• |
ide | kryesore

Partizani, gjashtë sulmues asnjë gol për 270 minuta: Daja ‘tradhëtohet’ nga reparti i besuar

-Instant, F1, Sport



Një humbje që djeg ajo e pësuar në Shkodër për Partizanin. Jo vetëm sepse tashmë të kuqtë e shohin vendin e parë nga 7 distanca larg, por sepse ajo që duhet të shqetësojë më shumë teknikun Ilir Daja është shterpësia para portës e skuadrës së tij, tashmë në ndeshjen e tretë radhazi pa shënuar në kampionat. Në shifrat totale të 8 javëve të luajtura nuk mund të quhet dramë, duke qenë se të kuqtë me 10 gola, po aq sa Laci, janë ofensiva e tretë më e mirë e Superiores, por ajo që ka ndodhur në tre javët e fundit, në të cilat kryeqytetasit kanë humbur ekzakt 7 pikët e diferencës me Vllazninë, nuk mund të mos ketë lënë gjurmë në idetë e tekniku përsa i përket mekanizmit ofensiv.

E thënë kjo edhe për faktin se, në limitet që kondicionojnë të kuqtë, me merkato të bllokuar e numra të reduktuar lojtarësh të mbrojtjes e mesfushës, pikërisht sulmi ishte ai që mbante me shpresë Dajën, për të balancuar situatat. Kualiteti ofensiv i Partizanit duhet të bënte diferencën, edhe për shkak të zgjedhjeve të shumta, ku asgjë nuk humbet cilësinë. E pikërisht 270 minutat pa gol të Brown, Solomon, Bardhit, Asanit, Carës e Cardosos janë një detaj që nuk mund të anashkalohet. Në 70% të rasteve Solomon Cardoso e Bardhi janë përzgjedhur nga Daja dhe gjërat dukeshin positive deri në treshen e fundit të takimeve.

Mund të jenë ndeshje të shkuara keq, por mund të jenë edhe pozicionet në një 4-1-4-1 që ndrydh lojtarët e krahut, shumë larg portës, gjë që mund të kërkojë një ndryshim konceptual, gjithnjë nëse Daja e sheh të arsyeshme, në pritje të rikthimit në dispozicion të sulmuesit të 7, Cinarit, pas përfundimit të dënimit, apo me shpresën për clirimin e merkatos….



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *