• |
ide | kryesore

Video/ Trajneri i ikën Tiranës para ndeshjes, Laçi e mund me golin e ish-lojtarit të Partizanit

-Instant, Sport, Video



Pa trajner, e mundur në shtëpi dhe gjithnjë e më larg Europës. Asgjë nuk është si duhet tek Tirana, që është futur në një situatë të mjerueshme në javën e 16 të Superiores. Nuk është vetëm humbja e pësuar në Selman Stërmasi nga Laçi, sa gjendja e krijuar në ambjentin bardheblu pas largimit të teknikut Nevil Dede vetëm 15 minuta para se sfida të fillonte, që ka hapur edhe skandalin e ndërhyrjes në formacion nga presidenti i klubit Refik Halili. E sikur të mos mjaftonte, sfidën me kurbinasit, të drejtuar në pankinë nga drejtori teknik Tefik Osmani e vendosi në favor të bardhezinjtë ish-lojtari i Partizanit, Mentor Mazrekaj.

Kampionët në fuqi pësojnë kështu një tjetër tronditje kur kanë dalë të mundur 0-1 përballë të besuarve të Shpëtim Duros, falë golit spektakolar të Mazrekajt nga goditja e dënimit në minutën e 72. Tirana u duk qartë që ishte nën ngërcin e asaj që ndodhi përpara ndeshjes me trajnerin tashmë në ikje, Dede dhe me pasigurinë që tregon një situatë e tillë. Përfitoi në maksimum Laci, që pas dy ndeshjeve nën ton me vendet e fundit të klasifikimit, përkatësisht Apolonisë e Skënderbeut rrëmben fitoren në kryeqytet, duke u ngjitur në kuotën e 24 pikëve.

Komplikohet keq situata e bardhebluve, jo vetëm për mbrojtjen e titullit kampion, që duket një mirazh 16 pikë larg, por edhe me Europën e vogël që duket një mision i vështirë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *