• |
ide | kryesore

Braktisi djalin e mitur për të përfituar azil në Greqi, i ati procedohet penalisht

-Instant, Lajme, Të fundit

Vijojnë kontrollet dhe ndëshkimet ligjore për parandalimin e braktisjes së fëmijëve në vendet e BE-së, me qëllim azilkërkimin.


Gjatë kontrolleve në Kakavijë është proceduar penalisht një shtetas, për veprën penale “Braktisja e të miturit”.


“Policia Kufitare e Kakavijës ka intensifikuar punën për kontrollin e imtësishëm të dokumentacionit për të udhëtuar, intervisitimet dhe bashkëpunimin me homologët e shtetit grek, për parandalimin e azilkërkimit dhe braktisjen e fëmijëve në vendet e BE-së, me qëllim azilkërkimin.

Në këtë kuadër është proceduar penalisht, për veprën penale “Braktisja e të miturit”, shtetasi Sh. Z., banues në Librazhd. Procedimi penal për ketë shtetas filloi pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas ka kaluar me djalin e tij të mitur ( E. Z.) kufirin për në Veria, Greqi dhe e ka lënë atje me qëllim që të përfitonte azil politik.

Departamenti i Policisë Kufitare në Policinë e Shtetit është duke bashkëpunuar ngushtësisht me homologët e të gjitha vendeve të hapësirës SCHENGEN, për verifikimin, identifikimin dhe ndëshkimin ligjor të të gjithë atyre që braktisin të miturit për qëllime azilkërkimi.

Policia e Shtetit është e vendosur për të parandaluar dhe ndëshkuar ligjërisht të gjitha rastet e braktisjes së fëmijëve të mitur në vendet e BE-së dhe apelon për të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë në hapësirën SCHENGEN, të mos ndërmarrin asnjë veprim që ka si qëllim azilkërkimin, pasi shanset për të fituar atë janë zero”, njofton policia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu