• |
ide | kryesore

Gjermani/ Kufizimet e pjesshme shtyhen deri në janar

-Instant, Lajme, Planet



Kursi që po ndjek Gjermania kundër pandemisë së koronavirusit me ndalimin e rreptë të kontakteve si dhe me mbylljen e institucioneve kulturore dhe argëtuese do të vazhdojë deri më 10 janar. Kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrat e landeve vendosën, që të shtyhen masat kufizuese për popullsinë për shkak të pandemisë. Këtë e komunikoi kancelarja pas konsultimeve që zgjatën pesë orë me kryeministrat e landeve.

Më 4 janar kryeministrat e landeve do të konsultohen sërish me kancelaren, për të gjykuar mbi hapat e mëtejshëm. Kufizimet e pjesëshme në fuqi që nga nëntori u shtynë javën e kaluar deri për më 20 dhjetor. Qëllimi i këtyre masave është, që të ulet indikatori i 7 ditëve të infeksioneve të reja nën 50 për 100.000 banorë, theksoi kancelarja. “Në përgjithësi jemi ende larg kësaj norme”, tha ajo. Ndërkohë ka një numër të lartë vdekjesh çdo ditë”.

Gjendja është e “papranueshme”

Kryeministri i Bavarisë, Markus Söder tha: “Ne nuk mund ta pranojmë kështu këtë situatë. Eshtë e rëndësishme dhe e drejtë, që t‘i shtyjmë deri më 10 janar masat me kufizime të pjesshme”. Söder madje sinjalizoi mundësinë për kufizime edhe më të forta. Në varësi nga zhvillimi i pandemisë duhet të shqyrtohet, nëse në vende të caktuara duhet vepruar qartazi dhe me konsekuencë edhe më në detaje. Ndër masat kufizuese janë ndalimi i kontakteve, mbyllja e lokaleve, e institucioneve kulturore dhe sportive si dhe kufizimi i udhëtimeve.

Përgatitje intensive për vaksinën

Federata dhe landet duan të përgatiten për fillimin e shpejtë të vaksinave ndaj koronavirusit. Licencimet e para të vaksinave në BE mund të fillojnë në fund të dhjetorit, tha Merkel. Ndaj është e rëndësishme, që përgatitjet të vazhdojnë në shkallë të gjerë. Në lande po bëhen pëpjekje të mëdha për krijimin e qendrave përkatëse të vaksinimit. Kjo shoqërohet me një rakordim të hollësishëm në përcaktimin e rendit të vaksinimeve nga një komision i përhershëm. Mbi këtë bazë Ministria e Shëndetësisë do të nxjerrë një rregullore, shpjegoi kancelarja.

Instituti Robert Koch-Institut (RKI) brenda 24 orëve të fundit njoftoi për 487 raste vdekjesh nga koronavirusi. Kjo është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë. Gjithashtu në Gjermani vazhdon të ketë shumë të infektuar. Gjatë ditëve të fundit ka pasur një rënie të ulët të infeksioneve të reja, por efekti i shpresuar prej kufizimeve të pjesëshme ende nuk është ndjerë./DW



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *