• |
ide | kryesore

Nga Merkel te FMN, si po tretet mbështetja ndërkombëtare për Ramën

-Instant, Arkiva, Blog

Dy lajme mjaft shqetësuese u bënë të ditura dje nga agjenda ndërkombëtare e Shqipërisë. I pari vinte nga Gjermania dhe, megjithëse i veshur me elegancë diplomatike nga Kancelarja Merkel, ishte mjaft shqetësues: lajmëronte mundësinë e ndarjes së Maqedonisë së Veriut nga Shqipëria në procesin e hapjes së konferencës ndërqeveritare të negociatave që do të ndodhë në Dhjetor.


“Çështja e Shqipërisë është pak më ndryshe, megjithë përparimet nuk mund të premtoj se do ndodhë këtë vit” – deklaroi Merkel në një takim virtual me diplomatë dhe anëtarë të vendeve kandidate dhe anëtare të BE-së.


Merkel shprehet e shqetësuar për ndarjet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë dhe shpreson për një “lënie mënjanë të grindjeve” ndërsa nuk ka asnjë këshillë për Shqipërinë. Thjesht “jemi pak ndryshe” ne dhe nuk mund të na premtojë asgjë…

Po për çfarë jemi kaq ndryshe ne, pse znj Merkel do të na ndajë nga Maqedonia, e cila, sherri ynë nuk e mori çeljen e negociatave as vitin e shkuar?

Ndër mend më vijnë deklarimet e forta të Kryeministrit Macron në Nëntor 2019) kur tha :

“Ka një shumicë vendesh evropiane (përveç një pakice) që ishin pro hapjes së negociatave me Maqedoninë e Veriut por kishte një shumicë vendesh kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë. Unë mendoj që hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe lënia vetëm e Shqipërisë do të ishte gabim i tmerrshëm për rajonin”

Atëherë çfarë e detyroi Kancelaren Merkel sot, një vit pas kësaj deklarate, të shprehej pro ndarjes?

Kryeministri ynë vazhdimisht shprehet se kjo është një çështje e brendshme e Bashkimit Evropian. “Holanda ka probleme të vetat, edhe Franca, më ka thënë vetë Macroni mu kur flas në telefon”. Po për Maqedoninë e Veriut nuk kanë problem të brendshme Holanda Franca etj? Pse për ata bien dakort, madje i luten edhe Bullgarisë për të reaguar tolerante ndërsa për ne deklarojnë: “jemi pak më ndryshe”?

Bundestagu gjerman  vuri 15 kushte për Shqipërinë, vjet në Tetor, kur refuzoi hapjen e negociatave për dy vendet tona. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dha dorëheqje dhe e çoi vendin në zgjedhje të përgjithshme pasi e konsideroi një dështim personal moshapjen e tyre. Ndërsa Kryeministri ynë, që mori në qafë kolegun e vet maqedonas, deklaronte në mënyrë sistematike që këto “janë probleme të brendshme të vendeve të Evropës”

Ndër kushtet kryesore të Bundestagut ishte Reforma Zgjedhore konsensuale. Çfarë bëri Kryeministri ynë? Pasi miratoi një draft të përbashkët me Opozitën, që në thelb nuk ndryshonte asgjë nga ligji ekzistues, bëri ndryshimet kushtetuese kundër vullnetit të opozitës jashtëparlamentare.

Publiku shqiptar shihte plot maraz talljen publike me surrogatët parlamentarë, që, nën petkun e një sistemi me lista të hapura, zhdukte përfundimisht koalicionet parazgjedhore! Më në fund Edi Rama bëri realitet ëndrrën e tij të vjetër, daljen e partive me lista të veçanta ose me vetëm një listë të përbashkët por kurrsesi me koalicion parazgjedhor me lista të ndara.

Ky ndryshim kushtetues, që rrëzonte marrëveshjen e 5 Qershorit, ishte përfundimisht një tallje edhe me ndërkombëtarët, me ambasadën amerikane, Bundestagun, integrimin dhe çdo factor tjetër evropian që ishte bërë ndërmjetës dhe garant për Reformën konsensuale!

Në emër të sovranitetit, Edi Rama u dha një shkelm bythëve të gjithë të lartpërmendurve dhe i kënaqur vazhdoi punën për rrënimin  e listave të hapura në seancën e Shtatorit…

Mirëpo ja, Merkeli nuk mund të harronte. Po bën të pabërën, atë që dikur Makroni e komentonte si “Ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia është një gabim i tmerrshëm për rajonin”!

“Nuk ka gjë, më mirë këtë gabim të tmerrshëm sesa të durojmë kapardisjen e një mendjemadhi ballkanas. Le të vazhdojë me Minishengenin ai” – duket sikur thonë liderët evropianë.

Edhe Rama nuk është fort i merakosur. Në fund të fundit, ndoshta është më mirë kështu, me raporte të ngrira me BE-në. E çdo e gjejë Ramën nga refuzimi kokëfortë? Kështu do shtojë edhe më abuzimin brenda vendit. Me zgjdhjet në sfond duket që ky refuzim është i mirëpritur madje.

Shqiptarët  po, ata do humbasin. “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” – kanë 30 vjet që ulërasin dhe shpresojnë të bëhen vërtetë. Por kjo është një punë e tyre jo e Kryeministrit…

Lajmi i dytë kishte të bënte me Fondin Monetar Ndërkombëtar, institucionin më me reputacion të financave. Në raportin e tij për Shqipërinë, përveç përgëzimeve që ndodhin rëndom, ngrinte disa probleme mjaft shqetësuese:

FMN i rekomandon qeverisë që të frenohet dhe të mos kryejë shpenzime jo prioritare në mënyrë që të lirojë fondet për reagimin ndaj emergjencave si dhe të sigurojë një përdorim të përshtatshëm të fondeve dhe monitorim të tyre”.

FMN vlerëson që ka një rrezik të lartë që projektet e partneritetit publik privat (PPP) të hartuara keq, të rrisin detyrimet. Rreziku është mesatar që këto kontrata të dëmtojnë eficiencën e investimeve publike dhe të krijojnë detyrime të mëdha, që mund të cenonin qëndrueshmërinë fiskale dhe të borxhit.

Një tjetër rrezik i mesëm është që kriza të çojë në pakënaqësi sociale dhe destabilitet politik dhe nëse kjo do të ndodhte rreziku i pasojave do të ishte i lartë dhe do të rriteshin pabarazitë.

Ndërkohë që FMN po na lajmëron se po mbarojnë amortizatorët fiskalë dhe ekziston një rrezik i lartë nga projektet PPP, Kryeministri ka vendosur që, përveç PPP-ve ekzistuese të shtojë edhe 6 të tjera, ndër të cilat vetëm rruga Milot – Fier ka të planifikuara rreth 1,4 miliardë Euro për 115 km! Shto këtu edhe rreth 160 mln Euro për infrastrukturën e bazës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore, rreth 100 milionë Euro për Aeroportin e Vlorës etj etj. Në total janë planifikuar në buxhetin e shtetit rreth 1 miliardë e 778 milionë Euro!

Është e drejta e Kryeministrit dhe e Qeverisë të vendosë shpenzimet prioritare. Por, kur institucioni më i lartë financiar ndërkombëtar të këshillon të kihet kujdes me paratë se po bëhet batërdia, taksat po ulen, sëmundja po përhapet, varfëria po shtohet, Kryeministri ynë i jep edhe shkelmin e fundit financave që edhe ashtu ishin drejt greminës.

Ermal Mulosmani/Gazeta Express

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu