Antonio Conte rigjeti Interin e tij me një sukses në momentin më delikat e vendimtar. Transferta e Sassuolos, kundër një prej skuadrave më në formë, të paparashikueshme e më mirë të organizuara të kampionatit italian, kishte vështirësinë që vinte pas rrëzimit në Champions kundër Real. E përgjigja për teknikun ishte ajo më pozitivja: në rezultat (tre gola të bërë e zero të pësuar) e në lojë, me një kompaktësi e një soliditet më të madh se kundërshtari: “Ne përpiqemi të japim më të mirën, ndonjëherë gjërat shkojnë mirë, të tjera jo, por gjithnjë luajmë për të dhënë 100%. E rëndësishme është të dalim me fanellën e djersitur”.

Sidoqoftë është një Conte agresiv që komenton fitoren me emiljanët. Një Conte që ka ndërmend të kthejë tek dërguesi cdo fjalë të rëndë që është thënë nga kritikët: “Në mentalitet nuk ka ndryshuar asgjë. Arsyetohet gjithnjë në bazë të rezultatit, ky është problemi. Tek Inter nuk është asnjëherë e thjeshtë, ne duhet të jemi të aftë dhe hermetikë sepse ka gjithnjë njerëz që mezi presin të na lyejnë me… nuk po them cfarë po e kuptuat ku e kisha fjalën. Ka gjithnjë shumë mllef ndaj kësaj skuadre, kurrë nuk kam parë kaq shumë”.