• |
ide | kryesore

Dhoma e Përfaqësuesve vijon të bëjë përpjekje për shkarkimin e Trump

-Instant, Lajme, Planet



Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan e kontrolluar nga demokratët pritet të votojë të martën mbi një rezolutë për t’i kërkuar Nënpresidentit Mike Pence dhe anëtarëve të Kabinetit të Presidentit Donald Trump të përdorin autoritetin e tyre kushtetues për ta shkarkuar zotin Trump nga detyra.

Rezoluta, e cila pritet të miratohet, i jep zotit Pence 24 orë afat për t’u përgjigjur.

“Presidenti përbën një kërcënim urgjent ndaj Kushtetutës, vendit dhe popullit amerikan dhe ai duhet të hiqet menjëherë nga detyra,” tha Kryetarja e Dhomës Nancy Pelosi të hënën.

As nënpresidenti Pence dhe as ndonjë anëtar i kabinetit nuk ka dhënë ndonjë sinjal publik se e mbështet një veprim të tillë, që do të kërkonte aktivizimimin e një klauzole të amendamentit të 25-të që lejon nënpresidentin dhe shumicën e kabinetit ta shpallë një president “të paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrimet e postit të tij”.

Presidenti Trump dhe nënpresidenti Pence u takuan të hënën vonë në Shtëpinë e Bardhë për herë të parë që kur protestuesit pro-Trump sulmuan Kapitolin e Shteteve të Bashkuara javën e kaluar.

Një zyrtar i lartë i administratës tha se të dy ata “rikonfirmuan se ata që shkelën ligjin dhe sulmuan Kapitolin javën e kaluar nuk përfaqësojnë lëvizjen ‘Amerika para së gjithash’ të mbështetur nga 75 milionë Amerikanë dhe u zotuan të vazhdojnë punën në emër të vendit deri në fund të mandatit të tyre”.

Zoti Pence shkaktoi zemërimin e presidentit Trump, kur refuzoi përpjekjet e presidentit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit, ku zoti Trump humbi ndaj Presidentit të zgjedhur Joe Biden dhe nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris.

Udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuseve po vazhdojnë në të njejtën kohë me planet për ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit, të cilat pritet të votohen të mërkurën.

Edhe pse mandati katërvjeçar i zotit Trump përfundon në mesditën e 20 janarit, në rezolutën prej katër faqesh me akuzat për shkarkimin e tij, thuhet se ai ka “demonstruar se do të vazhdojë të mbetet një kërcënim për sigurinë kombëtare, demokracinë dhe Kushtetutën, nëse lejohet të qëndrojë në detyrë dhe ka vepruar në një mënyrë tepër të papajtueshme me vetëqeverisjen dhe shtetin e së drejtës”.

Akuza me katër faqe përmend pretendimet e pabazuara të zotit Trump se ai u privua nga një mandat të dytë katër vjeçar për shkak të parregullsive të votimit dhe të numërimit të votave, presionin e tij ndaj zyrtarëve të zgjedhjeve në shtetin jugor të Xhorxhias për t’i “gjetur” atij më shumë se 11,000 vota për të kapërcyer epërsinë ndaj zotit Biden në këtë shtet dhe deklaratat e tij në një tubim të mërkurën e kaluar, ku u bëri thirrje mijëra mbështetësve të marshonin drejt Kapitolit për të bërë presion ndaj ligjvënësve për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve.

218 demokratë e kanë nënshkruar rezolutën, duke siguruar shumicën në dhomën prej 435 anëtarësh, pa asnjë vote republikane kundër presidentit në largim.

Por është e paqartë nëse udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve do ta dërgojnë menjëherë rezolutën në Senat i cili në një proces shkarkimi luan roli e gjykatës që merr vendimin nëse zoti Trump do të dënohet dhe do të hiqet nga detyra, duke pasur parasysh se mandati i tij mbaron javën e ardhshme.

Presidenti i zgjedhur Biden tha se ai shpreson që Senati të mund të zhvillojë njëkohësisht një gjyq ndaj zotit Trump dhe të konfirmojë emërimet për Kabinetin e tij, pasi ai të marrë detyrën, si edhe të miratojë më shumë ndihmë për ekonominë amerikane të goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit.

Ai tha të hënën lidhur me protestuesit, “se është shumë e rëndësishme që të ketë një përpjekje serioze në vënien para përgjegjësisë të atyre njerëzve që u përfshinë në dhunë dhe shkaktuan dëme të mëdha, duke kërcënuar jetë dhe duke shkatërruar prona publike”.

Zoti Biden u tha gjithashtu gazetarëve se “nuk kam frikë ta bëj betimin jashtë,” duke iu referuar ceremonisë së betimit të javës së ardhshme, e cila tradicionalisht zhvillohet në anën perëndimore të Kapitolit të Shteteve të Bashkuara, e cila u sulmua gjatë akteve të dhunshme.

Edhe nëse një vendim i Senatit për fajësimin e Presidentit Trump jepet pasi të ketë përfunduar mandati i tij, kjo mund të nënkuptonte se ai nuk do të lejohen të mbante më një post në qeverinë federale.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *