Rusia ka filluar programin e saj për vaksinimin ndaj Covid-19. 70 klinika në Moskë filluan të injektojnë njerëzit të shtunën me vaksinën Sputnik-V, tha grupi i punës për koronavirusin i këtij qyteti. Vaksina po vihet në dispozicion të punonjësve të kujdesit shëndetësor, punonjësve socialë dhe atyre që punojnë në shkolla sepse ata rrezikohen më shumë nga ekspozimi ndaj koronavirusit. Sipas mediave, personat mbi 60 vjeç nuk janë përfshirë tek ata që po marrin vaksinën të parët. Vaksina ruse përbëhet nga dy injeksione dhe injeksioni i dytë është planifikuar tre javë pas të parit.
Mijëra njerëz janë regjistruar për të marrë vaksinën. Sidoqoftë, nuk ishte e qartë se sa doza vaksine janë prodhuar. Disa shkencëtarë kanë vënë në dyshim efikasitetin e vaksinës së prodhuar nga Rusia për shkak të hedhjes së saj të shpejtë në treg. Sipas Universitetit Johns Hopkins, Rusia ka 2.4 milionë të infektuar me Covid dhe më shumë se 42’000 viktima. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara, qyteti San Fransisko i Kalifornisë dhe disa zona pranë tij thanë të premten se do të fillojnë zbatimin e urdhrave për qëndrimin në shtëpi këtë fundjavë si pjesë e betejës së tyre kundër koronavirusit.