• |
ide | kryesore

Vdekja e Maradonës/ Mjeku i tij vihet nën hetim për vrasje me dashje

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Hetimet për vdekjen e Diego Armando Maradonës marrin një kthesë vendimtare në orët e fundit. Shtëpia dhe klinika e Leopoldo Luque, mjekut personal të kampionit të botës, po kontrollohen imtësisht nga hetuesit. Sipas medieve argjentinase është e nevojshme të kuptohet nëse ka pasur ndonjë parregullsi ose gabim. Gazeta argjentinase “La Nacion” shkruan se mjeku “është bërë i dyshuari i parë, i cili po hetohet për vrasje me dashje”.

“Ne duhet të përcaktojmë nëse kishte ndonjë parregullsi gjatë shtrimit në spital”, – shpjeguan prokurorët. E sigurt është se Luque – një neurokirurg dhe figurë e diskutueshme ka punuar për Diego që nga viti 2016, por kampioni ishte grindur me të – ndaj ai nuk ishte i pranishëm në shtëpinë e Maradonës në kohën e vdekjes së tij të mërkurën e 25 nëntorit.

Kontrollet në shtëpi u kryen nga 60 agjentë, 30 në shtëpi dhe 30 në klinikë. Edhe vajzat e Diegos – Dalma, Gianinna dhe Jana – kanë akuzuar atë si shkakun kryesor të kolapsit fizik të babait të tyre në ditët e fundit para se të ndërronte jetë. Bashkë me mjekun Luque mund të përfshihen nën hetime edhe mjeku-psikiatër që i dha Maradonës ilaçe si dhe një person ende i paidentifikuar që ishte në shtëpi në kohën e vdekjes.

Çështjet e pazgjidhura mbeten të shumta. Nuk është e qartë pse Maradona u nxor nga spitali kaq shpejt pas operacionit në kokë. Një tezë që po verifikohet është edhe ajo e ish-mjekut të tij, Alfredo Cahe, i cili foli për “trajtime të gabuara”. Një tjetër mister është se pse nuk kishte asnjë mjek specialist 24 orë në shtëpi? Pse nuk kishte një ambulancë pranë shtëpisë? A i dhanë Maradonës ilaçet e duhura? A janë respektuar protokollet e ndërhyrjes? Pse nuk kishte defibrilator në shtëpi? Dhe, mbi të gjitha, pse mjeku Luque nuk ishte në shtëpi, por ai njoftoi urgjencën, pa përmendur emrin e Maradonës? Janë të gjitha pyetje që duhet të marrin përgjigje. Vdekja e legjendës së futbollit nuk mund të mbetet një mister. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *