• |
ide | kryesore

Analiza e DW/ Karantina, një zgjidhje me shumë të panjohura

-Instant, Arkiva, F1, Planet

Gjermania të mërkurën kalon për herë të dytë në lockdown. Për shkak të shifrave të larta të infektimeve dhe vdekjeve mbyllja është e pashmangshme. “E prapë gjithçka mund të bëhet më keq”, – mendon Marcel Füsrtenau.


Kancelarja gjermane, Angela Merkel e ka nënvlerësuar rrezikun e Coronës. Në fund të shtatorit u shpërnda si thashethem nëpër media informacioni, se kristiandemokratja ka paralajmëruar në një konferencë me video të partisë së saj për mbi 19.000 infektime të reja në ditë deri në krishtlindje. Shumë vetë e quajtën këtë alarmizëm. Sot vetë kritikët dhe Merkeli do ishin të gëzuar, nëse prognozat e tyre do të konsideroheshin të ekzagjeruara. Për fat të keq kjo ka ndodhur. Që tani Instituti Robert Koch regjistron në ditë të caktuara rreth 30.000 infektime. Ajo që duhet t’i bëjë të mendohen e t’i trembë edhe neglizhuesit më të mëdhenj të pandemisë është shifra e vdekjeve: Në mes të nëntorit ajo kapte 12.000 vetë, aktualisht janë rreth 22.000 të vdekur që kanë vdekur me ose për shkak të Coronës. (shifra e 13.12.2020). Gati një dyfishim brenda një muaji! Kush nuk i kupton shenjat e kohës, atij nuk mund t’i ndihmohet më!


Mjafton një vështrim në spitale

Për shkak të këtij zhvillimi dramatik një lockdown i ri, të cilin qeveria gjermane e vendosi në ujdi me 16 landet, është absolutisht vendimi i duhur. Kush ka një qëndrim tjetër, mund t’ia thotë në fytyrë këtë personelit në spitale, në shtëpitë e kujdesit apo në kujdesin shtëpiak që lufton plot sakrificë për çdo jetë njeriu. Dhe ta arsyetojë, se pse e gjitha kjo nuk është keq. Situata në të cilën ndodhet Gjermania tani në luftë kundër pandemisë kërkon solidaritetin e të gjithëve. Dhe empati për të prekurit drejtpërdrejt dhe jo drejtpërdrejt. Nuk është koha të hiqesh se i di gjërat më mirë, nuk është koha e atyre që mendojnë se vetëm ata kanë të drejtë apo për ata që nuk duan t’ia dinë. Sidomos këto ditë.

Nëse mund të ngushëllohesh disi apo të marrësh pak inkurajim nga mënyra e veprimit të përgjegjësve të politikës këto ditë, atëherë këtë mund ta gjesh vetëm tek ujdia kaq e madhe kësaj here. Për fat të keq nuk ka qenë kështu në muajt e javët e fundit.

Mësim nga gabimet

Por tani nuk është ora e llogarive mendjevogla, kush ka gabuar dhe kush jo. E rëndësishme është të nxirren mësimet e duhura nga vlerësimet e gabuara të situatës në të shkuarën. Profilizimi në kurriz të të tjerëve nuk është gjesti i duhur. Njerëzit në Gjermani duhet të sakrifikonin shumë, dhe do t’u kërkohet edhe më shumë sakrificë. Gatishmëria për këtë është ende e lartë, sipas sondazheve. Politika do të bënte mirë të nderonte me sinqeritet e ndershmëri këtë mirëkuptim.

Këtu bën pjesë edhe që t’i thuhet hapur popullit më mirë që tani për masat e tjera që do të duhet të merren apo që mund të zgjasin më gjatë. Se që gjendja do të qetësohet më 10 janar, – deri këtë kohë është planifikuar fillimisht mbyllja e dytë -, mbetet vetëm një shpresë e dëshpëruar. Ka shumë shenja për atë që kjo shpresë mund të zhgënjehet. Në fund të fundit dimri zgjat deri në mars. Dhe vaksinat nuk kanë filluar ende. Mbyllja e pjesshme e nëntorit kaloi pa asnjë efekt. Ky është realiteti i hidhur. Prandaj është i pashmangshëm lockdown-i tani. Ndoshta në pranverë kur të hedhim vështrimin pas do të themi, se politika gjermane bëri çdo gjë si duhet më 13 dhjetor. Do ishte mirë sikur të ndodhte kështu, por me siguri nuk mund e nuk duhet ta thotë askush. /DW

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Kthehu