• |
ide | kryesore

Si të përgatisni panetone në kushte shtëpie

-Instant, F1, Stil



Një prej faqeve më të “shijshme” në Instagram është pa dyshim Cucina Di Veti. Themi e shijshme sepse Veti kujdeset në detaje jo vetëm për ushqimet që gatuan, por edhe për mënyrën si i “servir” ato për ndjekësit në Instagram. Çdo foto është e kuruar në detaje dhe të bën që t’i realizosh edhe në shtëpi të gjitha recetat, pa e menduar dy herë. Si periudhë festash që është, Veti ka ndarë me revistën Class recetën e panetones së saj, që siç shihet nga foto është edhe më e shijshme sesa ato që blejmë në dyqane. Përgatitjen e panetones e keni të sqaruar më poshtë në mënyrë të hollësishme. Siç thotë edhe Veti, duket punë e gjatë, por në fakt nuk është. Rezultati pastaj ju bën ta harroni të gjithë mundimin e përgatitjes.
Për brumin e parë ju duhen:

• 70 gr brum mëmë (i thartuar)

• 70 gr sheqer

• 85 ml ujë të ftohtë

• 60 gr të verdha veze

• 90 gr gjalpë

• 245 gr miell i fort

Përbërësit për brumin e dytë:

• I gjithë brumi i parë

• 60 gr miell

• 30 gr mjaltë

• 4 gr kripë

• 65 gr sheqer

• 60 gr të verdha

• 35 ml ujë

• 90 gr gjalpë

• Mix aromash (lëkur limoni, portokalli dhe vanilje)

• 30 gr nutella

• 200 gr copa çokollatë të zezë

Përgatitja e brumit të parë

Në makinën rrahëse hedhim 3/4 e të verdhave, sheqerin, i punojmë sa të bëhet një masë kremoze. Shtojmë brumin mëmë dhe ujin. I punojmë me ngadalë sa të shkrijë mirë brumi. Pas pak shtojmë miellin duke vazhduar përzierjen. Pasi brumi është lidhur, shtojmë me ngadalë pjesën tjetër të të verdhave.

Gjithmonë duhet të mbajmë brumin e lidhur. Mbasi brumi është ngjitur pas pjesës rrahëse të makinës, atëherë shtojmë gjalpin në copa. Vazhdojmë përsëri rrahjen derisa brumi të ngjitet përsëri pas rrahëses.

Masën elastike të krijuar e vendosim në një enë të ngushtë e të lartë. Enën e vendosim brenda në sobë me dritë ndezur (27 gradë).

Pasi është trefishuar e vendosim 30 minuta në frigorifer që temperatura e saj të ulet.

Përgatitja e brumit të dytë

Në enën e makinës hedhim brumin e parë, miellin dhe vazhdojmë rrahjen sa të bëhet një masë. Shtojmë pak pak e nga pak ujin gjithmonë duke mbajtur lidhjen e brumit. Shtojmë sheqerin gjithmonë duke patur kujdes që brumi të mos prishë strukturën elastike. Shtojmë vezët, mjaltin, mix aromash dhe kripën. Pasi brumi është lidhur përsëri shtojmë gjalpin duke mbajtur lidhjen e brumit dhe në fund nutelën. Pasi brumi është lidhur mirë, e hedhim mbi tavolinë dhe e lëmë 30 minuta të çlodhet. Më pas i japim formën e rrumbullakët dhe e vendosim në formën e panetones 1 kg.

Panetonen e vendosim në një vend të ngrohtë, jo më tepër se 27 gradë. Koha që duhet është rreth 10 orë.

Pjekja 150 gradë, për 50-55 minuta.

Pasi ka perfunduar pjekjen i vendosim dy shkopinj druri ose shtiza hekuri dhe e lëmë 5 orë me kokë poshtë. Sipër mbulohet me çokollatë të shkrirë.



1 Comment

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *