• |
ide | kryesore

Edy Reja rrëfen 2020 kuqezi: “Vit aspak normal, por pozitiv në futbollin tonë”

-Instant, Sport, Video



Trajneri i Kombëtares Shqiptare të futbollit, Edoardo Reja ka bërë bilancin e vitit që po lëmë pas në futboll. Në një intervistë ekskluzive për fshf.org, tekniku Reja shprehet se pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga covid-19, bilanci për vitin 2020, duke iu referuar ndeshjeve të fundit të Kombëtares është pozitiv. Tekniku i kuqezinjve duket se ende nuk e ka kapërdirë humbjen në shtëpi me Lituaninë, duke e cilësuar si momentin më të vështirë të vitit në futboll. Megjithatë vendi i parë në grup i sjell ndërmend kujtime të mira, me njerëz që e falenderonin në rrugë për rezultatet e arritura. Sa i përket shortit të eliminatoreve të Botërorit 2022, ai shprehet se ekipi do të jetë kompetitiv deri në ndeshjen e fundit kundër Andorrës.

Në fund, trajneri Reja shprehet se përpos futbollit, ky vit ka qenë një vit jo i mirë për të gjithë, me humbje njerëzish dhe me një jetë jo normale. Ai uron për të gjithë punonjësit e FSHF-së, tifozët si dhe të gjithë shqiptarët një vit më të mirë dhe një vit normal.

Bilanci për vitin 2020 me Kombëtaren Shqiptare – “Bilanci për vitin 2020 në përgjithësi ka qenë pozitiv. Por duhet të kemi parasysh vështirësitë e mëdha që kemi pasur, mbi të gjitha për shkak të Covid-19, që na ka kushtëzuar shumë. Mbi të gjitha para se të shkonim në transfertat e Kazakistanit dhe Lituanisë kishim probleme të mëdha. Shumë lojtarë nuk luanin me klubet e tyre, dikush ishte i infektuar me virusin korona, dikush kishte probleme të tjera dhe duhet të gjenim mënyrën që të hidhnim në fushë lojtarët që aktivizoheshin me klubet. Na është dashur të aktivizonim, për fat të mirë, disa lojtarë të cilët nuk kishin luajtur kurrë më parë me Kombëtaren, por në dy ndeshjet të rëndësishme siç ishin ato në Kazakistan dhe Lituani kanë bërë paraqitje mjaft të mira. Mbase kemi luajtur më mirë se në ndeshjet ku kemi fituar, kemi krijuar shumë raste për gol, por për fat të keq nuk e çuam topin në rrjetë. Pra, bilanci është pozitiv, sidomos nëse i referohemi performancës së fundit ku fituam miqësoren me Kosovën, që ishte e rëndësishme për ne e më pas dy ndeshjet me Bjellorusinë dhe Kazakistanin në shtëpi. Tre fitore radhazi që na dhanë siguri dhe besim, i dhanë shumë entuziazëm grupit dhe përsa i përket objektivit final ne ia dolëm mbanë. E rëndësishme është që gjithçka përfundoi mirë. U renditëm të parët në grup dhe jemi shumë të kënaqur. Mendoj se duhet ta kishim fituar një nga transfertat ku morëm dy barazime, kishim më shumë mundësi të shkonim në play-off-in e Botërorit. Por duhet të jemi të kënaqur dhe të mundohemi të bëjmë më mirë në të ardhmen.

Momenti më i vështirë i vitit në futboll? – Momenti më i vështirë i vitit ishte humbja me Lituaninë në shtëpi. E gjithë puna e bërë dukej sikur ishte zhdukur papritur. Ka qenë një moment ku ne prekëm fundin, zhgënjimi ishte i madh, patëm probleme të mëdha dhe ishte çasti më i vështirë në aventurën time me Shqipërinë.

Momenti më i bukur? – Arritëm të dilnim mjaft mirë nga vështirësitë dhe momenti më i bukur ka qenë fitorja ndaj Bjellorusisë në shtëpi dhe arritëm objektivin tonë final. Sigurisht, ishte diçka e bukur dhe e rëndësishme. Mbaj mend që kur dilja në rrugët e Tiranës një ditë më pas njerëzit më falënderonin për atë që kishim bërë, për rezultatet që kishim marrë. Është e bukur të përjetosh këtë vlerësim të tifozëve shqiptarë kur ecën rrugëve të qytetit, të cilët të përshëndesin me buzëqeshje.

Pritshmëritë në futboll për 2021- Sa i përket asaj që pres nga viti 2021, më duhet të them se ëndrrat janë gjithmonë të bukura, ëndrrat bëhen realitet kur ke besim dhe ne do të nisim së shpejti eliminatoret e Botërorit 2022. Nuk patëm shumë fat në short, sepse kemi në grup Poloninë, skuadër shumë e fortë, Hungarinë, një nga kombëtaret më në formë të kohëve të fundit, është përmirësuar shumë. Dëshira jonë është të jemi kompetitivë deri në fund. Luajmë ndaj Anglisë dhe dy skuadrave të tjera me peshë, por kështu ne do të verifikojmë forcën tonë dhe ky është një aspekt thelbësor, sepse nëse duam të rritemi duhet të matemi me këto realitete që kemi përballë. Duhet të përballojmë këto sfida dhe të arrijmë në maksimumin e formës sonë, mbi të gjithë të lojtarëve. E rëndësishme është të luajnë me klubet e tyre dhe në mars të jenë në formë të mirë, në mënyrë që të jenë kompetitivë ndaj këtyre skuadrave.

Përditshmëria në 2020 dhe urimi për 2021- Sa i takon të shkuarës, ne lëmë pas një vit, mbase më të vështirin të jetës sonë. Sepse jemi duke jetuar një situatë anormale, që nuk është pjesë e mënyrës tonë të jetesës. Unë personalisht kam humbur shumë miq, të cilët u përballën me këtë virus dhe për fat të keq nuk ia dolën mbanë dhe nuk janë më mes nesh. Për këtë më vjen shumë keq, sepse përtej aspektit futbollistik, përtej kënaqësive që kemi pasur gjithsesi, po lëmë pas një vit të tmerrshëm. I tmerrshëm për zhgënjimet dhe shpresoj që kjo situatë të kalojë sa më shpejt. Shpresoj që ky të jetë viti i rilindjes dhe shpresoj që të rikthehemi në normalitet të plotë, si më parë. Përveç kësaj, tashmë ka nisur edhe procesi i vaksinimit dhe ky është një aspekt thelbësor. Sidoqoftë do të duhet pak kohë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm, të mbajmë maskat, të ruajmë distancat. Urimi im shkon për të gjithë miqtë e mi shqiptarë, për të gjithë punonjësit e Federatës Shqiptare të Futbollit, me të cilët kam pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme dhe më kanë ndihmuar shumë. Më keni dhënë siguri dhe kjo është shumë e rëndësishme për një trajner.

Të gjithë tifozëve shqiptarë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit ku ka shumë, dua t’i uroj që të kenë një vit sa më normal. Nuk duhet të kërkojmë gjëra të mëdha, por të kemi një vit normal ndryshe nga ky po lëmë pas”.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *