• |
ide | kryesore

The Guardian/ Fillojnë bisedimet, a do të ketë paqe greko-turke

Kryesore



Pas 5 vitesh shkëputjeje në bisedimet Greqi-Turqi, periudhë kjo e shoqëruar me një përplasje dhe gjakra të ndezura që mund të shpërthenin në një konflikt, dy shtetet kanë vendosur që të rinisin dialogun, këtë të hënë. Duke qenë se vendet kanë qëndruar për një kohë të gjatë në prag të një lufte të armatosur kryesisht për shkak të të drejtave të shfrytëzimit të rezervave të gazit në detin Egje, rifillimi i marrëdhënieve mes tyre është shoqëruar me një ndjesi çlirimi në arenën ndërkombëtare. Përpara nisjes së diplomatëve grekw për në Stamboll, kryeministri Kyriakos Mitsotakis tha se shpreson që dy vendet do të zgjidhin mospajtimet pwr sa i takon caktimit të kufijve detarë.

“Do ta trajtojmë problemin me optimizëm…jo me naivitet”, tha ai përpara anëtarëve të parlamentit, teksa votonin për zgjerimin e kufirit detar perëndimor nga 6 në 12 milje pas një marrëveshje me Italinë.

Prapëseprapë, ky është vetëm hapi i parë. Duhet marrë në konsideratë fakti që bisedimet janë duke u zhvilluar në një kohë kur mes palëve është rritur mosbesimi dhe retorika e përdorur është bërë tejet agresive. Beteja e heshtur ka nxitur si Greqinë po ashtu edhe Turqinë që të përmirësojë aftësitë ushtarake. Si rrjedhojë, ministri grek i Mbrojtjes pritet të takojë homologun francez në Athinë për të firmosur një marrëveshje që i siguron Greqisë 18 avionë lufte nga Parisi.

Profesori grek Kostas Ifantis, i specializuar në çështjet me Turqinë, thotë se shumë gjëra varen nga këto bisedime. Sipas tij, nëse nuk ka progres, dy vendet do të rikthehen në një gjendje tensioni ku rreziku për shpërthimin e një lufte është i lartë, duke patur parasysh se gjithë pajisjet më të avancuara ushtarake të dy palëve janë përqëndruar në zonën e konfliktit.

Nga viti 2002 deri në vitin 2016, dy anëtarët e NATO-s zhvilluan 60 raunde bisedimesh, të cilat shënuan pak përparim. Kjo është hera e 61-të që dy vendet ulen në një tryezë të përbashkët dialogu. Që nga ngecja në mars 2016, marrëdhëniet dypalëshe u përkeqësuan deri në pikën ku komunikimi midis ministrave të jashtëm të vendeve u shkëput.

Nivelet e agresivitetit u përshkallëzuan edhe më tepër vitin e kaluar pasi presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se po hapte portat drejt Europës, duke inkurajuar qindra mijëra emigrantë të kalonin në Greqi. Në kufirin e Greqisë shpërthyen skenat kaotike ndërsa njerëz të dëshpëruar përpiqeshin të kalonin kufirin, pas së cilit i priste gaz lotsjellës nga të dyja palët.  Përballë një krize që vetëm përkeqësohej, Athina arriti të përforconte kufijtë tokësorë dhe detarë me ndihmën e BE-së.  Kritika vërshuan drejt Erdogan nën argumentin e përdorimit të emigrantëve për qëllime politike vetjake.

Deri verën e vitit të shkuar, pretendimet mbi rezervat e gazit të gjendura në zona detare të kontestuara acaruan edhe më tej situatën. Turqia vendosi të marrë nën kontroll situatën kur dërgoi anijen kërkimore Oruc Reis, të shoqëruar nga anijet e marinës, për të zbuluar burime gazi në ujërat e kontestuara, në afërsi të bregut kontinental të Greqisë. Në një gjendje alarmi që zgjati thuajse 3 muaj, forcat e armatosura greke u vendosën në gatishmëri me anije luftarake që përshkonin detin Egje dhe avionë ushtarak që patrullonin qiejt për një kërcënim të mundshëm.

Me acarimin e marrëdhënieve me Turqinë pas shfryëzimit të të drejtave detare të Qipros, perëndimorët i ranë këmbanve të alarmit për një shpërthim armësh në këtë zonë të Ballkanit, skenar ky që mund të vihej në jetë si rrjedhojë e qoftë edhe një gabimi të vogël në pozicionimin e anijes Oruc Reis. Indinjata e tyre u shpreh në formën e kërcënimeve me sanksione nëse nuk Turqia nuk tërhiqte pas Oruc Reis. Greqia dhe Qipro, të mbështetura fuqimisht nga Franca, ishin të mendimit se Ankaraja duhet të ndëshkohej për veprimet provokative. Por, megjithë ftohjes së marrëdhënieve me Brukselin, Truqia ende mbetet një vend kandidat për në BE.  Javët e fundit, megjithatë, ujërat janë trazuar pak. Që pas mposhtjes së Donald Trump, në zgjedhje e fundit presidenciale, Erdogan ka shfaqur shenja pozitive karshi perëndimit, duke kërkuar të forcojë marrëdhëniet me ta.

Të premten, ministri i jashtëm i Turqisë paralajmëroi për luftë të gjithanshme nëse Greqia zgjedh të shtrijë ujërat e saj territoriale në Egje, duke përmendur edhe çështje të tjera që shkaktojnë përplasje mes vendeve, duke përfshirë hapësirën ajrore dhe demilitarizimin e ishujve grekë. Komentet e tij u pritën jo fort mirë nga pala greke, me ministrin e jashtëm grek Nikos Dendias që theksoi këtë të shtunë se çështja e vetme në tavolinë është përcaktimi i zonës ekskluzive ekonomike dhe bllokut kontinental në Egje dhe Mesdheun lindor.

“Në bisedimet eksploruese nuk do të ketë diskutim për demilitarizimin e ishujve. Asnjë diskutim për një çështje që ka të bëjë me sovranitetin kombëtar. Nëse, siç shpresohet, bisedimet nuk çojnë në negociata zyrtare dhe fqinjët nuk bien dakord, ata duhet të kërkojnë drejtësi përpara gjykatës ndërkombëtare në Hagë”, tha Dendias.

 



1 Comment

  1. Rikthimi i bisedimeve teknike megjithatë është një arritje më vete. Ankaraja dhe Athina e vendosën këtë më 11 Janar. Nismëtar që palët të rivendosnin kontaktet ishte Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili në vizitën e tij në fillim të Janarit në Turqi i ofroi ministrit të Jashtëm turk Mevlut Çavushollu, ndërmjetësim për të takuar homologun grek Nikos Dendias në Tiranë. Palët e pranuan ofertën por data e takimit mes kryediplomatëve ende nuk është përcaktuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *