• |
ide | kryesore

Reduktohen dërgesat e AstraZenecas, reagon BE: Do të bllokojmë eksportet e vaksinës për Covid-19 jashtë bllokut

-Instant, Lajme, Planet



Brukseli ka kërcënuar të hënën që do të bllokojë eksportet e vaksinës për Covid-19 jashtë bllokut pas njoftimit të AstraZeneca-s se dërgesat do të reduktohen për disa javë.

Gjiganti farmaceutik njoftoi Komisionin Evropian të premten se do të ketë vonesa në tremujorin e parë të këtij viti, një javë pasi Pfizer bëri një njoftim të ngjashëm.

Bordi Drejtues i BE, i përbërë nga zyrtarë shëndetësorë nga Komisioni dhe vendet anëtare, zhvilloi një takim virtual me AstraZeneca të hënën pasdite për të diskutuar çështjen por “përgjigjet e kompanisë nuk kanë qenë të kënaqshme deri më tani”, tha Komisionerja e Shëndetësisë Stella Kyriakides në një deklaratë.

Një takim i dytë u mbajt të hënën në mbrëmje.

“Bashkimi Evropian do të ndërmarrë çdo veprim që kërkohet për të mbrojtur qytetarët e tij,” tha Kyriakides në deklaratë.

Ajo shtoi se njoftimi i ndërmarrjes se ka ndërmend të furnizojë “shumë më pak doza” sesa ishte rënë dakord “nuk është i pranueshëm”, duke theksuar se blloku kishte “para-financuar zhvillimin e vaksinës dhe prodhimin dhe dëshiron të shohë rezultate”.

“Në të ardhmen, të gjitha kompanitë që prodhojnë vaksina për COVID-19 në BE do të duhet të japin njoftim të hershëm sa herë që duan të eksportojnë vaksina në vendet e treta,” shtoi ajo. Dërgesat humanitare nuk do të preken.

AstraZeneca ka një fabrikë në Holandë, Pfizer ka një në Belgjikë.



Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *