Një fantazist për Partizanin, kjo ka qenë kërkesa e teknikut Ilir Daja për merkaton, duke mos pasur një mesfushor të aftë të luajë pas sulmuesve apo edhe në medianë. E kështu, profili i identifikuar nga tekniku i të kuqve ka qenë ai i Valentino Muratajt. Lojtari i Bylis do të mbërrijë nesër për firmën dhe seancën e parë stërvitore me kryeqytetasit: “Nuk kam folur ende me Dajën, po më thanë, në takimin me drejtorin Olsi Rama, se trajneri vetë më kishte kërkuar për të më patur në skuadër”, ka zbuluar Murataj, që kthehet në shtëpi pas katër vitesh në Ballsh.
Ajo që e ka bindur presidentin e Bylis, Besnik Kapllanaj, të privohej nga kapiteni i tij ka qenë shuma e paguar nga Partizani: 50 mijë euro për të bërë transferimin të mundur që në merkaton e janarit. Natyrisht ardhja e Muratajt tek të kuqtë, sjell mbylljen e hapësirës për Besnik Feratin. Mesfushori 20 vjeçar dhe drejtuesit e klubit kanë vendosur të ndërpresin me mirëkuptim marrëveshjen mes tyre, duke i dhënë mundësi lojtarit të jetë i lirë. Ferati ishte pjesë e skuadrës nga gushti i vitit 2018.
Partizani është duke u kujdesur për fazën ofensive me brazilianin Junior e tani edhe me Murataj, ndërkohë që reparti më i brishtë, mbrojtja, nuk ka nisur ende të plotësojë radhët.