• |
ide | kryesore

Basha: Serbia po bën spastrim etnik në Luginën e Preshevës, Rama heshti në OSBE

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Fshirja e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës ishte shqetësimi që u ngrit në një takim që kryetari i PD-së, Lulzim Basha pati me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës Arbërie Nagavci, anëtarin e Asamblesë në Komunën e Medvegjës, Muharrem Salihun, Alban Salihun nga Forumi Ekonomik i shqiptarëve në Serbi dhe Sami Salihun nga Asambleja e Preshevës.

Sipas asaj që u tha në takim, kjo çështje është më masive në Medvegjë, por po shtrihet me shpejtësi edhe në Preshevë dhe Bujanovc. Basha tha se kjo çështje duhet trajtuar me prioritet, sepse nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që të ndryshojë struktura etnike e Luginës së Preshevës dhe se ajo çfarë po bën Serbia është spastrim i pastër etnik.

Kreu i opozitës akuzoi qeverinë se Shqipëria ka humbur një mundësi gjatë drejtimit të OSBE-së, për ta trajtuar këtë çështje tejet të rëndësishme për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në këtë mënyrë humbasin çdo të drejtë.

Basha premtoi se menjëherë pas marrjes së detyrës së Kryeministrit do ta trajtojë me prioritet dhe në çdo institucion ndërkombëtar këtë çështje, e cila sipas tij është shkelje e lirive dhe të drejtave të njeriut.
Një tjetër temë e takimit ishte Kosova dhe përpjekjet sipas Bashës për të dëmtuar luftën e drejtë për liri të UÇK.

“Askush nuk mund ta përbaltë luftën e drejtë të UÇK, dhe ne do të bëjmë gjithçka që të mos rishkruhet historia, ku agresori të kthehet në viktimë, siç po përpiqen ta shesin sot. Shqipëria do të miratojë në seancën e parë pas zgjedhjeve të 25 prillit, rezolutën që dënon krimet serbe në Kosovë, si dhe do të heqë të gjitha barrierat mes dy vendeve, duke nisur me traun e rrugës Durrës-Kukës” – tha Basha. ©LAPSI.al



2 Comments

  1. Perse duhet Rama te flas ne OSBE per kete problem? Ai po shet cdo dite interesat shqiptare dhe populli i deleve te Enverit rri degjon dhe hesht. Rama e ka te siguruar vendin ne historine tone shume prane Esat Toptanit. Lulzim duhet ti te behesh nje Avni Rustem ne kuptimin filozofik te kesaj figure te shqiptarise.

  2. Ram nuk mund te jete vecse PRO shkaterrimit te faktorit shqiptar, sepse eshte thjesht nje internacionalist neobolshevik pa atdhe!
    Valixhja plot, mbi te gjitha!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *