• |
ide | kryesore

Gjykata Speciale/ A e përcaktojnë identitetin kolektiv kriminelët e luftës

2, Arkiva, Ide



Gjykata Speciale, e themeluar edhe me këmbënguljen e pathyeshme të mbrojtëseve më të mëdhenj të të drejtave tona, përkrahësve dhe garantuesve më të mëdhenj të pavarësisë së shtetit tonë, është përcjellë edhe me paradokse që, në të vërtetë, në bërthamë ngrenë edhe disa pikëpyetje fundamentale.

Të druajtur përballë pakënaqësisë sonë, të një shoqërie të vogël të shkretë, janë përpjekur pafundësisht të (na) thonë dhe bindin se para drejtësisë do të dalin individët e caktur të përballur me akuza për krime lufte dhe kjo, në asnjë mënyrë, nuk nënkupton përballjen me drejtësinë e luftës për çlirim dhe bartësit të saj simbolik, UÇK-së. Nga ana tjetër, ne, pothuajse pa asnjë përjashtim, kemi humbur zërin duke uluritur se po ndodh pikërisht e kundërta: po luftohet UÇK-ja, përkatësisht lufta për liri.

Vendet që na kanë shpëtuar dhe na kanë çliruar qenkan tash kundër veprimit të tyre të mëparshëm?! E kanë thënë se janë bërë pishman, se kanë gabuar? Dhe tash, për ta përmirësuar gabimin e tyre, na qenkan vënë pas neve, derisa të na bëjnë të paguajmë?!

Duhet të kesh humbur arsyen të mendosh gjëra të tilla. Dhe duhet të jesh tepër i ndyrë të thuash gjënë që nuk e beson as vetë.

Por, cilat janë pikëpyetjet fundamentale që kërkojnë trajtim dhe mundësisht përgjigje?

Rëndom, individët e shquar, bëmat e të cilëve ndikojnë në mënyrë të caktuar dhe të pamohueshme në shoqëri, e ndonjëherë edhe më gjer, duke i kapërcyer kufijtë e vendit, karakterizojnë, simbolizojnë dhe mbase edhe përcaktojnë atë që konsiderohet shpirt i shoqërisë, komunitetit. Emri i tyre është në gojën e të gjithëve dhe meritat e tyre, personale, i merr edhe secili për vete, i atribuohen shpirtit të shoqërisë, kolektivit. Në cilëndo fushë, në shkencë, në arte, në sporte.

Edhe pse Shaqiri – sa për të marrë një shembull – lë shpirtin në fushë për të mirën e vet personale, për karrierën e vet sportive, e në fund për vendin që e ka rritur dhe që i kë dhënë mundësinë të realizohet, ne këtu çirremi në kupë të qiellit dhe përjargemi si të babëzitur vetëm e vetëm sepse i shënoi një gol armikut tonë, na e hapi kanalin e errët të urrejtjes për t’u shfryrë deri në delir. Me këtë, ai është fryma jonë, vlera jonë, manifestimi i gjallë dhe i pashuar i shpirtësisë sonë, shqiptarisë. Megjithëse, një ditë më herët ishim të gatshëm ta thernim në fyt, sepse nuk luante për as për Shqipërinë as për Kosovën, por për Zvicrën, vendin e ftohtë të njerëzve të ftohtë.

Gjithë ato personazhe të kulturës, muzikës, sportit, shekncës, janë shpirti i shoqërisë, kombit dhe gjithë çfarë kanë arritur e kanë arritur sepse janë pjesë e kësaj shoqërie, këtij kombi. Ne i kemi bërë të jenë ata që janë. Kështu e mendojmë ne këtë punë.

Nëse është kështu, atëherë a vlen e njëjta edhe për anën e kundërt të medaljes? A është pjellë e shpirtit tonë Lavdrim Muhaxhiri? A janë frymë e frymës sonë terroristët islamikë? A janë frymë e shenjtë e kombit tonë gjithë ajo armatë hajvanësh që në rrjete sociale u kërkojnë terroristëve islamikë të mos vrasin në perëndim, por të vijnë këndej tek Ura e Ibrit të lyhen në gjak?

Sigurisht se po, po aq sa të tjerët. Sa unë, ti dhe ai/ajo.

Heronjtë e luftës, të vdekurit dhe të gjallët, nëpër histori, përcaktojnë «kriterin e identitetit kolektiv» (J. T. Gross). Ne krenohemi me ta. Gjesti i tyre është vlera jonë, morali ynë. Nëse heronjtë tonë të gjallë kanë vrarë serbë gjatë luftës, qofshin ata edhe civilë, themi ne, në asnjë mënyrë nuk mund të gjykohen për këtë, nga asnjë gjykatë. Sepse, arsyetohemi ne, në mënyrën tonë, në luftën për liri nuk mund të ketë krim. Jo sepse e dimë këtë, jo sepse mund ta argumentojmë këtë, por sepse kështu duam thjesht të mos i marrim përgjegjësitë që na takojnë, të mos e paguajmë atë që e meritojmë, të mos i lajmë llogaritë që i kemi hapur vetë. Dhe mbrojtja më e mirë është kapja pas një termi abuziv.

E vetmja gjë, për të cilën do të duhej të përndiqeshin, por vetëm në vendin tonë, deklarojnë disa prej  flamurtarëve të urrejtjes dhe fanatizmit, janë krimet ekonomike pas luftës. Por, nëse përndiqen për krime lufte, do ta kenë mbështetjen e tyre. Të vrasësh të tjerët është në rregull, të më vjedhësh mua, jo. Ta vjedhim bashkë tjetrin, është gjë për të cilën edhe mund të merremi vesh. Ta vrasim bashkë tjetrin, s’ka ku të vejë më mirë.

A janë kriter i identitetit kolektiv kriminelët e luftës?

Sigurisht, madje kam frikë se edhe më shumë se unë e ti e ajo/ai që janë për drejtësinë dhe dënimin e të gjitha krimeve të luftës. Kriminelët e luftës dhe mbështetësit e tyre përbëjnë shumicën. Përcaktojnë rrjedhat dhe çimentojnë bazat. Si andej, urës së Ibrit, si këndej.   Pra, pak a shumë i bie se nëse të dyshuarit për krime lufte dënohen, dënohen njëkohësisht ata si individë dhe identiteti ynë kolektiv. Na pëlqeu a nuk ka pëlqeu kjo. Dhe, mendoj unë, kështu duhet të jetë. Dhe, mendoj prapë unë, vetëm kështu duhet të jetë. Për të mirën tonë. /gazetaexpress/



1 Comment

  1. Jam i të njejtave mendime me autorin e këtij shkrimi, që shqiptarët sëbashku me krimet e pushtuesve të huaj, të bëjnë edhe gjykimin e krimeve të bashkëkombasve.
    Nuk do ti jepja në rastin konkret të luftës së shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, një luftë kjo tërësisht e drejtë dhe e ligjëruar edhe nga Gjykata ndërkombëtare, që këto krime të quheshin krime lufte.
    Më pranë të së vërtetës, këto krime mund të quhen krime kundër njeriut për arsye hakmarje apo arsye politike.
    Në juridiksionin e çdo vendi demokratik, krimi për hakmarje, ndëshkohet me masa më të lehta për faktin se motivohet me vetëmbrojtjen dhe emocionet e ligjëshme kur sheh të vrarë padrejtësisht familjarët e tu.
    Kurse krimi me motive politike, pra që të vrasësh një bashkëatdhetar vetëm se ai mendon ndryshe si ty, është një krim që duhet ndëshkuar edhe më shumë se krimet e luftës.
    Lufta për çlirimin e atdheut ka si mision lirinë, pamvarësinë e njeriut nga dhuna e pushtuesit.
    Por që të vrasësh një politikan shqiptar të një partie tjetër, vetëm se ai e mendon ndryshe strategjinë e luftës çlirimtare.
    A ka ndodhur kjo në Kosovë gjatë e pas mbarimit të luftës ?
    Për fat të keq duhet ta pranojmë se ka ndodhur dhe është përsëritur historia e luftës së dytë botërore. kur kiriminel Hoxha masakroi jo vetëm partitë e tjera si Legaliteti e Balli kombëtar, por edhe bashkëpuntorët e tij më të ngushte në luftëm partizane.
    Kanë kaluar kaq vite e nuk është zbardhur akoma vrasja e Ahmet Krasniqit në Tiranë, ministrit të mbrendshëm të qeverisë në ekzil të presidentit Rugova e shumë figurave të tjera të kësaj partie e gazetarësh të njohur.
    Dhimbja e nënave e të afërmve të këtyre viktimave, është akoma më e madhe se ajo për viktimat e vrarë nga pushtuesit, pasi akti i vrasjes së tyre, është vrasje vëllezërish.
    Nuk jam kursesi i të njejtit mendim me përcaktimin e prokurorëve të Hagës, që akuzën e përgjithëson si një ndërmarje të organizuar kriminale të UÇK, e thuajse jam i sigurtë që kjo akuzë do të bjerë poshtë, sëbashku edhe me shumë akuza të tjera subjektive të pa faktuara.
    Ama për cilindo pjestar të UÇK, kushdo qoftë ai, nëse do ti vërtetohet me fakte se ka dhënë urdhër apo ka vrarë vetë kundërshtarët shqiptarë politikë të pafajshëm, e kjo Gjykatë do ti ndëshkojë,, kjo do ti shërbente vetëm progresit demokratik të Kosovës.
    Krimi i pa ndëshkuar ndjell vazhdimësinë e krimit e në kohë paqeje ai mund të shfaqet edhe në veprimet korruptive mafioze të pasurimit në rrugë të pista.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *