Në pritje të derbit, java e 15 e Superiores është e mbushur me emocione, me gola in-extremis e befasi, që lëkundin pankina. Vllaznia rrëmben një fitore kur nuk e mendonte askush në Ballsh. Ish-sulmuesi i Bylis Ardit Hoxhaj i dha fitoren kuqebluve në minutën e 90+5. Fiton Teuta me qetësi, ndërsa Kukësi zgjohet vetëm pas barazimit të Apolonisë. Përfundon në telashe tani Duro, me Lacin e tij që nuk fitoi dot me Skënderbeun në shtëpi.
Bylis rezistoi me dinjitet ndaj kryesuesve të kampionatit, por skuadra e Dovedan është dorëzuar në minutën e pestë shtesë, kur ndoshta e menduar pikën të marrë përballë Vllaznisë. Vendosi një gol i sulmuesit vlonjat, që goditi saktë me kokë në afërsi të vijës fatale, duke realizuar kështu të shtatin në kampionat dhe duke lejuar shkodranët të mbajnë avantazhin e 9 pikëve nga Teuta.
Teuta ka regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke mposhtur minimalisht 0-1 Kastriotit, në ndeshjen e zhvilluar në Kamzë. Durrsakët ishin dominues gjatë pjesës së parë, por pa arritur të rrezikonin seriozisht portën e krutanëve, të cilët u mbrojtën mirë. Ndreu tentoi të ruante filozofinë e kundërsulmit, për ti bërë keq durrësakëve, por në minutën e 71’ Dejvi Bregu me goditje dënimi i dha fitoren Martinit, që shpreson që fantazisti të jetë zhbllokuar përfundimisht. Me këtë fitore Teuta ngjitet në vendin e dytë, me 26 pikë, 3 pikë më shumë se Partizani i vendit të tretë, që luan ditën e nesërme derbin me Tiranën, ndërsa Kastrioti zbret në vendin e 7-të me 17 pikë.
Kukësi fitoi ndeshjen e parë pas 6 takimesh, duke mposhtur Apoloninë e duke qetësuar disi atmosferën tek kuksianët e sidomos për teknikun Hallaci. Është dashur në fakt barazimi i përkohshëm i Apolonisë, që të nxiste reagimin e verilindorëve, që shënuan më pas suksesin 1-3. Skuadrat udhëtuese bënë “ligjin” në këto takime, ku 3 nga 4 takimet e luajtura u fituan nga miqtë, ndërkohë që sfida e vetme që u mbyll në barazim ishte ajo mes Laçit dhe Skënderbeut.