• |
ide | kryesore

Detaje të reja/ Identifikohet çifti i shqiptarëve i vrarë barbarisht në Itali

Arkiva, Lajme, Të fundit



Dalin detaje të reja nga historia e kufomave të copëtuara të gjetur brenda disa valixheve në një zonë me shkurre pranë burgut të Firences dhe autostradës Firence-Pisa-Livorno. Një tatuazh dhe gjurmët e gishtërinjve kanë çuar në identifikimin paraprak të një çifti shqiptar që u zhduk në atë zonë në 2015-ën.

Gjithsesi vendimtar do të jetë testi i ADN-së që po kryhet nga autoritetet, por ka shumë të dhëna që të çojnë te Shpëtim dhe Teuta Pasho, 54 dhe 52, çifti i shqiptarëve që shkoi në Itali për të takuar fëmijët e tyre. në atë kohë dajli i tyre ishte në burgun e Sollicciano dhe një nga hipotezat e krimit është se vrasja ishte një mesazh drejtuar dikujt. 

Hetuesit janë ende të kujdesshëm dhe nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht identitetin e viktimave. Në një krah të gjetur në njërën prej valixheve ka një tatuazh në formë spirance nën emrin e qytetit shqiptar të Vlorës ku edhe dallohen shkronjat “SHP”. Këto të fundit mund t’i referohen inicialeve të Shpëtimit. Në mëngjes, ishin hetuesit e Romës që kishin kryer një krahasim të gjurmëve të gishtave të një dore të cilat korrespondonin pikërisht me ato të Shpëtimit.

Hetuesit gjetën një valixhe të katërt në të njëjtën zonë ku u gjetën 3 të parat me mbetje njerëzore. Pjesa pranë autostradës u pastrua tërësisht për të marrë sa më shumë detaje. Në valixhen e parë u gjet busti i një burri, në të dytën u gjet legeni dhe një këmbë që i përkisnin trupit të një gruaje. Në të tretin kishte bustin dhe një këmbë tjetër të një gruaje.

Ajo që duket e sigurt, sipas vlerësimeve të para të hetuesve ishte një vdekje e dhunshme për të dy. Ata janë shkelmuar, grushtuar dhe madje mbytur. Më pas u copëtuan dhe u hodhën pranë burgut të Sollicciano. Këtu ka nisur edhe njëra prej pistave të hetimit. Ndoshta ishte një mesazh. Në atë burg, pikërisht në kohën kur çifti shqiptar u zhduk, djali i tyre u arrestua. Ai u prangos për posedim të 6 kilogramëve marijuanë.

Mbetjet e gjetura do të ishin “mbështjellë”, me najlon, plasmas dhe shirita, ndoshta për të ngadalësuar dekompozimin e tyre. Kufomat ishin prerë me sharrë dhe ishin futur në valixhe pak pas vdekjes. Më pas dyshohet se u hodhën anës autostradës nga një makinë në lëvizje. Të gjitha valixhet u gjetën të mbuluara nga gjethet dhe bimësia që i kishin përpirë me kalimin e kohës. Pronari i fushës tha se e kishte pastruar zonën 2 vjet më parë dhe nuk kishte vënë re asgjë.

Sa u takon shkaqeve të vdekjes autopsia ndaj burrit, e kryer të shtunën e kaluar zbuloi se aishte goditur me thikë në fyt. Për gruan, autopsia zbuloi se ajo ishte rrahur barbarisht. Nga sa është mësuar ajo kishte goditje të shumta në fytyrë dhe kokë, thyerje të kockave hyoidale dhe të shumë brinjëve.

Djali i çiftit ka humbur gjurmët për karabinierët që nga viti 2016, pas një arratisjeje. Ai përfundoi në burg për trafik droge, por u la në arrest shtëpiak në fund të tetorit 2016. 15 ditë më vonë u zhduk pa lënë gjurmë. Ai duhet ende të vuajë 4 vjet burg.

Vajza e çiftit, e cila jeton në Castelfiorentino (Firence) dhe që në atë kohë kishte kontaktuar edhe mediat që ta ndihmonin për gjetjen e prindërve tha për gazetarët: “Fola me karabinierët dhe jam duke pritur për përgjigjet e testit të ADN-së. Nuk do të kisha dëshirë të flas me ndonjë gazetë derisa e vërteta të dalë nga policia. Ne kërkojmë qetësi sepse as nuk e dimë nëse trupat e gjetur janë ata apo jo. ©LAPSI.al



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *