• |
ide | kryesore

“Tirana e dënuar të fitojë”: Dede paralajmëron Partizanin para derbit

-Instant, Sport



“Në qoftë se starti do të ishte i mirë unë nuk do të isha këtu, por do të vazhdonte Emanuel Egbo, trajner i Tiranës dhe nuk do të ishim në këtë histori. Kur nuk ka start të mirë bëhen edhe ndryshimet”. Nevil Dede e merr me hipoteza vigjiljen e derbit me Partizanin, që mund ta fusë Tiranën në rrjedha të padëshiruara në një sezon të nisur shumë keq e ku mbrojtja e titullit bëhet cdo javë edhe më e vështirë. E megjithatë përpara ndërqytetases, tekniku bardheblu preferon ti shohë gjërat pozitivisht, ndoshta edhe për të karikuar disi ambjentin: “Nuk besoj se kemi shënuar pak. Ky është këndvështrim dhe perceptim i çdokujt. Unë do të thoja që nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë, që bën histori për tifozët dhe qytetin tonë si dhe për kundërshtarin. Do ta përjetojmë shpirtërisht dhe mendërisht dhe në fund fare do ta interpretojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Për 25 herë kampionët nuk ka ndeshje që nuk duhet fituar dhe kjo filozofi e ka udhëhequr klubin në vite. Ky është mentaliteti që edhe Dede do të dëshironte të shihte tek të tijtë, nga të cilët megjithatë kërkon të largojë presionin: “Tirana është “dënuar” gjithmonë që të fitojë. Është “dënuar” që të pretendojë për titullin kampion. Në historinë e këtij klubi kështu është perceptuar dhe të gjithë brezat janë rritur me këtë filozofi dhe mendim. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë. Të kemi respekt për veten”.

Kalendari nuk është në favor të Dedes, që ende nuk e ka provuar fitoren, por duhet thënë ka patur edhe shumë mungesa: “Në situatën që jemi, në kushtet që po zhvillohet kampionati, ndeshjet janë çdo 3 ditë, maksimumi kemi pasur në dispozicion jo më shumë se 2-3 seanca stërvitore. Në këto kushte duhet të bëjmë më të mirën, të jemi të përqendruar dhe të përmirësojmë ato problematika ku kemi shfaqur disa oshilacione në pjesë të caktuara të një ndeshje”.

Ndoshta barazimi do të ishte një ngushëllim për të dyja skuadrat, duke qenë se fitorja është e rëndësishme, sidomos në derbi, por më tepër të mos dalësh i mundur: “Ekipet do të mundohen të gabojnë sa më pak dhe të marrin sa më shumë nga kjo ndeshje. Kjo është përgjigja më e saktë që mund t’ju jap”.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *