• |
ide | kryesore

Çfarë qëndron pas ngurrimit të Putinit për të uruar Biden për fitoren?

-Instant, Arkiva, F1, Planet, Të fundit



Marrëdhëniet Amerikë-Rusi kanë qenë në një pikë të ulët gjatë katër viteve të fundit, kjo për shkak të dëmit afatgjatë që e ka zanafillën te akuzat e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016.

Por me fitoren e parashikuar të zotit Joe Biden në garën e vitit 2020, debati në Rusi është përqendruar tani tek çështja nëse diçka do të ndryshojë në këto marrëdhënie.

Gjatë dy dekadave të fundit Presidenti rus Vladimir Putin ka parë disa presidentë amerikanë të vijnë e të ikin nga Shtëpia e Bardhë.

Janë dy tradita të ndryshme: nga njëra anë transferimi i pushtetit në SHBA dhe nga ana tjetër një pushtet i pandryshuar në duart e një njeriu në Kremlin.

Ashtu si paraardhësit e tij të fundit, Presidenti Trump u zgjodh me premtimin për të kapërcyer mosmarrëveshjet e shkuara dhe për marrëdhënie më të mira me Moskën, një model që në administratën e ardhshme Biden nuk ka gjasa të përsëritet, thonë ekspertët.

“Marrëdhëniet kanë marrë një rrugë kaq të vështirë saqë në thelb është e pamundur të flasësh për një fillim të ri në të ardhmen e afërt. Mendoj se në vend të një fillimi të ri ka ende vend për përkeqësim,” thotë Pavel Sharikov, studiues në institutin rus për Amerikën dhe Kanadanë

Pas armiqësisë qëndrojnë pasojat politike nga zgjedhjet e 2016s në SHBA.

Një hetim në SHBA akuzoi Rusinë se ndihmoi për zgjedhjen e Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë, akuza që si zoti Trump ashtu edhe Kremlini i mohojnë, por që kanë sjellë një seri sanksionesh amerikane kundër Moskës.

Tani, pas zgjedhjeve të 2020s, Presidenti Putin ende nuk e ka uruar zotin Biden për fitoren.

Zyrtarët e Kremlinit këmbëngulin se e bëjnë këtë në respekt të sfidave të tanishme ligjore për zgjedhjet, të paraqitura nga Presidenti Trump dhe dëshirës për të qëndruar larg grindjeve politike në Uashington, edhe pse në Rusi mediat shtetërore e kanë quajtur haptas fitoren e zotit Biden si të vjedhur.

Pavarësisht nga mëritë, disa vëzhgues të marrëdhënieve Amerikë-Rusi thonë se Kremlini mezi pret të punojë me administratën e ardhshme Biden për një çështje me rëndësi: kontrollin e armëve.

“Qëllimi kryesor është rinovimi i Traktatit të Ri START. Dhe më pas, kur ai të rinegociohet, ata janë të gatshëm për më shumë bisedime mbi stabilitetin strategjik”, thotë Alexander Chekov, analist në Institutit Shtetëror për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Moskë.

Traktati i ri START, i nënshkruar gjatë viteve të Presidentit Obama, zyrtarisht merr fund në muajin shkurt.

Kërkesat e administratës Trump për ndryshime në këtë traktat bllokuan bisedimet gjatë vitit të shkuar.

Zoti Biden ka thënë se është i gatshëm të punojë me Presidentin Putin për ta zgjatur marrëveshjen, shenjë që diplomatët rusë shpresojnë se mund të sjellë një ton të ri.

“Nëse në këtë fushë arrihet diçka pozitive, mendoj se kjo mund t’i japë një shtysë të mirë perspektivës së përgjithshme të marrëdhënieve tona. Sepse kjo është me shumë rëndësi,” thotë Viktor Mizin, negociator rus për armët.

Si nënpresident në Shtëpinë e Bardhë në kohën e Presidentit Obama, edhe zoti Biden ka qenë ndër ata që luajtën kartën e një fillimi të ri në marrëdhëniet me Rusinë.

“Një lajm shumë i mirë është se Presidenti dhe unë pajtohemi 100% mbi nevojën për të vendosur lidhje më të ngushta me Rusinë,” tha ai në atë kohë.

Së shpejti, zotit Biden do t’i duhet të vendosë se sa larg është i gatshëm të shkojë, këtë herë si President, në përpjekjet për të shmangur një garë të re të armëve bërthamore.

Ky është një synim që ai thotë se dëshiron të ndjekë, po ashtu siç thotë edhe udhëheqësi rus, pavarësisht nga mëritë e së kaluarës. /VOA/



1 Comment

  1. a e kuptoni o trampista qe per 4 vite keni perkrahur sovietikasit ahhahahaah te djathtet neoliberal kapitalist pa brek ne bythe pandehin se kafenete te bejne analist politike nderkombetare.. meruni me ramen aty se ju mjafton. dhe degjoni tak njelen

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *