Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me çmimim të lartë të karburanteve në botë, më saktësisht e treta. Sipas një renditje të fundit, Global Price Petrol, për çmimin e naftës Shqipëria lë pas vetëm dy shtete në të gjithë rruzullin tokësor, Suedinë dhe Hong-Kongun, të cilët konsiderohen si vende të pasura dhe me burime të mëdha të ardhurash për frymë.
Mesatarja e një litri nafte në Shqipëri llogaritet në 1,66 dollarë, kurse për Suedinë çmimi është 1,72 dollarë për litër dhe 1.93 dollarë për litër kushton nafta në Hong-Kong. Diferenca me vendet e rajonit është shumë e madhe, ku maqedonasit e blejnë një litër naftë për 1.05 dollarë, një çmim ky shumë herë më i lirë se ajo çka paguajnë qytetarët shqiptarë. Në Mal të Zi një litër naftë shitet mesatarisht për 1.24 dollarë ndërsa në Serbi për 1,46 dollarë.
Shoqatat e konsumatorëve, por edhe disa grupe biznesi disa herë kanë ngritur zërin se në qëndër të çmimeve të larta të karburantit që ka Shqipëria është rregjimi fiskal i rënduar dhe përqendrimi i tregut në pak duar, ku kompanitë dominuese kontrollojnë importin me shumicë, depozitimin dhe tregtinë me pakicë.