• |
ide | kryesore

Baltovina e fushave, FSHF kërcënon klubet me skualifikimin e stadiumeve

-Instant, Sport



Në Ballsh ishte një baltovinë, por nuk ishte më e mirë gjendja edhe në disa fusha të tjera, duke kondicionuar lojën e skuadrave dhe duke vënë në rrezik dëmtimi lojtarët. Kjo ka mjaftuar që Federata Shqiptare të Futbollit të reagojë, duke paralajmëruar të gjithë klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë në lidhje me terrenin e fushës në stadiumet ku ato zhvillojnë garën.

“Federata ka reaguar menjëherë dhe u ka kërkuar klubeve që të marrin masa për të ruajtur dhe mirëmbajtur fushat e stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet zyrtare – shkruhet në komunikatën e FSHF-së -. Pas konstatimit në terren, gjendja në disa nga fushat e stadiumeve nuk garanton standardet e zhvilluara për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit”. FSHF përmes një qarkoreje ka njoftuar të gjitha skuadrat që është e ndaluar të stërviten në fushën e stadiumit, ku edhe zhvillojnë ndeshjen, gjë që ka sjellë më pas rëndim të terrenit.

Një nga elementët kyç në procesin e licencimit të FSHF për pjesëmarrjen në garat futbollistike është edhe kriteri i infrastrukturës, kështu që Federata do të vijojë me inspektimet gjatë muajit janar 2021 dhe në rast se konstatohet ndonjë klub që shkel këtë rregull, do të ketë sanksione nga Komisioni i Disiplinës së FSHF, deri në pikën që skuadrat nuk do të lejohen të luajnë më në atë terren.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *