Skënder Gega nuk është më trajner i Kukësit. Tekniku ka dhënë dorëheqjen pas humbjes 4-1 me Partizanin, ish-skuadrën e tij. Nuk kanë shkuar mirë gjërat për Gegën, që pasi shpalli kampion të kuqtë ndan rrugët me të kuqtë, që sërisht bëhen faktor në karrierën e tij, duke e detyruar të japë dorëheqjen, pas asaj që ishte humbja më e thellë në histori për Kukësin në kampionat.
Presidenti Gjici, një nga ata që nuk durojnë në këto raste, këtë herë cuditërisht e ka konsideruar një vendim të nxituar të teknikut: “Mendoj se ishte e nxituar pak. Ne nuk jemi as në mes as në fund të renditjes. Nuk është vetëm faji i tij, por i lojtarëve. Gega mund të jetë tek Kukësi në të ardhmen, sepse ne kemi rikthyer disa trajnerë. I kishte thënë më para drejtorit dhe lojtarëve para se të më thoshte mua sepse nuk kam ato rezultate që duhen. E vlerësoj dorëheqjen” tha Gjici, që zbuloi edhe njeriun që do të drejtojë Blutë në vazhdim.
Bëhet fjalë për një zgjedhje provizore, por që mund të jetë në modelin Egbo tek Tirana sezonin e kaluar: “Hallaçi do të vazhdojë, – tha Gjici – por do ta shohim gjatë rrugës. Është e vështirë të gjesh trajnerë si duhet. Hallaçit i eci mirë kur s’ishte Gega. Nëse do ketë rezultate, nuk do bëjmë shumë ndryshime”. Në tre ndeshjet që Gega nuk ishte në pankinë Kukësi mori 7 pikë, dy fitore e një barazim.