

“Këto aktakuza më shumë se kanë qenë efekt juridik, po prodhojnë efekte politike me qëllim të dobësimit të pozicionit tonë ndërkombëtar, përballë së cilave nuk duhet të qëndrojmë duarkryq”, tha Selimi.

Më herët edhe Vjosa Osmani, në pozicionin e presidentes pati kërkuar ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

“Unë mendoj që për shkak të zhvillimeve aktuale tani nuk është momenti që të vazhdohet dialogu menjëherë. Dhe duhet që institucionet e Kosovës të marrin pak kohë, të ulemi, të konsultohemi mes vetes, të krijojmë një qëndrim shumë më të unifikuar rreth dialogut” ishte ideja e Osmanit gjatë një interviste për DW.

Reagimet erdhën pas arrestimeve të Gjykatës Speciale dhe ishin reflektim direkt i shijes së hidhur që lanë prangat në duart e krerëve të UÇK-së.

Presioni ndërkombëtar ndaj Serbisë

Kosova dha sinjal se po lexon me vëmëndje zhvillimet ndërkombëtare, në veçanti ndryshimin e pushtetit në SHBA, kur refuzoi pjesëmarrjen në mbledhjen e katërt të Mini-shengenit Ballkanik. Megjithëse nënshkoi marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë dhe megjithëse mori disa herë ftesa publike nga Vuçiç, Zaev dhe Rama, pala kosovare nuk u nxitua të ulej në një tryezë që i gjithë faktori i saj politik e kishte refuzuar në bllok.

Parë në këtë kontekst, ulja e Bajden në postin e presidentit të SHBA, pritet të ndryshojë qasjen në Ballkan duke shtuar presionin ndaj Serbisë.

Përveç kësaj, vetë “sakrifica” e krerëve të UÇK-së që u vetëdorëzuan në Hagë për t’u përgjigjur për akuzën e krimeve të luftës i kthen tashmë sytë e ndërkombëtarëve nga Serbia, e cila tashmë ka radhën të lëshojë pe në negociatat me Kosovën.

Pikërisht për këtë, gjatë të njëjtës konferencë për shtyp, Vuçiç pranoi se “situata është e tillë që presioni ndaj Serbisë do të vijë duke u shtuar nga fuqitë perëndimore”.©Lapsi.al



3 Comments

  1. Ne vend te flase per budallalleqe, kelyshi deshtak i Bllokut duhet te jape nje mbeshtetje te fuqishme Prishtines

  2. Prishtina duhet te gjeje force e mecuri qe gjykaten speciale si nje element mjaft i larte i ndergjegjesimit te politikes kosovare, ne raport me drejtesine ta ktheje ne nje platforme politike te dobishem per kosoven.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *