• |
ide | kryesore

Komenti i dy videove/ Rama i Erdoganit dhe Rama i Nasipit

-Instant, Arkiva, Lajme, Të fundit



Të gjitha qarqet pro Rama brohorisnin dje plot entuziazëm pritjen pompoze që presidenti turk Rexhep Taip Erdogan i bëri kryeministrit tonë në Ankara. Fakti se ai u nderua nga garda e veshur me uniformat e perandorisë otomane, me bujë dhe me fanfarë, pas së cilës vetë sulltani neo otoman qëndronte krahëhapur përpara pallatit të tij me 2 mijë dhoma ishin një nderim i lartë për shefin e qeverisë Shqiptare. Kjo ceremoni u shërbeu mbështetësve të Ramës për ta vizatuar atë si një lider që po ngre lart emrin e Shqipërisë, që i bën nder vendit të vogël prej nga vjen, që e ka ngritur diplomacinë e saj në majat e e globit.

VIDEON/ Erdogan nxjerr uniformat e osmanëve në ceremoni/ Rama flet turqisht në Ankara

Pra kryerilindasi pikturohej një statist, serioz dhe burrështetas që nderohet edhe nga liderët më të mëdhenj botërorë dhe që i rezervohen pritje sikur të ishte presidenti i SHBA-së. Mesazhi i kësaj lloj propagande ishte i qartë: me Edi Ramën, vendi ka një lider që i tejkalon përmasat e tij gjeografike.

Por ndërkohë, bashkë me imazhet e denja të ceremonive të Ankarasë, të cilat nuk i errësonte dot as prania e ndonjë korrieri, si Sinan Idrizi i Air Albania-s publiku shqiptar pa një tjetër video. Aty lideri global, nën avujt e alkoolit ngjante me ata të fortët e lagjes që pas një aksioni të suksesshëm duan të ndajnë plaçkën e fituar edhe me një nga tradhëtarët e bandës të mëhallës tjetër. Me sfond të errët, gjysëm çakërqejf, me një fjalor alabakësh dhe me një mendësi prej grabitësi ai po miklonte ish ministrin Nasip Naço të tradhëtonte opozitën dhe të kalonte me PS.

Lefter Koka flet për videon që i çoi Nasip Naços me Ramën: E ftuam që në verë!

Natyrisht vjedhja e figurave të njëri tjetrit nuk përbën ndonjë mëkat të madh në politikën shqiptare. Atë e kanë bërë të gjithë. Por forma se si ndodh që këtë herë u pa në video, me zë dhe me figurë ishte e shpifur. Ajo tregonte një Edi Ramë, 180 gradë të ndryshëm nga ai që donin t’i shisnin shqiptarëve pamjet e Ankarasë.

Në antitezë me burrështetasin dukej pazarxhiu ordiner, në kundërshti me liderin diplomat dukej pijaneci i rëndomtë, në diskordancë me udhëheqësin që flet me të mëdhenjtë, dukej qëmtuesi i veseve të vogla njerëzore. Të dyja imazhet, aq kontradiktore, nuk i rrinin dot një njeriu të vetëm. Dikush prej tyre nuk qe i vërtetë. Ose Rama i parë ishte jashtë vetes ose Rama i dytë nuk qe ai që njohim. Por roli i figurantit në ceremoninë e Erdoganit mund të luhet më kollaj, ndërsa ai i videos me Terin dhe Nasipin, nuk aktrohet dot po s’e pate në gjak.

©Lapsi.al



7 Comments

  1. mire e keni o rilindes se ne europe ne perendim turqit shihen nga popillsia e ketyre vendeve si njerez te pa shprese te vuajtur fukarenj qe kane emigruar ne gjermani prandaj mos na e lavderoni si shume turqine vend anadollak ka qene e mbetet k ske rer cfare te mire ti marresh

  2. Se pari pritja qe iu be Rames ne Turqi me garden e veshur me uniformat e jenicereve, azapeve dhe serdengjeshtlereve, tregon se akenxhinjte ishin diku afer dhe “prisnin urdhrin per sulm”. Vec kesaj, pritja me ate lloj uniforme, kunder se ciles shqiptaret kane luftuar dhe kane siguruar nje vend ne Europe, pasi ne te kundert do ishin ne Azi, eshte nje fyerje ndaj kombit shqiptar dhe kryeministri do duhej te reagonte minimalisht duke mos i nderuar. Pompoziteti ne pritjen e Rames, nuk eshte asgje me shume se pritja qe i behet vasalit te preferuar, i cili asnjehere nuk ia ben fjalen dy sulltanit te madherishem dhe “akenxhinjte e gatshem per sulm” ishin kerkesat per dorezimin e te ashtuquajturve gyleniste te cilet sulltani mezi c’pret qe t’i masakroje. Me ate vizite, duhet fshire nga kalendari i festave 28 nentori dhe duhet caktuar nje date tjeter si feste kombetare. Mundesisht festa kombetare e Turqise ose qofte edhe ngadhnjimi i sulltanit mbi “grushtin e shtetit” ne veren e vitit 2016. Sa per pajtimin e Greqise me Turqine, mire e ka thene ai gazetari, Rama nuk eshte ne gjendje te pajtoje Stresin me Noizin… Video tjeter e hedhur ne treg dje, pervec qellimit politik per gjoja dobesimin e LSI, ka edhe qellimin tjeter. Gazetaret duhet te merren me ate video dhe duhet t’ia marrin mendjen miletit me palacolleqet e Rames me qellim qe mileti te mos kuptoje se ku, si dhe sa e ka ngrene Rama ne viziten tek Erdoan. Gjithashtu shqiptaret duke u marre me Nasipin, nuk do e kuptojne se po futemi ne Azi me te drejtat, por kryesisht me detyrimet e vasalit. Eshte pak a sume si ajo vizita ne New York qe zyrtarisht ishte per te sjelle vaksinen ne Shqiperi, por qellimi real ishte te takohej i biri i Joe Biden sepse e ka mire me diktatoret dhe ne shkembim te ndonje shifre me shume zero, Biden mund te toleroje disa gjera per Ramen. Natyrisht vizita ishte thjesht per njohje, por edhe per dhenje kapari me sa duket.

  3. Shkrim i kendshem. Llogjike e paster. Rama i vertete eshte ai me Terin ,pasi akti luhet ne shtepine e tij,me shoket e punes dhe te vesit dhe atje s’mund tr luash teater. Ne Turqi je jashte shtepise tende dhe atje dhe te mos duash teater do luash , pasi je te takim me regjizorin Erdogan.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *