• |
ide | kryesore

“Duka mi pati treguar synimet e tij”: Reja tregon çfarë fiton Shqipëria nga finalja europiane në Tiranë

-Instant, F1, Sport



“Jam surprizuar, për mirë kuptohet, nga ky vendim i UEFA-s. Sigurisht me stadiumin e ri të ndërtuar së fundmi edhe faktin që Shqipëria po rritet, ky është motiv i madh kënaqësie veçanërisht për Federatën Shqiptare të Futbollit. Ky është komenti i teknikut të Kombëtares, Edoardo Reja, në lidhje me vendimin e UEFA-s për të zhvilluar finalen e turneut më të ri “Conference League” në vitin 2022 në stadiumin “Air Albania” të Tiranës. “Një ngjarje e këtij lloji është diçka historike për Shqipërinë. Kjo do të thotë që vendi tashmë ka besueshmëri edhe në nivel evropian. Në fakt, pas ndërtimit të stadiumit Presidenti Duka më pati thënë se synimi i tij ishte që të luhej një finale e madhe në Shqipëri dhe sigurisht që ai ka pasur rol kyç në këtë mes”, – ka vazhduar Reja, duke folur për FSHF.org.

Pavarësisht problemeve të vazhdueshme me fushën, ku derbi i kryeqytetit tregoi gjendjen e mjerueshme të saj, tekniku italian vlerëson stadiumin e ri të kryeqytetit, që sipas tij do të jetë një reklamë e shkëlqyer për imazhin e Shqipërisë jashtë vendit: “Në aspektin sportiv shqiptarët do të kenë mundësi të shohin ‘live’ një finale ku vlerat teknike janë të një niveli të lartë, duke shpresuar që në këtë sfidë të vijnë skuadra të rëndësishme. Të organizosh një finale të tillë në stadiumin e ri, që është një vërtetë një xhevahir, do të thotë shumë edhe për imazhin e Shqipërisë në nivel ndërkombëtar – vlerësoi Reja -. Është e vështirë që UEFA të të japë një organizim të tillë nëse nuk ka garancitë e duhura që vendi është në gjendje të presë një finale evropiane. Edhe në aspektin turistik pritja një eventi të tillë është shumë e rëndësishme pasi do të ketë të ardhura për të gjitha baret, restorantet, hotelet. Nëse të huajve do t’u pëlqejë vendi mund të kthehen sërish për pushime”, – vijon trajneri i kuqezinjve.

“Shqipëria po rritet, po zhvillohet dhe po përpiqet të bëhet gradualisht si vendet e tjera të BE-së. Madje, në futboll ka ecur shumë përpara dhe ka treguar se është në nivel me vendet e tjera të unionit. Pastaj janë edhe shkëmbimet kulturore, eksperienca të reja për mentalitete të ndryshme dhe raporte të reja që krijohen në këto raste të pasurojnë dhe e ndihmojnë vendin të zhvillohet. Ky event nuk vlen vetëm për natën e finales, por ka efekte të shumta pozitive javë para ndeshjes dhe më pas me jehonën e ndeshjes”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *