• |
ide | kryesore

Gjykata e Tiranës shpall moskomptencë për lirimin e Safet Bajrit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Gjykata e Tiranës ka shpallur moskompetencë për gjykimin e kërkesës së Safet Bajrit për të fituar lirinë.

Bajri i konsideruar si kreu i grupit kriminal në Shkodër u arrestua nga operacioni “Forca e Ligjit” në vitin 2018.

Ndërsa Bajri vuan dënimin për një vrasje në Belgjikë në burgun e Fierit i është drejtuar gjykatës së Tiranës ku ka kërkuar liri me kusht. Por, gjykata e Tiranës vendos moskompetencë, duke ia referuar rastin gjykatës së Fierit.

VENDIMI I PLOTE
Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes ka rezultuar se kërkuesi (i dënuari) Safet Rustemi aktualisht vuan dënimin pranë I.E.V.P Fier. Vuajtja e dënimit për kërkuesin/të dënuarin ka filluar për faktin se me vendimin penal Nr. 51 (1027) datë 28.02.2019 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, ndër të tjera, ka vendosur:- “…. Njohjen e vendimit penal te huaj me Nr. 2016C048-2015/VJ11/898, date 25.01.2017, të Gjykatës së Apelit Bruksel, Belgjikë, dhënë ndaj të dënuarit Safet Jonuz Rustemi alias (Bajri), i datëlindjes 09.09.1984, me të cilin është dënuar me 9 (nëntë) vjet burgim dhe pjesa e mbetur për të vuajtur është 8 vjet e 9 muaj e 12 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale të “Drejtim i një organizate kriminale”,“Zhvatje në rrethana rënduese”, “Trafikim i qënieve njerëzore”, “Shfrytëzim prostitucioni në bashkëpunim në rrethana rënduese”, “Përmbushje e pasioneve të të tjerëve” të parashikuara si vepra penale nga nenet 324 bis, 324 ter pg3 dhe 4, 325, 470, 471, 531, 433 quinques pg 1, 1° 5, 43 septies, 3°, 433 navies, 380 pg 1, 4°, pg3, 1°, 382, pg 1, 382 ter të Kodi Penal Belg, që i korrespondon veprave penale të “Krijimit të organizatës kriminale”, “Trafikimit të personave të rritur”, “Shfrytëzimit të prostitucionit”, “Shfrytëzimit të prostitucionit në bashkëpunim”, “Shtrengimi me anë kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Përfitimi apo përdorimi i shërbimeve të ofruar nga personat e trafikuar”, “Shkatërrim i pronës me mjete të tjera” të parashikuara nga nenet 333/1 110/a, 114, 114/2, 109/b/2, 110/b, 154 të Kodit Penal Shqiptar dhe në bashkim të dënimeve, të denohet me 9 (nëntë) vjet burgim, ku pjesa e mbetur për të vuajtur e dënimin është 8 (tetë) vjet e 9 (nëntë) muaj e 12 (dymbëdhjetë) ditë burgim..…”

Se kundër këtijë vendimit është bërë ankim në Gjykatën e Apelit Shkodër, e cila me vendimin Nr. 204, datë 23.05.2019, ka vendosur:- “Lënien në fuqi të vendimit Nr. 51 (1027) datë 28.02.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër….”

Në seancë gjyqësore, Gjykata konstatoi faktin se kërkuesi/i dënuari Safet Rustemi vuan dënimin në I.E.V.P Fier.

Në interpretim dispozitave të ligjit Nr. 81/2020“Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, dispozitave proceduriale të sanksionuara në nenet 470, 477 e vijues të K. Pr. Penale, Gjykata vlerëson se kërkesa penale me objekt lirim me kusht, do të gjykohet nga gjykata e vendit të vuajtjes së dënimit.

Sa më sipër, në vështrim dhe të ligjit Nr. 81/2020“Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”, Gjykata çmon se gjykimi i kësaj kërkese penale nuk është në kompetencën tokësore të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, dhe, se kompetente për gjykimin e kërkesës penale të kërkuesit/të dënuarit Safet Rustemi do të jetë Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, nën kompetencën tokësore të së cilës përfshihet edhe I.E.V.P Fier.

PËR KËTO ARSYE

Gjykata, bazuar në nenet 83 e 85 të K. Pr. Penale,

VENDOS

Shpalljen e moskompetencës së gjykimit të kërkesës penale Nr. 900 Regj. Them, me kërkues/ të dënuarin Safet Rustemi.

Dërgimin e akteve Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, si gjykatë kompetente për gjykimin e kësaj kërkese.



2 Comments

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *