• |
ide | kryesore

Disa rreziqe pas fitores së Biden

-Instant, 2, Arkiva, Ide



Fitorja e Joe Biden-it në garën presidenciale në SHBA është lajm i mirë. Më në fund shqiptarët nuk do të jenë aq të parëndësishëm për administratën amerikane, saqë të konsiderohen popull i Lindjes së Mesme. Po ashtu, nuk do të vazhdojë tendenca për një afrim amerikano-rus, e cila në Ballkan nënkuptonte direkt forcim të Serbisë në dëm të Kosovës e, përgjithësisht, të shqiptarëve (por edhe në dëm të Bosnjës, Malit të Zi, Maqedonisë, Kroacisë, Bullgarisë etj.). Biden-i është politikan që e njeh mirë rajonin dhe çështjen shqiptare, madje në karrierën e tij të gjatë ka dhënë jo rrallë prova për konsideratat e tij dashamirëse e në përfitim të kombit tonë. Pozicionet e Biden-it janë politika të rrahura në kudhrën e Luftës së Ftohtë dhe të periudhës menjëherë pas saj, i përkasin traditës së wilsonianëve demokratë amerikanë dhe përpjekjes së tyre për të përforcuar barrierat vlerore (por edhe ushtarake) atje ku kufizohen botëkuptimet, ai i demokracisë liberale, me atë të iliberalizmit rus ose të kapitalizmit shtetëror kinez.

Por, a jemi në pozitë për të festuar e për të fjetur pas fitores së Biden-it? Sigurisht, e mirë shumë për ne kjo fitore, por nuk bën të mbyllim sytë e të mos shohim realitetin gjeopolitik, i cili nuk është aspak i rehatshëm nëse nuk nis të ndryshojë rrënjësisht politika e bërë prej shqiptarëve në shtetet e tyre.

Rreziku i parë: Polarizimi politik në SHBA

Dikush mund të thotë se ç´lidhje ka polarizimi i atjeshëm me situatën e shqiptarëve ose me Ballkanin. Në fakt, edhe gjatë zgjedhjeve amerikane rrjetet sociale dhe emisionet e analizës u vërshuan me «njohës të çështjeve», që siguronin shqiptarët se për amerikanët Ballkani nuk ka asnjë rol. Të njëjtët, para fushatës, thoshin se administrata Trump-i nuk ka interes të bëjë presion për marrëveshje mes Serbisë e Kosovës, se këto vende janë të vogla e të parëndësishme. Puna është se, ndërkohë që qindra milionë amerikanë vërtet as nuk dinë e as nuk kanë kohë të dinë për Ballkanin, kur vjen puna te zgjedhjet, në shtete të rëndësishme për të përcaktuar rezultatin, pamë se mjaftojnë pak mijëra vota për «t´ia dhënë» elektorët njërit kandidat ose tjetrit. Komunitetet e organizuara etnike, që jetojnë të përqendruar në ndonjërin prej shteteve amerikane, mund të luajnë rol në peshore, në ditën e zgjedhjeve. Është amatorializmi i thellë i «analistëve» medialë shqiptarë ai që i ka penguar ta kuptojnë këtë fakt, që shpjegon se pse u gjet koha pikërisht gjatë fushatës për takimin e 4 shtatorit në Washington, dhe pse u këmbëngul për atë marrëveshje aq të dëmshme për shqiptarët dhe aq të mirë për serbët. Sigurisht, Trump-i i mori votat e shumicës së serbëve, por shqiptarët e votuan shumë pak, dhe kjo, në disa shtete si Wisconsin e Michigan, ku ka komunitete domethënëse shqiptare, ka luajtur patjetër rol në rezultatin përfundimtar.

Kur nuk ka pasur ndonjë polarizim të madh politik në SHBA, shqiptarët kanë pasur arsye të jenë më të qetë. Ata kanë votuar sipas bindjeve e interesave të veta, për secilën nga dy partitë ose edhe nuk kanë votuar fare. Por, polarizimi i madh në SHBA, i rrjedhur prej pamundësisë për t´i dhënë përgjigje krizës globale ekonomike të 2008 (sepse nuk po gjendet ende guximi për të dalë prej ekonomisë neoliberale dhe fundamentalizmit tregtar, të themeluar në kohën e Reagan-it), krijon çarje të rrezikshme (edhe për shqiptarët) nëse fillon të reflektohet në politikë të jashtme, siç u pa në katër vitet e fundit.

Analistë të ndryshëm në SHBA shkruajnë se Trump-i humbi, mirëpo ai megjithatë e rriti numrin e votuesve, duke mbërritur një rekord sa i përket kandidatëve republikanë. Ai ka shënuar rritje edhe në pjesë të popullsisë, siç janë afro-amerikanët, latinot, personat LGBT ose edhe gratë, gjë që tregon se nuk mund të shpjegohet performanca e tij vetëm përmes klishesë së racizmit ose seksizmit. Në fakt, mbështetja e fortë për Trump-in ka ardhur nga të gjitha shtresat shoqërore, nga njerëz të cilët ndjejnë një nevojë urgjente për ndryshim, njerëz të lodhur prej një qeverisjeje teknokratike e menaxheriale, që nuk mbërrin t´u japë kuptim jetëve të qytetarëve, e as të krijojë hapësirën e nevojshme për të ëndërruar ëndrrën e famshme amerikane. Mbase, pandemia luajti rol vendimtar për rezultatin zgjedhor, megjithatë nuk mund të mos vihet re se Trump-i ishte një politikan i improvizuar, që i mungonte një parti besnike pas vetes e që kuadrot i kishte të rekrutuar aty për aty, politikan që i mungonte zhdërvjelltësia dhe bënte armiq pa nevojë, mirëpo ndonjë politikan tjetër, më i disiplinuar, më punëtor e më i vetëpërmbajtur, edhe me të njëjtat teza do të mund ta krijonte një dallgë që do të mund të fitonte në zgjedhjet e ardhshme – sidomos nëse nuk ndodh një thellim i demokracisë dhe një reformim i ekonomisë në SHBA.

Nuk duhet harruar se, edhe nëse tezat e Trump-it do të bien në ujë për një kohë më të gjatë, dhe ndoshta nuk kthehen më, megjithatë shqiptarët nuk mund të shmangen prej nevojës për t´u angazhuar e për të punuar seriozisht që të shmangin rreziqet.

Rritja e madhe e Kinës është faktori kryesor që ndikoi trumpizmin gjeopolitik, pra që diktoi tentativën për afrim me Rusinë përmes appeasement-it, për ta shkëputur atë nga Kina. Por, ky faktor vazhdon të mbetet real dhe kërcënues edhe në të ardhmen, e të gjitha administratat, demokrate ose republikane, do të ballafaqohen me këtë problem dhe do të duhet të gjejnë zgjidhje. Parë nga këndvështrimi amerikan, nuk është edhe aq e leverdishme që Rusia «t´i lihet Kinës». Shkeljet e të drejtave të njeriut, mungesa e demokracisë e kështu me radhë, janë faktorë të rëndësishëm, por jo faktorët determinantë në përcaktime gjeopolitike të llojit të tillë (siç është dëshmuar vazhdimisht në histori).

Edhe sikur të mos ishte faktori kinez, ka faktorë të tjerë. Për shembull, çështja e angazhimit ushtarak të SHBA-ve nëpër botë. Kjo çështje e ndan skenën politike amerikane. Ka mes republikanëve e demokratëve shkolla të mendimit politik që pajtohen dhe janë pro ndërhyrjeve amerikane nëpër botë, për të rrëzuar diktatura e për të promovuar demokracitë liberale, mirëpo kur vjen puna te çështja e mbajtjes së prezencës ushtarake në ato vende, këtu përgjithësisht republikanët janë kundër zgjatjes. Demokratët janë të përkushtuar për ruajtjen afatgjatë të paqes, ndërsa republikanët kërkojnë një investim më të shpejtë në shtetndërtim dhe sa më shpejt që është e mundur, kthimin e trupave në shtëpi (me përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me baza ushtarake që kanë domethënie strategjike). Kështu, Anthony Blinken (i cili flitet se do të jetë Sekretar i Shtetit pranë presidentit Biden), qysh në 2001 e kritikonte tendencën e republikanëve për të mos e mbështetur vazhdimin e prezencës amerikane në Ballkan. Pra, shumë kohë përpara trumpizmit (e sigurisht edhe shumë kohë pas tij) ekziston prirja për të zvogëluar angazhimin e trupave. Kjo prirje e republikanëve për të kryer punë e për të ikur, ndihmon për të shpjeguar edhe se pse pavarësia e Kosovës u arrit gjatë një presidence republikane si ajo e Bush-it. A do të ishte arritur gjatë presidencës së Obama-s?

Në dallgët që mund të vijnë (urojmë të mos vijnë) në të ardhmen, mund të na paraqitet sërish tendenca për të larguar prezencën ushtarake nga Kosova ose edhe ndonjë tendencë që trondit NATO-n (në vitet e fundit ka pasur të tilla). E vetmja mënyrë për t´i dalë përpara kësaj është që, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe NATO-n, Kosova të ndërtojë kapacitetet e veta ushtarake, e që Shqipëria me Kosovën, së bashku, të koordinohen për të pasur një ushtri mjaftueshëm të pajisur sa për të krijuar një balancim rajonal, karshi Serbisë të kontrolluar prej Moskës.

Rreziku i dytë: Plakja e shqiptarofilëve

Presidenti Biden i përket një gjenerate politikanësh që kanë filluar të jenë aktivë qysh në vitet ´80. Midis tyre pati shumë kongresmenë e senatorë, si dhe njerëz me pozita të larta në administratat amerikane, të cilët Lufta e Ftohtë i edukoi të jenë shumë të kujdesshëm sa i përket politikave që rrjedhin nga Moska dhe marionetat e saj. Po ashtu, Jugosllavia, një shtet që mbante të robëruar kombe të tëra në emër të manisë serbomadhe, është parë me dyshim nga ajo traditë politikanësh. Mirëpo, kjo gjeneratë politikanësh tashmë është në prag të pensionimit. Së fundi kongresmeni Eliot Engel, një shqiptarofil i njohur që drejton Komitetin për Politikë të Jashtme të Kongresit amerikan, i humbi zgjedhjet primare brenda partisë demokratike. Është një proces normal: brezat e zëvendësojnë njëri-tjetrin (edhe pse duhet pohuar me respekt se në SHBA nuk shohim, fatmirësisht, në pozitat më të larta shtetërore a diplomatike, njerëz në moshë krejt të re, siç ndodh tek ne).

Problemi (nga këndvështrimi ynë modest, sepse për kombe të tjera ky nuk është aspak problem) është se brezat që po ndërrohen, politikanët e rinj dyzet e pesëdhjetëvjeçarë nuk kanë ndonjë lidhje të fortë me gjeopolitikën para se të binte Muri i Berlinit. Pak prej tyre e kuptojnë rrezikun rus. Po ashtu, pak prej tyre i mbajnë mend vitet e ´90-ta dhe luftërat e shkaktuara prej Serbisë në Ballkan.

Lobimi sistematik dhe organizimi i diasporës ka bërë që Serbia ta përmirësojë shumë imazhin e vet, e njëkohësisht të çojë përpara në Kongres e Senat njerëz me origjinë serbe, por edhe të marrë poste të larta në administratë. Gjatë administratës Trump dy poste të larta në kabinet janë mbajtur nga serbo-amerikanë.

Ndërkohë shqiptarët kanë bërë shumë pak për të siguruar miqësi e mbështetje në gjeneratat e reja politike në të dyja partitë e mëdha, ndërsa sa i përket lobimit, politikanët e Tiranës dhe Prishtinës vazhdimisht e kanë përdorur këtë sa për të siguruar vizita, shtrëngime duarsh e fotografime, në vend se ta përdorin për të çuar përpara agjendën kombëtare, për të fituar më shumë njohje për Kosovën, marrëveshje më të favorshme tregtare ose ekonomike ndërkombëtare, fuqizim të ushtrisë e kështu me radhë.

Rreziku i tretë: diaspora e paorganizuar

 Kur jemi te dështimi në lobim, duhet thënë se një nga dimensionet që ka thelluar dështimin ka qenë edhe përzgjedhja e kompanive lobuese pa pasur asnjë lloj ndjeshmërie ndaj diasporës shqiptaro-amerikane. Në vend që paratë e destinuara për lobim prej qeverive të Shqipërisë e Kosovës të dërgoheshin te organizatat shqiptaro-amerikane, gjë që do t´i forconte ato, paratë janë dërguar në kompani profesionale, të cilat nuk ofrojnë asnjë besnikëri ose vazhdueshmëri përtej kontratës. Shpenzimi i parave në mënyrë të tillë në fakt e ka «vdekur urie» lobin shqiptaro-amerikan, i cili kurrë nuk ka qenë më i dobësuar në tre dekadat e fundit.

Rol dobësues ka luajtur edhe partiakëzimi i organizatave e shoqatave të diasporës. Personat e njëjtë që e kanë kapur shtetin e pushtetin në Kosovë e Shqipëri, i kanë kapur ose janë përpjekur t’i kapin edhe shoqatat e diasporës, gjë e cila ka rezultuar në përçarje të mëdha e disfunksionalitet. Në vend që të vinte një mesazh kombëtar e pajtues, prej vendit të origjinës vjen mesazhi i ndarjes…

Mijëra studentë shqiptarë, të cilët studiojnë anembanë SHBA-ve e që kanë kontakt me shumë profesorë e studentë të tjerë, mijëra biznesmenë, mijëra profesionistë, një pjesë e të cilëve punojnë edhe në kompani me impakt politik e publik, ose edhe në administratë shtetërore, nuk kontaktohen asnjëherë e nuk ka përpjekje sistematike për ta shfrytëzuar këtë potencial për ta rritur impaktin e politikës shqiptare në SHBA. Sigurisht, midis tyre mund të ketë shumë që nuk kanë asnjë interes, sepse është krejt legjitime të ndjekin interesin vetjak. Mirëpo, atdheu i origjinës megjithatë duhet t´ua jepte mundësinë të kontribuonin, duhet t´i kontaktonte. Sigurisht, një pjesë e tyre do ta jepnin një kontribut në këtë drejtim.

Përfundim

Pra, fitorja e Biden-it për shqiptarët duhet konsideruar jo si rikthim në kohën para-Trump-it, kur politikanët vendorë kryesisht u dhanë pas korrupsionit, sepse për ne mendonte Amerika, por si katër vite afat për të ndërtuar forcuar ekonominë e shtetin dhe për të ndërtuar legjitimitet ndërkombëtar e vendor (që nënkupton demokraci dhe luftë ndaj korrupsionit).

Shqiptarët, si komunitet e si shtete, duhet të investojnë në thellimin e bashkëpunimit me administratën Biden, duke synuar që të nxjerrin prej saj një ekonomi e një ushtri funksionale. Megjithatë, duhet kuptuar se politikanëve të korruptuar gjer në palcë asnjë shtet i përgjegjshëm nuk mund t´u ofrojë forcim ushtarak, sepse kjo është e rrezikshme. Prandaj, të mos presim që do të ndodhë ky thellim, pa larguar së pari kastat e korruptuara në Tiranë e Prishtinë, gjë për të cilën, nëse është përpjekja qytetare vendore, nuk ka për të munguar mbështetja prej Washington-it.

Po ashtu, duhet punuar për të ndërtuar e kultivuar marrëdhëniet me gjeneratat e reja në Kongresin e Senatin Amerikan në të dyja partitë. Kjo duhet të shkojë dora-dorës edhe me ndërtimin e një strategjie kombëtare për forcimin e lobit shqiptar në Amerikë, për mbështetjen e zyrtarëve shqiptaro-amerikanë në administratën shtetërore të atjeshme, si dhe për koordinimin dhe komunikimin e vazhdueshëm me diasporën tonë atje.

Janë vetëm katër vite kohë!



7 Comments

  1. Sali Berisha më 8 dhjetor 1990 u shfaq në podium duke pershendetur shpalljen e pluralizmit dhe vendimin e studentëve për themelimin e Partisë Demokratike.

    Ai përshëndeti Ramiz Alinë dhe e vlerësoi atë si një njëri të guximshëm, i cili me atë guxim që udhëhoqi ushtrinë në betejat çlirimtare udhëhoqi vendin edhe në betejat e reja të demokracisë.

    Pastaj shtoi se shpresonte që Alia të mbetej mik i Partisë Dëmokratike.

    Reagimi i studentëve ishte i ashpër dhe Berisha u detyrua të ndërpriste fjalën.

  2. Mire e ke ti po ne kemi 30 vjet e jemi ne vend numero. Imagjino ,as nje pale zgjedhje te lira e te pakontestuara nuk kemi arritur te bejme.
    Si mund te presesh zhvillim kur themeli i nje shoqerie institucioni i zgjedhjeve nuk eshte ndertuar akoma. Konceptet e tua jane shume te drejta por une them se asnje nuk do te realizohet nga keta politikane legena.

  3. Pasi ka dështuar ta mundë me zgjedhje, pasi ka dështuar ta mundë me bojkot, pasi ka dështuar ta mundë me djegie mandatesh, apo propagandë bajate shifrash e numrash, tani mendon se ka gjetur zgjidhjen e duhur përse Edi Rama duhet të ikë. Kjo që ka qeverisur dy mandate, i duket një argument bindës për të vetët.

    Bile për ta kthyer këtë dëshirë në rregull, ai ka premtuar sot, se sa të marri pushtetin, do ta vendosë në ligj, që një kryeministër duhet të rrijë dy mandate, jo më shumë.

    Kjo e tëra është në funksion të fushatës së tij kapitulluese, që Edi Rama duhet të ikë se nuk mund të qeverisë tre mandate.

  4. Te dashur komentues analisti po flet per politiken e jashtme jo per Ramen,Salen,Lulin dhe Ramizin,levizjen studentore apo zgjedhjet e ardhshme.Shqiptari si gjithmone i varfer ne xhepa i varfer dhe ne tru.Ju siguroj qe Amerikes dhe vete Botes ne keto momente me shume do i bente pune Trump.

  5. Analize mediokre, ndryshimi midis shqiptarve e serbeve, eshte se ne jena pashtylle kurrizore, serbet jane shtet. Endrat qe ne na kan qejf edhe serbet jo, jane mediokritet, arsyeja e vetme qe ne na kane mbeshtetur usa, eshte fakti se ne 90 duhej te shkrembohej nje shtet i madh si jugosllavia, kaq pike.

  6. Cendri-fugistet qenkan versulur me mut ne dore per Saliun edhe te ky shkrim per zgjedhjet ne Shba…..
    Jane ne panik total e s’u do vene re!

    Sa i takon Presidentit te zgjedhur, analisti mendon se Biden ka parime dhe retrospektive, madje i nkeh mire ceshtjet e Ballkanit.
    Por sot kohet kane ndryshuar.
    Ata qe e kame bere te mundur zgjedhjen e Presidentit te vitit 2021 do t’u duhet te merren ekskluzivisht me Kinen!
    Kushdi qe te fitonte, Trump a Biden, do te merren gjeresisht me Kinen!
    Ndaj Ballkani apo Shipqeria e Serbia me Kosoven do te jene thjesht ca xhama qe do te thyhen nga shperthimi i madh rreth e rrotull.

    (Personalisht mendoj se do t’i bien fort Kines)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *