• |
ide | kryesore

Serbia i kërkon Katarit të mos lobojë në dobi të Kosovës

-Instant, Lajme, Të fundit



Institucionet e shtetit serb vazhdojnë me të vjetrën. Pavarësisht marrëveshjeve që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në Washington në praninë e ish-presidentit Donald Trump dhe të deleguarit të tij Richard Grenell, Serbia nuk i merr parasysh, duke vazhduar kështu lobimin kundër Kosovës, shkruan Telegrafi.

Traditën e ish-ministrit Ivica Daçiç është duke e vazhduar ministri i ri jashtëm serb, Nikola Selakoviç.

Selakoviç së fundmi ka kërkuar nga ambasadori i Katarit në Serbi, Shejh Mubarak Fahad al-Thani, të ndalojë lobimin ndërkombëtar në favor të Kosovës.

Selakoviç deklaroi se Serbia dhe Katari, përveç mosmarrëveshjeve për çështjen e Kosovës, nuk kanë çështje të hapura në marrëdhëniet dypalëshe, raportojnë mediat serbe, shkruan Telegrafi.

E ndaj kësaj fushate të egër e të vazhdueshme të Serbisë, Kosova si gjithmonë “mjaftohet” me disa reagime në rrjetet sociale.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar në Twitter duke shkruar se Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Washingtonit.

“Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Washingtonit- referuar kërkesave zyrtare dhe jo zyrtare për të mos njohur Pavarësinë e Kosovës. Është Ministria e Punëve të Jashtme duke bërë të kundërtën e asaj që Vuçiqi ka nënshkruar në Washington”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.

Në anën tjetër kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka thënë se, çdo masë e reciprocitetit tregtar që Serbia e drejton nga Kosova, do të veprohet njëjtë, por ndryshe Hoti kishte deklaruar kur ishte larguar reciprociteti dhe taksa ndaj Serbisë.

 



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *