• |
ide | kryesore

Një ‘Klasike’ dhe dy ‘mace të zeza’: Superioria kthehet me sfida të paparashikueshme

-Instant, F1, Sport



Pas pauzës së kampionatit për shkak të impenjimeve të Kombëtares në Nations League, Superioria kthehet në fushë për javën e tretë me sfida absolutisht për të mos u humbur. Tre përplasje të mëdha, mes skuadrave pretendente dhe derbi i të ardhurve nga Kategoria e Parë. Një provë e vërtetë force, duke parë edhe ngjeshjen e kalendaritnë vazhdim me tre ndeshje në 9 ditë.

Debuton Nevil Dede në krye të Tiranës, por duhet ta bëjë menjëherë në një Klasike me Vllazninë. Për Brdaric kartat e kundërshtarit ndryshuan para ndeshjes, me një sistem të ri teknik, por gjermani i kuqebluve ka sigurinë e katër fitoreve radhazi mes kampionatit e Kupës. Bardheblutë nuk do të kenë ende Kale, Tosevski e Celhaka të dëmtuar, ndërsa Dede shpreson të rikuperojë Torassa. Lajmi i mirë ishte alarmi i përfunduar për Hoxhallarin që është stërvitur me grupin dhe do të jetë në dispozicion të teknikut në Loro Borici.

Partizani e Kukësi përballen me macet e tyre zeza. Të kuqtë do të presin në Elbasan Arena Laçin. Skuadra kurbinbase i ka krijuar gjithnjë probleme të kuqve, që për më tepër shkojnë në këtë përballje pa Asanin të dëmtuar. Skuadra e Dajës duket se e kaloi më të keqen, ndërsa ajo e Cungut kërkon fitoren e parë pas dy barazimeve radhazi, në mënyrë që ti kthehet pretendimeve të denja për merkaton e bërë. Në Niko Dovana problem do të jetë edhe për Kukësin. Skënder Gega ende i karantinuar për shkak të pozitivitetit me Covid, luan të ardhmen e tij kundër Teutës, duke qenë se deri tani ka dy humbje në po kaq ndeshje dhe një e tretë mund të mos suportohet nga presidenti Safet Gjici.

Përplasen edhe dy skuadrat e ardhura ng Kategoria e Parë: Kastrioti-Apoloni, me skuadrën e Ndreut favorite jo vetëm sepse është e dyta, ende e pamundur, por sepse ka treguar forcën kundër dy skuadrave pretendente si Partizani e Laci, në kohën kur fierakët nuk duken të pakalueshëm në transfertë. Thuajse të pesë çiftet e kësaj jave të tretë shikohen si duele “të zjarrta” dhe përfundimi i takimeve mund të jetë edhe si busull orientimi për vazhdimësinë e skuadrave.

JAVA E 3-të E KATEGORISË SUPERIORE

BYLISI-SKËNDERBEU 13:45
KASTRIOTI-APOLONIA 13:45
(luhet në Kamzë)
TEUTA-KUKËSI 16:45
VLLAZNIA-TIRANA 16:45
PARTIZANI-LAÇI 16:45
(luhet në “Elbasan Arena”)



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *