• |
ide | kryesore

Çudia në Elbasan/ Gati ndërtimi i Bashkisë me Kullë

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme

Në maj të 2019, kur militantët e opozitës qëllonin me molotov kryeministrinë dhe çdo natë dhjetëra prej tyre përfundonin në komisariat, një votimi konsensusal PS-PD u ngjiz në këshillin Bashkiak të Elbasanit. Pa zhurmë dhe pa shamatë, me 34 vota pro dhe asnjë kundër, socialistët dhe demokratët e Këshillit ranë dakort për ngritjen e disa kullave në qendër të qytetit, në shpërfillje të sherrnajës politike të Tiranës, që do të çonte më pas në bojkotin e zgjedhjeve lokale nga opozita.


Kryebashkiaku në ikje, Qazim Sejdini kishte hedhur farën e një projekti që do ta përçudnojë krejtësisht qendrën e Elbasanit me kulla që ngrihen edhe mbi lulishte, në afërsi të godinave muzeale apo institucioneve kryesore të qytetit.


Një prej këtyre kullave do të jetë ngjitur me godinën e bashkisë së qytetit, ndërtuar mbi tokë publike që i falet kompanisë private nga Bashkia e Elbasanit që drejtohet nga Gledian Llatja. Sipas një kontrate që mbahet e fshehtë, Bashkia e Elbasanit ka pranuar të “shkëmbejë” tokën publike të lulishteve pranë saj me punimet e kompanisë së ndërtimit për rikonstruksionin e një pjese të godinës që zgjerohet më tej. Sipas kësaj marrëveshjeje, kompania private ndërton kullën ngjitur me godinën e Bashkisë.

Akuza e PD

Afera ka disa kohë që denoncohet nga zyrtarët e PD-së në Elbasan. Sipas tyre kryebashkiaku Gledian Llatja duhet të përgjigjet se përse po i fal kompanisë ndërtuese 3500 metra katrorë tokë publike nga lulishtja ngjitur me godinën e bashkisë? “Pas teatrit me kullë, pas stadiumit me kullë, vepra e fundit e Rilindasve në ikje është një bashki me kullë. Dilema është kullë me bashki apo bashki me kullë? Janë 3500 m2 të vjedhura sipërfaqe publike për t’i dhënë privatit. Nuk ka ndërtesë nga fillimi. Ka vetëm një restaurim për një sipërfaqe jashtëzakonisht të vogël” tha sekretari i PD, Blendi Himçi në një denoncim publik.

“Në këtë lulishte që ju po shikoni nuk do të luajnë më fëmijët tanë. Ka ndryshime edhe me planin rregullues. Ishte një ndërtesë 15 katëshe që do ndërtohej për të mbuluar funksionet e bashkisë, prefekturës dhe këshillit të qarkut. Por situata ka dal krejt ndryshe. Makutëria e kësaj qeverie dhe pushtetit lokal nuk paska fund. Po vjedhin pjesët e fundit të pronave publike” u shpreh Himçi.

Përgjigjia e Bashkisë

Kryebashkiaku Gledian Llatja nuk ka dalë vetë të përgjigjet për një një çështje me shumë interes publik si kjo e ndërtimeve në qendër të Elbasanit, ku përveç të tjerave falet tokë publike në qendër të qytetit për privatin. Përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, Bashkia u kundërpërgjigj duke akuzuar vetë denoncuesin e PD-së, Blendi Himçi, se jo vetëm ka qenë prezent në mbledhjen e 23 Majit të vitit 2019, por dhe ka votuar pro kontratës për ndërtimin e kullave, për të cilën sot kërkon llogari.

Në këtë video-montazh jepen edhe pamjet, ku shfaqet Himçi dhe proces-verbali, ku ai ka votuar pro vendimit, që parashikonte ngritjen e godinave 10 dhe 14 katëshe . “A e keni njoftuar kryetarin tuaj Lulzim Bashën se këtë kontratë ju e keni miratuar vetë?” thuhet në reagimin e Bashkisë së Elbasanit, që kujton se ngritja e kullave është në përputhje me planin rregullues të miratuar nga K.RR.T.R.SH në kohën kur Sali Berisha ishte kryeministër.

Kontrata sekrete

Por edhe sikur zyrtarët e Partisë Demokratike të degës Elbasan të jenë hipokritë në akuzat e tyre, sërish shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

Në arkivën elektronike të faqes së Bashkisë së Elbasanit, vendimi i Këshillit Bashkiak të Majit të vitit 2019 nuk ekziston. Mospublikimi i kontratës me kompaninë e ndërtimit dhe mosdhënia e llogarisë për një çështje me një rëndësi të madhe publike, e implikon direkt kryebashkiakun aktual Gledian Llatja.

Nga sa kuptohet në video-mesazhin e Bashkisë së Elbasanit do të ketë një shkëmbim trualli mes bashkisë dhe kompanisë së ndërtimit. “Për shtesën e godinës dhe për rikonstruksionin e saj, Bashkia e Elbasanit paguan zero lekë” thotë bashkia.

Por çfarë jepet në vend të lekëve?

Mesazhi vazhdon: Bashkia e Elbasanit po i jep privatit 2600 metër katror truall. Falë marrëveshjes së shkëmbimit ky i fundit kthen 5471 metra sipërfaqe godinë dhe 1481 metër katrorë sipërfaqe lulishte. Pjesa tjetër është pronë private.

Pra, ashtu siç thotë opozita, është e vërtetë se kompanisë private që do të ndërtojë kullën pranë bashkisë, po i jepen disa mijëra metra katrorë tokë publike. Skema duket e njëjtë me atë që çoi në shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Duke mbajtur të fshehtë kontratën, është rënë dakort që privatit t’i falet tokë publike për ndërtimin e kullës, në këmbim një pjese të punimeve falas. Ku është negociuar me kompaninë private? Përse është zgjedhur kjo mënyrë për të bërë rikonstruksionin e Bashkisë? Sa kushton zgjerimi i godinës dhe sa do të përfitojë kompania private?

Pyetje si këto e të tjera, mbeten pa përgjigje sot, por projekti nuk mund të mbahet për shumë kohë i fshehtë. Çështja është që me nisjen e punimeve do të jetë shumë vonë, sepse një nga zonat karakteristike të qytetit, do të ndryshojë krejtësisht nga kullat.

Largimi i Qazim Sejdinit pas 3 mandatesh nga Bashkia e Elbasanit dha idenë se PS po shkëputej nga konjukturat e krimit dhe të korrupsionit, për të cilat ishte akuzuar kryebashkiaku i vjetër. Por megjithëse i ri në moshë, zëvëndësuesi i tij Gledian Llatja nuk gjeti forcë të ndryshojë asgjë. Përkundrazi, nën patronazhin e Taulant Ballës, rioshi Llatja është bërë pjesë e një prej çudirave më të mëdha në Shqipëri: Bashkia me Kullë, një mutacion arkitekturor sa i rrallë, aq edhe i denjë për mentalitetin PPP të të zgjedhurve të Rilindjes.©Lapsi.al

9 Comments

  1. Paradoksi me i madh i kesaj ‘fabule’ eshte se z.Himci ishte i pari ne Keshillin Bashkiak qe votoi kete projekt-ndertimi se bashku me PD-istet e tjere anetar te Keshillit Bashkiak, te shitur totalisht tek ish-kreu i Bashkise. Tani me pafytyrsine me te madhe dalin e denoncojne duke bere teater me kukulla. Fatkeqia me e madhe eshte se PD- Elbasan aktualisht drejtohet dhe perfaqesohet nga njerez kumarxhinj qe luajne me fatin e vet e imagjinoni si mund te luajne me fatin e pupullit e qe per me teper jane te shitur tek kundershtari politik si fajdexhinj…

  2. Sot eshte hera e pare qe e shoh kete lajm ne nje media. nuk eshte se i ndjek shume mediat shqiptare dhe mund te kete dale diku tjeter. por ky duhet te ishte ne cdo media dite me pare.

    elbasani eshte vendi ku mund te besh cfare te do trapi se jane popull i bute si plasteline..

  3. Po c’i nxirrni kot ato ne foto more aman,
    ku e keni shokun Balla ate kokerr hajvan?
    Po pse nuk e dini te verteten ore shokeni,
    se ne Elbasan vendos-vulos Kerricesia e Tij?
    Elbasani si qyteti i Arsimit kujtohet me mall,
    por sot eshte ne komande te pishderrit Ball!

  4. A ju kujtohen jelekverdhit? Dul Basha ne “proteste” e tuj mbajte fjalime. Sa mori benzin “dhurate” su pa mo.

    Pse mos ta bajne dhe demokratet e Elabasanit?

  5. I vetmi “dokument” që paraqitet këtu për të na bindur se antarët demokratë të këshillit bashkiakë të Elbasanit që e paskan miratuar këtë projekt, është një fragment liste ku dallohet emri i Himçit me një plus pas.
    Më poshtë pohohet se ky “vendim”, për të cilin nuk paraqitet asnjë dokument, qenka marë që në kohën e Sejdinit gjatë qeverisjes Berisha.
    E ndoqa reportazhin e Fevziut për Elbasanin, ku më ra në sy që ky “djaloshi i ri”, kryetar bashkie, më shumë se jepte informacion turistik për qytetin që drejtonte, bënte propogandë të trashë alla Tao Palla.
    Më tërhoqi vëmëndjen mburja e tij se sot kombinati metalurgjik ku bien në sy vetëm gërmadha të braktisura, paska më shumë puntorë sesa kishte kur ishte në funksion të plotë para disa dekadash.
    P.s. Gjej rastin ti bëj z,Fevziu këtu një sugjerim, që episodet ku fut disa herë në gojë lugën për të shijuaar tavat karakteristike elbansanase, ti retushojë, pasi klientët e këtyre restoranteve duke e parë ate skenë, do të druheshin të shkonin për të mgrën nga ato tava, veçanërisht në situatën e pandemisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu