• |
ide | kryesore

Video/ Tirana e Dedes nuk fiton dot as me Kastriotin: “Mendoj se jemi gati për derbin”

-Instant, F1, Sport, Video



Pika e dytë në tre ndeshje për Nevil Deden që kur është ulur në pankinën e Tiranës. Është mbyllur në barazim 1-1 sfida e zhvilluar në Kamëz mes Kastriotit dhe bardhebluve, që nën drejtimin e ri vazhdojnë të zhgënjejnë, duke koleksionuar në tre ndeshje më pak pikë sa kishte marrë Egbo në dy. Kampionët në fuqi janë ndarë 1-1 me krutanët, që mbetet të pathyer: “Prisja të fitonim ndeshjen, pavarësisht në disa momente të lojës ishte e vështirë. Duhet të ishim më agresivë para portës dhe ta mbyllnim ndeshjen pas golit të parë” ka thënë Dede pas ndeshjes.

Kryeqytetasit shënuan të parët me Ernest Muçin, që në minutën e 8, duke e bërë të dukej një ndeshje e lehtë për ta fituar. Por rotacioni i bërë nga Dede, që la pushim Vangjelin, duke i besuar të rinjve si Toli e Nuhiu, krijoi ndonjë luhatje në një prapavijë që ende nuk po gjen stabilitet: “Vangjeli është një lojtar i rëndësishëm. Skuadra kishte nevojë për rotacion. Kjo më bëri të mendoja që të freskoja krahët. Toli dhe Nuhiu janë të rinj, por nëse nuk i aktivizojmë nuk rriten” shpjegoi Dede.

Ekipi krutan e rriti nivelin e ndeshjes me kalimin e minutave, duke barazuar 10 minuta nga fundi i pjesës së parë me brazilianin De Silva, por kishin mundësi edhe ta fitonin ndeshjen: “Në qendër nuk kishim probleme, vuajtëm pak me topat në ajër. Në pjesën e parë ishim më të kontrolluar. Më vjen keq që u çamë në krahun e djathtë. Kemi një skuadër të re dhe te riformatuar. Më djeg që nuk fituam dot, kjo më bën të mendoj se duhet të mendojmë diçka tjetër dhe të jemi agresivë”.

Teknikut Nevil Dede, i duhet të presë për të shijuar fitoren e parë në krye të skuadrës më të titulluar në shtëpi, por është kontrovers kur shprehet gati për derbin me Partizanin, pas një serie prej dy barazimesh e një humbje: “Mendoj se jemi gati për derbin. Na kthehet Toshevski dhe do jemi shumë entuziastë. Do jetë shumë e lehtë për mua dhe stafin ta përgatisim këtë ndeshje, pasi motivimi dihet. Kemi pak hapësirë kohën e duhur për të rikuperuar lojtarët dhe ta përgatisim ndeshjen” përfundoi Dede që e sheh veten me 5 pikë në vendin e gjashtë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *