• |
ide | kryesore

Partizani fiton gjyqin në CAS: të kuqtë nisin merkaton e presin dëmshpërblimin

-Instant, F1, Sport



Entuziazmi për të fituar të drejtën në CAS në lidhje me cështjen Çinari nuk ka qenë i kotë. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë i ka dhënë të drejtën Partizanit, që ishte dënuar më parë me një vit bllokim të merkatos, 80 mijë euro gjobë e ndalimin për katër muaj të sulmuesit shkodran për të zbritur në fushë. Lajmin e ka bërë të ditur në faqen zyrtare vetë klubi i të kuqve, që ka saktësuar se, pasi ka marrë aprovimin për të lëvizur në merkato, është në pritje të zbardhjes së vendimit, për të ndërmarrë hapat e mëtejshme në lidhje me këtë cështje.

NJOFTIM
Klubi njofton se sot është bërë me dije nga CAS për heqjen e pezullimit të sesionit të transferimit të lojtarëve, vendim që ishte në fuqi nga FIFA në lidhje me çështjen e sulmuesit Erald Çinari. Klubi saktëson se ky është një njoftim paraprak, deri në zbardhjen e plotë dhe përfundimtare të vendimit që ka marrë CAS, përmes të cilit do të përcaktojmë dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në lidhje me këtë çështje. Nga ky moment tashmë FK Partizani rifiton të drejtën për të operuar në merkaton e Janarit.

Të kuqtë e kanë ndjerë situatën pozitive që gjatë seancës dëgjimore, që parapriu vendimin e CAS, për çëshjen e futbollistit Erald Çinari. Palët paraqitën pretendimet e tyre, si dhe janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve, në seancën online, për shkak të situatës me COVID. Partizani ishte përfaqësuar nga Drejtori i Përgjithshëm Olsi Rama, si dhe avokati i mirënjohur spanjoll Juan de Dios Krespo Perez, në kërkim të rrëzimit të dënimit të FIFA-s.

PËRSE U DËNUA PARTIZANI NGA FIFA
Gjithcka ka lidhje me verën 2018, kur në një telenovelë të vertetë merkato, sulmuesi u akordu me Alavesh, nga ku u huazua në Kroaci tek Istra 1961. Transferimi nuk u krye kurrë pasi Vllaznia nuk e lëshoi dokumentacionin dhe në mbyllje të merkatos ndërhyri Partizani, duke e marrë lojtarin nga kuqeblutë. Partizani pagoi 50 mijë euro tek Vllaznia para se të firmoste për tre vjet me Çinarin, por tashmë me vendimin e FIFA-s situata është komplikuar shumë. Klubi kroat Istra 1961 ka fituar gjyqin në lidhje me transferimin e sulmuesit e si pasojë Partizani e ka të ndaluar të bëjë merkato për dy sesione e duhet të paguajë 80 mijë euro, plus pezullimin katërmujor të shkodranit. Sipas asaj që ka bërë të ditur sekretari i përgjithshëm i Partizanit, Gerald Burba, në atë kohë, “është transformuar realiteti”, ndërsa shpjegoi situatën në bazë të fakteve që klubi disponon. Partizani ishte kujdesur që më parë për të qenë në rregull me procedurat ndaj dhe ka bindjen se mund të provojë pafajësinë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *